Zgjedhja e Aleksandar Čupićit në krye të Kuvendit Popullor të Serbisë, më 19 nëntor 2026, përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm në konfigurimin e ri politik të vendit.
Për herë të parë pas një periudhe të gjatë dominimi të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), në krye të institucionit më të lartë ligjvënës vjen një përfaqësues i Listës Studentore.
Čupić u zgjodh me 140 vota, kundrejt 97 votave për kandidatin kundërshtar, Stojan Radenović.
Por çfarë përfaqëson realisht ky ndryshim dhe, mbi të gjitha, çfarë mund të presin shqiptarët e Luginës së Preshevës?
Aleksandar Çupiq, i lindur më 1978 në Prokuplë, është docent në Fakultetin e Komunikacionit të Universitetit të Beogradit. Ai ka doktoruar në vitin 2014 dhe ka ndërtuar një karrierë akademike në fushën e komunikacionit postar, logjistikës dhe optimizimit të sistemeve transportuese.
Përveç angazhimit akademik, ai jeton me familjen në Sopot, ku merret edhe me bujqësi organike. Është baba i gjashtë fëmijëve.
Emri i tij u bë i njohur publikisht gjatë protestave studentore, sidomos në shkurt të vitit 2025, kur së bashku me familjen organizoi strehimin e studentëve që marshonin drejt Kragujevcit.
Ky veprim e bëri atë një nga figurat e identifikuara me solidaritetin qytetar dhe mbështetjen e lëvizjes studentore.
KUVENDI I RI DHE SFIDA E DEMOKRATIZIMIT TË SERBISË
Zgjedhja e Čupićit duhet parë në kontekstin e ndryshimeve politike të shkaktuara nga protestat studentore dhe rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit 2026.
Megjithatë, ndërrimi i udhëheqjes së Kuvendit nuk nënkupton automatikisht demokratizimin e plotë të shtetit!
Sfida kryesore është rikthimi i funksionimit normal të institucioneve, ndarja reale e pushteteve, kontrolli parlamentar mbi ekzekutivin dhe luftimi i korrupsionit.
Në këtë drejtim, deklaratat e Çupiqit për “rikthimin e dinjitetit të Kuvendit, dialogun dhe tolerancën politike”, janë premtime pozitive.
Por ato duhet të dëshmohen përmes praktikës parlamentare!
SHQIPTARËT E LUGINËS – PROVA E PARË E POLITIKËS SË RE
Për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, ndryshimi i përbërjes politike në Beograd krijon një mundësi të re për të kërkuar zgjidhjen e problemeve të tyre të grumbulluara ndër vite.
Kjo nuk duhet të mbetet vetëm çështje e deklaratave politike apo e kontakteve protokollare.
Përfaqësuesit shqiptarë duhet të kërkojnë një dialog institucional, të strukturuar dhe me agjendë të qartë.
Ndër çështjet prioritare duhet të jenë:
1. Pasivizimi i adresave – ndalimi i praktikave diskriminuese dhe rishikimi i rasteve të qytetarëve shqiptarë që kanë humbur vendbanimin e regjistruar.
2. Integrimi institucional – përfaqësimi proporcional i shqiptarëve në organet shtetërore, policinë, gjyqësorin dhe administratën publike.
3. Diplomat e arsimit – njohja e diplomave të fituara në Kosovë dhe Shqipëri.
4. Zhvillimi ekonomik – investimet publike, infrastruktura, punësimi dhe mbështetja e ndërmarrjeve lokale.
5. Të drejtat gjuhësore dhe kulturore – zbatimi i plotë i të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe ligjet e Serbisë.
6. Siguria dhe barazia qytetare – eliminimi i diskriminimit institucional dhe trajtimi i barabartë i shqiptarëve në të gjitha nivelet e shoqërisë.
Në këtë konfigurim të ri politik, një rol të veçantë ka deputeti shqiptar me përvojë, Shaip Kamberi.
Ai duhet ta shfrytëzojë pozitën e tij parlamentare për të vendosur kontakte të drejtpërdrejta me kryetarin e ri të Kuvendit dhe përfaqësuesit e shumicës së re parlamentare
Por kjo kërkon një qasje më të organizuar dhe më këmbëngulëse sesa diplomacia e zakonshme parlamentare.
Nuk mjafton vetëm të kërkohet mirëkuptim politik. Duhet të parashtrohen kërkesa konkrete, të dokumentohen rastet e diskriminimit dhe të kërkohet përgjegjësi institucionale për moszbatimin e ligjeve.
Gjithashtu, përfaqësuesit politikë shqiptarë duhet të veprojnë me koordinim të përbashkët, duke shmangur fragmentimin partiak dhe rivalitetet personale.
A DO TË NDRYSHOJË POLITIKA E BEOGRADIT NDAJ SHQIPTARËVE?
Kjo është pyetja themelore!
Duhet të jemi realistë: zgjedhja e një kryetari të ri të Kuvendit nuk do të thotë domosdoshmërisht se Serbia do ta ndryshojë menjëherë politikën e saj ndaj Kosovës dhe shqiptarëve të Luginës.
Čupić është kryetar i Kuvendit, jo kryetar i Qeverisë dhe as bartës i vetëm i politikës shtetërore.
Megjithatë, Kuvendi ka kompetenca të rëndësishme legjislative dhe mbikëqyrëse. Përmes tij mund të hapen debatet për diskriminimin, të drejtat e pakicave, zhvillimin ekonomik dhe përgjegjësinë e institucioneve shtetërore.
Prandaj, një Kuvend më demokratik dhe më funksional mund të krijojë hapësirë të re për avancimin e pozitës së shqiptarëve.
Shqiptarët e Luginës nuk duhet ta shohin ndryshimin politik në Serbi as me entuziazëm të tepruar, as me skepticizëm të parakohshëm.
Qasja më e drejtë është një politikë e matur, pragmatike dhe e orientuar drejt interesave konkrete të qytetarëve.
Lista Studentore ka ardhur në skenën politike me premtime për ndryshime, përgjegjësi institucionale dhe luftë kundër korrupsionit. Këto premtime duhet të testohen edhe në raport me pakicat kombëtare.
Nëse Serbia e re politike dëshiron të dëshmojë se është vërtet demokratike, atëherë duhet të tregojë se demokracia nuk matet vetëm me mënyrën se si trajtohet shumica, por edhe me respektimin e të drejtave të pakicave.
PËRFUNDIM
Zgjedhja e Aleksandar Çupiqit mund të shënojë fillimin e një kapitulli të ri në jetën parlamentare të Serbisë.
Por rëndësia e këtij ndryshimi nuk do të matet me emrat e rinj në institucionet shtetërore, as me deklaratat për demokraci dhe tolerancë.
Ajo do të matet me rezultatet konkrete!
Për shqiptarët e Luginës së Preshevës, ky është momenti që të kalojnë nga pritja pasive në një diplomaci parlamentare më aktive, të koordinuar dhe të argumentuar.
Beogradi i ri duhet të dëshmojë se është i gatshëm të ndërtojë marrëdhënie të reja me shqiptarët, mbi bazën e barazisë, respektimit të të drejtave dhe përgjegjësisë institucionale.
Sepse shqiptarët nuk kanë nevojë për premtime të reja politike, por për zgjidhje të problemeve të vjetra!
Preshevë, më 19 nëntor 2026