Triumfi i Kombit/Shqipëria dhe Kosova duhet të çlirohen nga diktatura e krimit dhe e korrupsionit

Opinione

Triumfi i Kombit/Shqipëria dhe Kosova duhet të çlirohen nga diktatura e krimit dhe e korrupsionit

Nga: Skënder Kapiti Më: 19 nëntor 2026 Në ora: 11:52
Skënder Kapiti

Diktaturë do të thotë shfrytëzim i pakufishëm i fuqisë nga dikush, nga një grup individësh të veshur me pushtet shtetëror. Realisht, në Shqipëri, ky grup i fuqishëm janë politikanët, establishmenti politik i kriminalizuar dhe i korruptuar, së bashku me sistemin e drejtësisë, të cilët përbëjnë oligarkomafinë si antivlerën më të madhe të kësaj pseudodemokracie traumatizuese të këtij tranzicioni. Kërcënimi më i madh për demokracinë dhe shtetin shqiptar vjen nga korrupsioni dhe manipulimi i drejtësisë, kapja e saj nga politika dhe nga krimi.

Kjo e falimenton demokracinë dhe instalon në sistem një diktaturë të elitës politike të papërgjegjshme, të kriminalizuar, të pandëshkueshme, abuzive, tradhtare dhe spekulatore të madhe në Shqipëri gjatë këtij tranzicioni. Pas çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës nga kolonizatori barbar serb, fatkeqësisht edhe Kosova mori modelin dhe shembullin nga Shqipëria, atë të sistemit politik të padrejtësisë, të interesit personal mbi atë kombëtar, të papërgjegjshmërisë dhe të kapjes së drejtësisë, të kriminalizimit dhe të korrupsionit politik.

Autori kryesor i montimit të kësaj neodiktature të krimit dhe të korrupsionit është Sali Berisha.

Në vitin 1992, senatori dhe avokati i madh i çështjes shqiptare, Xhozef Dioguardi, iu lut Sali Berishës që të ndërtonte në Shqipëri një drejtësi si ajo amerikane, por Berisha bëri të kundërtën: ai kapi edhe politikën, edhe drejtësinë. Si pasojë, u instalua në Shqipëri një sistem katastrofik i drejtësisë politike, i kriminalizuar dhe i tejkorruptuar, gjë që e mbajti Shqipërinë shumë larg drejtësisë, të paqëndrueshme politikisht, të paaftë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin e lartë institucional. E mbajti peng Shqipërinë, të pazhvilluar demokratikisht dhe larg integrimit në BE për rreth 27 vjet.

Por kështu, mjerisht, ndodhi edhe me Kosovën. Ashtu sikurse Shqipëria, e cila prej 27 vjetësh pas vetërënies së komunizmit kaloi dhe ra në sistemin pseudodemokratik, në atë të një diktature të re të regjimit politik pluralist, të diktaturës së krimit dhe të korrupsionit, po kjo gjë ndodhi edhe në Kosovë.

Edhe Kosova, pavarësisht investimit të jashtëzakonshëm dhe vendimtar të SHBA-ve për çlirimin dhe pavarësimin e saj dhe për shtetndërtimin e Kosovës, politika dhe politikanët e Kosovës nuk u treguan mirënjohës ndaj SHBA-ve, rolit, ndihmës dhe sinqeritetit të saj. Ata as nuk morën përvojën e SHBA-ve për Kushtetutën, ligjin dhe shtetndërtimin modern të Kosovës, por morën atë të politikës së Tiranës. Rezultati është ky i sotmi dhe i deritanishmi, në vitin 2018, kur edhe Kosova, ashtu si Shqipëria, ka mungesën dhe deficitin më të lartë në Evropë për ligjzbatimin, efikasitetin në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, shtetin ligjor dhe demokracinë.

Ky është fakt dhe e vërtetë, gjë për të cilën konstaton, ankohet dhe akuzon qytetari shqiptar, si dhe diplomacia dhe institucionet demokratike të SHBA-ve dhe BE-së.

Ato, sidomos SHBA-të, si aleati më i madh i shqiptarëve, gjithnjë dhe pandërprerë u kërkojnë si Shqipërisë, ashtu edhe Kosovës që të realizojnë të njëjtat “detyra shtëpie”: luftë kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit; kërkojnë dhe urdhërojnë: ndërtoni shtetin ligjor, dekriminalizoni politikën dhe drejtësinë! Porosisin politikën dhe politikanët shqiptarë: interesohuni për interesin kombëtar dhe atë publik, për zhvillimin e demokracisë dhe për integrimin, e jo vetëm për interesa personale e klanore të pushtetit dhe të parasë!

Ky realitet i ka mbajtur peng të dy shtetet shqiptare; i ka mbajtur ato në një gjendje amullie, paqëndrueshmërie politike, mosbesimi te qytetarët dhe te ndërkombëtarët, si vende ku sundojnë regjimet politiko-korruptive, të kriminalizuara, hajdutokrate dhe autokratike.

Pse kërkohet që në Kosovë të çmontohet ky sistem i kriminalizuar dhe i korruptuar?

Kjo sepse gjendja në Kosovë është si në Shqipëri. Kjo diktaturë është diktaturë e krimit dhe e korrupsionit, sepse sillet si diktat i “elitës” politike mbi drejtësinë, shtetin, shoqërinë dhe individin; sillet si një diktat imponues e detyrues që vjen prej regjimit oligarko-kriminal, i cili është në majë të sistemit. Sillet si një sundim antisistem, i fortë dhe i pasfidueshëm. Kjo diktaturë e krimit dhe e korrupsionit funksionon si një korporatokraci monopoliste që ka gllabëruar gjithçka, që bën çfarë dëshiron dhe nuk pyet për asgjë e për askënd; një klanokraci korporative, e cila bën vetëgjyqësi dhe nuk përgjigjet as para ligjit, as para Kushtetutës dhe as para votuesve, pra, as para demokracisë.

Kjo diktaturë libertariane e krimit dhe e korrupsionit politik në Shqipëri, e cila u modelua edhe në Kosovë, ka ardhur sepse politika, drejtësia dhe pushteti i keq dhe i lig e degraduan demokracinë dhe vlerat e saj.

Pikërisht ata të cilët e kanë montuar këtë diktaturë janë, në mënyrë amorale, po ata që spekulojnë, hipokrizojnë dhe manipulojnë me ligjet, me shtetin dhe me shoqërinë. Prandaj, SHBA-të dhe BE-ja, nisur nga këto fakte dhe nga ky realitet i rëndë, bënë presion dhe ia imponuan politikës në Shqipëri miratimin e ligjit të VETTING-ut, pasi krimi dhe korrupsioni në Shqipëri e kishin atrofizuar dhe paralizuar shtetin, shoqërinë dhe demokracinë.

Dhe tani, pas kësaj, duket se VETTING-u po jep rezultate dhe në Shqipëri ka filluar çmontimi i kësaj diktature politike të krimit dhe të korrupsionit, gjë e cila duhet të ndodhë patjetër edhe në Kosovë.

Duhet të shembet kjo diktaturë, e cila nuk është e interesuar as për zhvillimin, as për progresin, as për mirëqenien e popullit; as për ligjin dhe as për demokracinë; as për mirëfunksionimin e shoqërisë dhe as për integrimin.

Kjo lloj diktature e krimit dhe e korrupsionit e ka privatizuar dhe manipuluar edhe ekonominë, dhe ekonominë e kanë në dorë po kjo mafio-politikë dhe mafio-drejtësi që është lart, në majë të sistemit.

Kjo diktaturë e krimit dhe e korrupsionit po shkatërron edhe humanizmin, edhe shpresën, edhe patriotizmin, dhe vetëm sa detyron e largon shqiptarët nga atdheu.

Kjo sepse kjo diktaturë ka forcën shkatërrimtare të korrupsionit, krimit, vjedhjes, hajdutërisë dhe parasë së pistë. Kjo diktaturë e kësaj kastokracie është shumë grabitqare dhe lakmitare, grabitqare e madhe, aq sa nuk mund të krahasohet as me shtazët më të egra të botës shtazore.

Prandaj, kjo elitë, kjo kastokraci dhe kjo diktaturë e tyre duhet të çmontohet nga politika, nga drejtësia dhe nga pushteti, gjë e cila do të ndodhë falë ndërhyrjes dhe ndihmës së SHBA-ve.

Shënim:

Shembjen e sistemit diktatorial të korrupsionit dhe krimit, që unë e kërkoja para tetë vitesh, këtë gjë po e kërkojnë sot rinia patriotike studentore, e cila proteston prej afro gjashtë muajsh pandërprerë. Protestat kërkojnë largimin dhe ndëshkimin e politikës së vjetër të krimit, hajdutërisë, vjedhjes dhe grabitjes së pasurive kombëtare; kërkojnë largimin e elitës së vjetër politike që ka nxjerrë në shitje pasuritë dhe trojet shqiptare; kërkojnë shembjen e këtij regjimi korruptiv të eksodit, hajnisë, papunësisë dhe varfërisë.

Ndërsa në Kosovë, regjimin kriminal të korrupsionit, hajnisë, tradhtisë dhe të pazareve me territorin dhe trojet shqiptare, regjimin e vjedhjes dhe të grabitjes së tyre dhe të parasë publike, populli i Kosovës, me votë të lirë, pas vitit 2018, e çmontoi nga pushteti politikën antihumane, të tradhtisë dhe hajdute të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.

Në Shqipëri pritej që sistemin e korrupsionit ta ndëshkonte SPAK-u, Drejtësia e Re, por fatkeqësisht SPAK-u po vepron me hapin e breshkës dhe në mënyrë selektive, ndërsa ende nuk është depolitizuar. Është mjerane gjendja se si është katandisur Partia Demokratike, e cila më shumë po sillet si patericë dhe patronazhistë e qeverisë dhe mjaftohet me ndonjë deklaratë në foltoren e godinës së PD-së apo në ndonjë ekran televizioni të kryetarit të saj.

Ku është parë një opozitë e tillë që nuk është askund, as në Tiranë e as në qarqet e tjera, kur qeveria e sotme është përfshirë dhe e zhytur e tëra në korrupsion, vjedhje, zullum dhe tradhti? PD-ja sot është një shoqatë apo grup interesi i deputetëve të saj, të cilët janë të kënaqur me favoret e mandatit të deputetit dhe të sahanlëpirjes ndaj pushtetit. Prej servilizmit të tyre, deputetët servilë të kryetarit të PD-së kanë përfituar poste dhe detyra në administratë për të afërmit dhe familjarët e tyre. Ata bëjnë bashkëkorrupsion me qeverinë dhe kanë siguruar pozita për njerëzit e tyre.

Prandaj, nuk ka se çfarë i duhet pushteti elitës politike të PD-së, e cila bashkëqeveris në korrupsion me pushtetin.

Shqipërinë, shpresa për çlirimin e saj nga diktatura e korrupsionit, krimit, hajnisë dhe tradhtisë është te protestat patriotike të rinisë studentore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat