Rusia hedh poshtë kritikat perëndimore për arrestimin e Navalnit

Evropë

Rusia hedh poshtë kritikat perëndimore për arrestimin e Navalnit

Më: 3 shkurt 2021 Në ora: 17:14
Rusi

Autoritetet ruse komentuan me indiferencë të mërkurën për tubimet masive ndaj burgimit të kundërshtarit numër një të Kremlinit Alexei Navalni dhe i hodhën poshtë kritikat perëndimore, duke i quajtur "histerike".

Ndërkohë, aktivistët njoftuan për më shumë se 1,400 arrestime të reja gjatë shtypjes së protestuesve.

Një gjykatë e Moskës urdhëroi të martën burgimin e Navalnit me dy vjet e tetë muaj, pasi arriti në përfundimin se ai shkeli dënimin me kusht ndërsa ishte në Gjermani për t’u kuruar nga helmimi me agjent nervor. Vendimi ndezi menjëherë protesta të reja në Moskë dhe Shën Pjetërburg, të cilat pasuan tubimet masive gjatë dy fundjavave të fundit.

Image
Aleksei Navalni

Duke folur në gjykatë, Navalny i denoncoi akuzat ndaj tij si të trilluara dhe të nxitura nga "frika dhe urrejtja" e Presidentit Vladimir Putin, duke thënë se udhëheqësi rus do të hyjë në histori si një "helmues".

I pyetur për fjalimin e Navalnit, i cili u shpërnda gjerësisht në platformat ruse të mediave sociale, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u përgjigj se nuk i takon atij të përcaktojë vendin e Putinit në histori. Ashtu si Presidenti Putin, zoti Peskov e shmangi përmendjen e Navalnit me emër.

Navalni, një aktivist 44-vjeçar i anti-korrupsionit, i cili është kundërshtari më i vendosur politik i Putinit, u arrestua më 17 janar kur u kthye nga shërimi pesë-mujor në Gjermani pas një helmimi për të cilin ai i ka hedhur fajin Kremlinit. Autoritetet ruse mohojnë çdo përfshirje dhe pretendojnë se nuk kanë asnjë provë që ai u helmua, pavarësisht provave të disa laboratorëve evropianë.

Ndërsa lexohej vendimi i gjykatës, Navalni buzëqeshi në drejtim të gruas së tij Julia, e cila ndodhej në seancë, dhe vizatoi një zemër në xhamin e kafazit ku po mbahej. "Gjithçka do të bëhet mirë", i tha ai, kur po largohej nga rojet.

Ajo falënderoi mbështetësit në Instagram, duke thënë: "Ka kaq shumë njerëz të mirë, të fortë dhe të ndershëm që mbështesin Aleksein dhe mua saqë nuk ka asnjë mënyrë për t'u tërhequr dhe nuk ka asgjë për t'u frikësuar".

"Ne gjithsesi do të fitojmë", tha ajo.

Dënimi me burg për Navalnin dhe reagimi i ashpër i policisë ruse ndaj protestave paqësore u bë shkak për kritika të ashpra nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken i kërkoi Moskës që të lirojë menjëherë Navalnin dhe ata që u arrestuan gjatë protestave.

"Ndërsa punojmë me Rusinë për të avancuar interesat e Shteteve të Bashkuara, ne do të koordinohemi ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për dështim në respektimin e të drejtave të qytetarëve të saj", tha ai.

Presidenti francez Emmanuel Macron e quajti dënimin e Navalnit "të papranueshëm" dhe bëri thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm.

"Një mosmarrëveshje politike nuk është kurrë krim". "Respektimi i të drejtave të njeriut, si ai i lirive demokratike, nuk mund të negociohet," tha zoti Macron.

Zëdhënësi i kancelares Angela Merkel, Steffen Seibert përsëriti thirrjen e udhëheqëses gjermane për lirimin e menjëhershëm të Navalnit dhe dhënien fund të shtypjes së policisë kundër protestuesve anti-qeveritarë.

Zoti Seibert u tha gazetarëve se vendimi i gjykatës së Moskës "ishte larg parimeve të sundimit të ligjit", duke vënë në dukje se vendimi bazohej në dënimin e mëparshëm të Navalnit, të cilin Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e kishte konsideruar "arbitrar" dhe shkelje të të drejtave të Navalnit për një gjykim të drejtë.

"Qeveria gjermane dënon këtë përdorim sistematik të dhunës ndaj protestuesve paqësorë", tha ai.

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov hodhi poshtë të mërkurën kërkesat perëndimore si "arrogante dhe të pahijshme", duke thënë se Moska nuk do të preket nga "histerizmi" perëndimor. Ai e mbrojti reagimin e policisë ruse ndaj protestave si shumë më të butë sesa disa veprime policore kundër demonstruesve në vendet perëndimore. Ministri Lavrov tha se ai do t’i paraqesë shefit të politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell videot përkatëse për t’ia provuar këtë, kur ky të vizitojë Moskën këtë javë.

Më shumë se 1,400 njerëz u arrestuan të martën vonë dhe brenda natës, duke përfshirë 1,170 në Moskë dhe më shumë se 250 në Shën Pjetërburg, kur demonstruesit dolën në rrugë për të protestuar ndaj urdhrit të gjykatës për burgimin e Navalnit, sipas grupit të pavarur OVD-INFO që dokumenton arrestimet.

Policia rrahu me egërsi shumë protestues paqësorë dhe përdori pajisjet me elektroshok kundër disave, në një demonstrim force që me sa duket synonte të frikësonte opozitën.

I pyetur në lidhje me dhunën policore, zëdhënësi Peskov u tha gazetarëve se protestat pa leje kërkojnë veprimin e ashpër të policisë.

Goditja e Moskës dhe reagimi i SHBA

Goditja nga Moska e protestave në mbështetje të udhëheqësit të opozitës Aleksei Navalni vazhdoi të martën, pas vendimit të një gjykate ruse që e dënoi atë me 3 vjet e gjysmë burgim.

Megjithëse i uli 10 muajt që kishte kaluar më parë në arrest shtëpie, gjykata deklaroi se Navalni kishte shkelur dënimin me kusht kur ishte në Gjermani për t’u shëruar nga helmimi me agjent nervor. Navalni thotë se helmimi ishte një përpjekje e autoriteteve ruse për ta vrarë.

Kremlini i ka mohuar këto pretendime, por zyrtarët amerikanë thonë se çështja po shqyrtohet me ngut dhe se mund të ndërmerren veprime, pas një analize të hollësishme të aktiviteteve të Moskës në dritën e të dhënave të zbulimit.

"Ne do të shohim me shumë kujdes situatën e rënduar të të drejtave të njeriut në Rusi, sidomos po shohim se çfarë ndodhi me zotin Navalni, si u bënë arrestimet në masë të atyre që dolën me guxim në rrugë pas arrestimit të tij, dhe natyrisht do t’i kemi parasysh të gjitha këto kur të vendosim për kursin e duhur politik,” tha Ned Price, zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Por ndërsa Uashingtoni po shqyrton kundërpërgjigjen e mundshme, mbështetësit e kritikut të burgosur të Kremlinit po i kërkojnë Perëndimit të vendosë sanksione ndaj rrethit të ngushtë të Putinit.

“Kjo është e domosdoshme, sepse vërtet ato mund të mos i ndryshojnë llogaritjet e Kremlinit, por nga ana tjetër, nëse Perëndimi nuk bën asgjë, kjo do të nënkuptonte se ne thjesht ankohemi publikisht, por në fakt nuk na intereson se çfarë bëni ju brenda kufijve tuaj,” thotë për Zërin e Amerikës profesor Mark Galeotti në Kolegjin Universitar të Londrës.

Dënimi i Navalnit ka të bëjë me një çështje mashtrimi financiar të vitit 2014, që Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e ka deklaruar të paligjshme dhe të motivuar politikisht. Burgosja e Navalnit, thonë ekspertët, mund të rezultojë në një përpjekje të kotë për të dobësuar ndikimin e tij.

“Kur e arrestuan, ai kishte publikuar videon për pallatin e Putinit, prandaj nuk kam asnjë dyshim se ai dhe organizata e tij ishin të përgatitura për dënimin e tij me tre vjet e gjysmë burg,” tha John Herbst, i Këshillit të Atlantikut.

Arrestimi i Navalnit pas kthimit në Rusi bëri që mijëra njerëz të dilnin në rrugë – demonstrimi më i madh i pakënaqësisë në Rusi prej shumë vitesh. Ekspertët thonë se dënimi i tij mund ta rrisë forcën e kësaj lëvizjeje./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat