Bujqit ankohen nga shërbimet e bankave

Ekonomi

Bujqit ankohen nga shërbimet e bankave

Më: 14 korrik 2014 Në ora: 08:32

Ndonëse kreditimi nga bankat komerciale në Kosovë ka shënuar ngadalësim, sidomos për ndërmarrjet, rritje më të madhe kanë shënuar kreditë bujqësore.

Por prodhuesit bujqësorë ankohen për normat e larta të interesit, që sipas tyre pengojnë zhvillimin e këtij sektori. Ndërkaq përfaqësues të komunitetit të biznesit thonë se në Kosovë duhet të hartohen politika më të mira për zhvillim të prodhimtarisë.
Pavarësisht se përfitojnë subvencione nga shteti, bizneset që merren bujqësi vazhdojnë të varen nga kreditimi, që edhe më tutje ka një kosto të lartë. Bashkim Gashi nga Gjakova që merret me prodhimtarinë e vezëve, thotë se normat e larta të interesit po e vështirësojnë zhvillimin e sektorit të bujqësisë. Sipas tij çmimet në treg janë të ndryshueshme dhe një gjë e tillë, ndikon që kreditë të mos mund t’i kthejnë me kohë.
“Kreditë për zhvillimin e bujqësisë janë shumë të shtrenjta. Jemi duke u marrë me biznes të bujqësisë, me prodhim të pularisë, ku tash i kam mbi 30 mijë copë pula, por të gjitha janë me kredi. Kështu që me qenë shteti me na leju kredi me kamata shumë të ulëta, do ta ndihmonte zhvillimin e bujqësisë”, thotë Gashi.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini thotë se kamatat e kredive bujqësore në Kosovë janë më të lartat në rajon, por produktet bujqësore përballen edhe me konkurrencë jo të barabartë nga produktet e importit.
“Pa mbështetje financiare, pa politika të mira, edhe pse së fundmi janë bërë disa reforma të politikave fiskale te produktet primare, por kjo nuk ka mjaftuar sepse kreditimi dhe financimi i bizneseve kryesisht varet nga bankat komerciale, të cilat kanë një interes tepër të lartë”, thotë Shahini.
Megjithëse është përmendur shpesh, në Kosovë ende nuk është krijuar një bankë agrare, dhe për këtë Shahini thotë se nuk ka pasur gatishmëri.
“Kjo do të ndihmonte shumë agrobiznesin, do të ndihmonte edhe sferat tjera biznesore në Kosovë, por një gjë e tillë nuk është bërë, është premtuar shumë por nuk ka ndodhur”, shtoi ai.
Ndryshe, sipas të dhënave të Bankës Qendrore, në vitin 2013 gjithsej vlera e kredive të sektorit bankar të Kosovës arriti në 1.81 miliard euro, duke shënuar rritje vjetore prej 2.4 për qind, krahasuar me vitin 2012.

Kreditë për ndërmarrjet vazhdojnë të dominojnë strukturën e gjithsej kredive me pjesëmarrje prej 67 për qind, përderisa kreditë për ekonomitë familjare përbëjnë 31.2 për qind të tyre.
Ndërkaq ngadalësimi u vërejt si te kreditë për ekonomitë familjare ashtu edhe te kreditë për ndërmarrje. Kreditë për ekonomitë familjare shënuan rritje vjetore prej 3.9 për qind (6.2 për qind në dhjetor 2012), ndërsa kreditë për ndërmarrje shënuan rritje vjetore prej 2 për qind (3.9 për qind në dhjetor 2012).

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat