Suedia: Mos u alarmoni nga Delta

Evropë

Suedia: Mos u alarmoni nga Delta

Më: 1 gusht 2021 Në ora: 15:10
Foto ilustrim

Suedia vijon të ndjekë të njëjtën linjë për menaxhimin e pandemisë edhe nën qarkullimin e shtuar të variantit Delta. Ndryshe nga vendet e tjera të botës që po rikthejnë një pjesë të masave, mes tyre edhe mbajtjen e maskës, për autoritetet shëndetësore suedeze, alarmi është krejtësisht i panevojshëm. Shefi i epidemiologjise Anders Tegnell shprehet se duhen më shumë të dhëna përpara se të flitet për rrezikshmërinë e variantit indian.

ANDERS TEGNELL

SHEFI I EPIDEMIOLOGJISE

“Ende nuk e njohim llojin Delta, ka shumë gjëra që nuk i dimë, prandaj nuk mund të nxitojmë në nxjerrjen e përfundimeve, dhe as në rikthimin e masave. Ky variant ka qarkulluar në Suedi për një kohë të gjatë, me pak efekt, veçanërisht në mjedise me rrezik të lartë siç janë shtëpitë e të moshuarve.”

Duke komentuar të dhënat e publikuara nga Qëndrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve që sugjeronin se lloji Delta është më i transmetueshëm dhe potencialisht mund të shkaktojë sëmundje më të rënda, Tegnell shton se krahasimi i këtij mutacioni me linë e dhenve, është i nxituar.

“Është e vështirë të thuhet se sa ngjitëse është Delta. Kur është fjala për linë e dhenve, ne kemi qenë në gjendje ta ndjekim sëmundjen për disa vjet. Infektiviteti i variantit Delta, duket të jetë shumë i pabarabartë. Në disa raste, një person infekton njëqind njerëz, pastaj kemi raste të tjera kur një person i infektuar nuk infekton askënd.”

Agjencia suedeze e shëndetit publik rekomandon distancimin fizik dhe vaksinimin, sidomos tek të rinjtë. Qasja më pak drakoniane e Suedisë ndaj krizës shëndetësore duket se po jep rezultat. Vendi skandinav ka regjistruar gjithsej tetë vdekje të lidhura me Covid 19, gjatë muajit korrik dhe asnjë shtrim në spital. Ndërkohë, rastet e përditshme të infeksionit, kanë rënë ndjeshëm që nga mujai prill.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat