Universitetet shqiptare mes inflacionit të titujve dhe varfërisë së mendimit kritik

Opinione

Universitetet shqiptare mes inflacionit të titujve dhe varfërisë së mendimit kritik

Nga: Nijazi Halili Më: 20 nëntor 2026 Në ora: 11:12
Nijazi Halili

Universitetet shqiptare sot duhet t’i bëjnë vetes një pyetje thelbësore, a po prodhojnë dije, shkencë dhe intelektualë, apo thjesht po shtojnë numrin e njerëzve me tituj akademikë?

Në disa universitete shqiptare, duket se kemi hyrë në një garë të çuditshme, ku titulli akademik është bërë më i rëndësishëm se vepra, funksioni më i rëndësishëm se përgjegjësia, ndërsa fotografia në konferenca ndërkombëtare më e rëndësishme se vetë kontributi shkencor. Kemi profesorë që prezantohen me një varg titujsh, por jo gjithmonë me një varg idesh origjinale. Kemi drejtues institucionesh që dinë të organizojnë ceremoni, promovime dhe konferenca, por pyetja mbetet, çfarë gjurme shkencore po lënë pas?

Universiteti nuk është ndërtesë ku shpërndahen tituj, as skenë ku individët ndërtojnë imazhin e tyre publik. Universiteti është institucion që duhet të prodhojë mendim kritik, kërkim shkencor, dije të verifikueshme dhe kuadro të afta për t'i shërbyer shoqërisë. Kur këto misione zëvendësohen me interesa personale, marrëdhënie të mbyllura institucionale dhe promovime ceremoniale, universiteti rrezikon ta humbasë arsyen e ekzistencës së tij.

Një tjetër paradoks shqetësues është mënyra se si në disa mjedise universitare vlerësohet individi, ndonjëherë duket se rëndësi ka më shumë se kë njeh, në cilën fotografi shfaqesh, cilën pozitë mban dhe kush të përmend në një ceremoni, sesa çfarë ke hulumtuar, shkruar dhe publikuar. Në këtë logjikë, promovimi i një libri mund të jetë më i rëndësishëm se leximi i tij, ndërsa duartrokitja mund të zëvendësojë debatin shkencor.

Po edhe më shqetësuese bëhet gjendja kur kritika akademike interpretohet si armiqësi personale, universiteti që nuk e duron pyetjen, nuk mund të pretendojë se edukon mendimin kritik. Profesori që nuk pranon të sfidohet me argumente, duhet të pyesë veten nëse po mbron shkencën apo vetëm autoritetin e vet institucional. Ndërsa rektori që mat suksesin vetëm me aktivitete protokollare, duhet të tregojë se çfarë ka ndryshuar në cilësinë e kërkimit, mësimdhënies dhe jetës universitare.

Nuk duhet harruar se pasojat më të mëdha i bartin studentët. Ata nuk kanë nevojë për profesorë që vetëm ua diktojnë tekstet, por për pedagogë që i mësojnë të analizojnë, të kundërshtojnë, të hulumtojnë dhe të ndërtojnë argumente. Një diplomë pa dije është vetëm një dokument, ndërsa një universitet pa kulturë kritike është vetëm një institucion me emër të madh dhe mision të cunguar.

Natyrisht, në hapësirat tona universitare ka profesorë dhe studiues seriozë, të cilët punojnë me përkushtim dhe shpesh pa mbështetjen e duhur institucionale. Pikërisht për hir të tyre duhet të kërkohet ndarja e qartë ndërmjet meritës shkencore dhe privilegjit institucional.

Universitetet shqiptare kanë nevojë për transparencë në zgjedhjet akademike, komisione të pavarura, kritere të matshme, publikime cilësore dhe përgjegjësi të drejtuesve. Titujt duhet të jenë rezultat i punës shkencore, jo dekor i karrierës institucionale.

Për fund, një pyetje për drejtuesit e universiteteve tona,  nëse nesër hiqen titujt, funksionet, fotografitë dhe ceremonitë, çfarë mbetet nga autoriteti juaj shkencor?

Sepse universitetet nuk kanë krizë nga mungesa e titujve, por rrezikojnë të kenë krizë nga mungesa e dijes që duhet t'i justifikojë ata. Titulli mund ta zbukurojë emrin, por vetëm vepra e bën të respektuar autorin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat