Fundi i mashtrimit të institucionalizuar në Çeki

Evropë

Fundi i mashtrimit të institucionalizuar në Çeki

Më: 11 tetor 2021 Në ora: 13:33
Andrej Babis

Në zgjedhjet parlamentare në Çeki shumica votoi për një fillim të ri demokratik, por ky nuk ka për të qenë i lehtë. Megjithatë rezultati i zgjedhjeve në Çeki është sinjal i rëndësishëm për Europën, mendon Keno Verseck

Zgjedhje vendimtare, zgjedhje mes Perëndimit dhe Lindjes, zgjedhje për rikthimin e Çekisë në një Europë demokratike apo kalimin përfundimtar në drejtim të Hungarisë së Orbanit, në kllapën e hekurt mes Rusisë dhe Kinës - tone të tilla si thirrjet e Kasandrës nuk i kursyen analistët liberalë çekë para zgjedhjeve. Të gjithë ata që i trembeshin më së keqes në Çeki mund të marrin tani frymë lirisht. Çdo gjë rrodhi ndryshe nga parashikimet e sondazheve. Kryeministri i kontestuar çek, Andrej Babis dhe partia e tij ANO humbën zgjedhjet për Dhomën e Deputetëve, dhoma vendimtare e parlamentit çek.

Miliarderi Babis prej vitesh e ka mbajtur në tension Çekinë me aferat e vazhdueshme, konfliktet e interesit, gënjeshtrat dhe stilin demagogjik. Vetëm para pak ditësh u bë e ditur në të ashtuquajturat "Pandore Papers" se si ai përpiqej me truke mashtruese tek firmat offshore dhe madje dyshohet edhe për larje parash. Tani Republika e Çekisë me fjalët e drejtuesit liberal-konservator të opozitës, Petr Fiala ka vendosur për ndryshimin. Për dhënien fund të politikës së mashtrimit institucional për një fillim të ri drejt ndershmërisë, transparencës dhe demokracisë së besueshme.

Image
Presidenti Milos Zeman ndodhet i shtruar në spital nga e diela, kjo mund të shtyjë krijimin e qeverisë në Çeki

Po nuk ka për të qenë i lehtë ky fillim i ri. Babis ka bërë të ditur, se ai do të tërhiqet nga politika, nëse i humb zgjedhjet, realisht ai nuk e mendon këtë. Sepse Babis ka një aleat të fuqishëm, që e ndihmon në rrugën e tij: presidentin e vendit, Milos Zeman, dikur një kundërshtar i denjë kundër diktaturës komuniste dhe socialdemokrat i nderuar; ndërkohë një mik i Rusisë dhe Kinës, tolerues i një partie ekstremiste çeke dhe urrejtës i hapur i gazetarisë së pavarur. Zeman mund t'ia japë Babisit detyrën e krijimit të qeverisë, i cili do të përpiqet të shkëpusë parti të veçanta nga dy aleancat opozitare, Spolu apo Piraten/STAN, që nga ana numerike kanë shumicën. Të dyja aleancat kanë bërë të ditur, se e përjashtojnë bashkëpunimin me Babis kategorikisht, po me ndihmën e Zemanit, Babis mund të qeverisë me muaj. Nëse kjo bëhet realitet, Zeman, krahas Babis do të dalë edhe njëherë si një e keqe tragjike e demokracisë çeke. (E akt. Nga e diela, presidenti çek, Milos Zeman ndodhet i shtruar në spital, gjë që mund të ketë pasoja në dhënien e mandatit për krijimin e qeverisë. Shën.red.)

Image
Peter Fiala, kreu i aleancës opozitare, Spolu

Pavarësisht nga kjo, rezultati i zgjedhjeve parlamentare në Çeki është një lajm i mirë për Europën demokratike. Do të ishte herët të bëhej fjalë për fundin e një epoke në Europën Lindore e Juglindore, së cilës i vihet etiketa e populizmit, po që në të vërtetë është një ngrehinë ideologjike e autoritarizmit të korruptuar dhe demagogjisë nacionaliste. Gjithnjë e më shumë njerëz në rajon nuk duan t'i dëgjojnë më premtimet e gënjeshtërta të autokratëve si Kaczynski, Orban dhe Vuçiq dhe u ka ardhur në majë të hundës arbitrariteti politik, mungesa e transparencës, korrupsioni, keqqeverisja dhe mungesa e perspektivave jetësore. Si tani edhe në Çeki.

Kjo duhet ta bëjë të mendohet Berlinin, Parisin dhe Brukselin. Për një kohë të gjatë aty kanë qenë shumë hezitues dhe të duruar me Viktor Orbanin dhe Andrej Babisin ose kanë lejuar t'ua hedhin. Në Republikën e Çekisë shumica e votuesve vendosën: Mjaft më me këtë!/DW

Image
Analizë e Keno Verseck
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat