Miley Cyrus po bëhet gati për ditën e madhe. Sipas portalit amerikan TMZ, këngëtarja 33-vjeçare do të martohet këtë fundjavë me të fejuarin e saj, muzikantin Maxx Morando, në një ceremoni në Kaliforninë Jugore.
Burime me njohuri të drejtpërdrejta i kanë thënë mediumit se çifti po përgatitet për dasmën, por detajet e ceremonisë, nga lista e të ftuarve deri te vendi i saktë, mbahen ende larg syve të publikut. Lajmi vjen nga burime anonime, ndaj mbetet të shihet nëse çifti do ta ndajë vetë momentin me fansat, transmeton "Bota sot".
Ylli i “Flowers” duket se kishte dhënë sinjale. Muajin e kaluar, gjatë koncertit në Hollywood Bowl, ajo e ftoi Maxx-in në skenë për të kënduar së bashku këngën e tyre “Let’s Get Married”, një moment që TMZ e sheh tani si aluzion për dasmën.
Miley dhe Maxx, 28 vjeç, u lidhën për herë të parë në nëntor të vitit 2021, kur u panë bashkë në sfilatën Love Parade të Gucci-t, ndërsa lidhja e tyre u konfirmua një vit më vonë. Fejesën këngëtarja e bëri publike në dhjetor të vitit 2025, duke treguar më vonë se propozimi e kishte zënë krejtësisht në befasi.
Për Miley-n kjo do të jetë martesa e dytë. Ajo ishte e martuar me aktorin australian Liam Hemsworth, me të cilin u kurorëzua në dhjetor të vitit 2018, por çifti u nda pas vetëm shtatë muajsh dhe divorci u finalizua në janar të vitit 2020.