James Blunt, nga albumi më i keq i vitit te çmimi Ikona i Rolling Stone

Bota e Yjeve

James Blunt, nga albumi më i keq i vitit te çmimi Ikona i Rolling Stone

Nga: Bota sot Më: 20 nëntor 2026 Në ora: 16:03
James Blunt pozon në tapetin e kuq të Rolling Stone UK Awards në Roundhouse.

James Blunt e ktheu ndarjen e çmimeve Rolling Stone UK Awards në një shfaqje humori. Këngëtari britanik u nderua me çmimin "Icon" në Londër, por u ngjit në skenë duke e vënë në lojë vetë titullin e ikonës.

Ceremonia u mbajt të enjten në mbrëmje në sallën e njohur Roundhouse, me prezantues aktorin Danny Dyer, për të dytin vit radhazi. Sipas BANG Showbiz, 52-vjeçari e nisi fjalimin duke treguar se dikush nga revista i kishte thënë në fillim të mbrëmjes që nuk ekziston muzikë e keqe, duke lënë të kuptohej me ironi se prania e tij në skenë e vinte në provë këtë teori.

Duke treguar nga Danny Dyer, Blunt tha se ikona e vërtetë ishte prezantuesi. "E di që tani jam thjesht një meme e internetit", pranoi ai. Këngëtari i You're Beautiful e rrëfeu rrugëtimin e tij me autoironi: ëndërroi të bëhej yll rocku dhe të dilte në faqet e Rolling Stone, por u etiketua si këngëtar i një hiti të vetëm, më pas u bë mbretëresha e Twitterit dhe në fund një humbës i hidhëruar në vendin e dytë të The Traitors.

Image
James Blunt në skenën e Roundhouse

Ai u dha edhe një këshillë artistëve të rinj: nëse qëndron mjaftueshëm gjatë në këtë industri, në fund do të të japin një çmim. Blunt u krahasua me rockstarin e moshuar që luan Bill Nighy te filmi Love Actually dhe kujtoi se në vitin 2006 revista NME ia kishte shpallur albumin më të keqin e vitit, para se ta mbyllte fjalimin me një parafrazim të famshëm të jetës së rokut, ku në vend të muzikës së zhurmshme vendosi baladat e tij të ëmbla.

Blunt, i cili së fundmi e ndryshoi me shaka emrin në Ryan Bel Air, pas një premtimi që lidhej me ngjitjen e këngës Airplane Mode në vendin e parë, nuk ishte i vetmi fitues i mbrëmjes. Reperi Giggs mori çmimin Trailblazer, Rachel Chinouriri u shpall artistja e vitit, Wolf Alice fitoi si grupi më i mirë, ndërsa Saturday Night Live UK u nderua si programi televiziv i vitit. Sonte këngëtari pritet të dalë sërish në skenë, në Royal Variety Performance në Royal Albert Hall.

Image
Aktori Danny Dyer në Rolling Stone UK Awards 2026.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat