Sa po i kushton Evropës ndotja e ajrit?

Evropë

Sa po i kushton Evropës ndotja e ajrit?

Më: 16 tetor 2021 Në ora: 18:50
Foto ilustrim

Sa na kushton në aspektin ekonomik ndotja e ajrit, e shkaktuar nga aktivitetet e njeriut? Një studim i Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA), vlerëson se bazuar në të dhënat e emetimeve të mbledhura nga Regjistri Evropian të Emetimit dhe Transferimit të Ndotësve (E-PRTR), kostot sociale të ndotjes së ajrit janë ende jashtëzakonisht të larta, pavarësisht përpjekjeve të ndërmarra për t’i reduktuar emetimet në atmosferë.

Në total, vlerësohet se ndotja e ajrit dhe gazrat serë të emetuara nga vendet e mëdha industriale në Evropë, i kanë kushtuar shoqërisë 277 deri në 433 miliardë euro. Kjo është e barabartë me rreth 2-3 për qind të PBB-së së Bashkimit Evropian, dhe është më e lartë se PBB-ja e vitit 2017 (viti i marrë në konsideratë nga studimi) i shumë shteteve anëtare të veçanta.

Ajo që bie më shumë në sy është fakti se numri i strukturave më ndotëse, të cilat shkaktojnë kostot më të mëdha ekonomike, është relativisht i vogël:vetëm 211 site industriale, nga 11.655 të përfshira në raportin E-PRTR 2017, shkaktuan 50 për qind të kostove të lidhura me dëmet nga ndotësit kryesorë atmosferikë dhe gazrat serë.

Ndotësit vijnë kryesisht nga Gjermania, Britania, Polonia, Spanja dhe Italia. Ndotësit kryesorë të ajrit të ekzaminuar përfshijnë grimcat (PM2.5, PM10), dioksidin e squfurit (SO2), amoniakun (NH3), oksidet e azotit (NOX), dhe përbërësit organike të paqëndrueshëm jo-metanikë (NMVOC).

Tek metalet e rënda përfshihen arseniku, kadmiumi, kromi VI, plumbi, mërkuri dhe nikeli. Ndotësit organikë të studiuar përfshijnë butadienin, benzenin, formaldehidin, hidrokarburet aromatike policiklike (PAH) dhe dioksinat. Gazrat serë (GHG) të vlerësuara janë dioksidi i karbonit, metani dhe oksidi i azotit.

Ndotja më e rëndë lidhet me qymyrin

Termocentralet, kryesisht me qymyr, shkaktojnë problemet më të mëdha për shëndetin e njerëzve dhe mjedisin. 24 nga 30 strukturat më ndotëse janë termocentralet, ku 15 prej tyre janë të vendosura në Evropën Perëndimore dhe Veriore (7 vetëm në Gjermani), dhe 9 të tjera dhe në Evropën Lindore dhe atë Juglindore.

Ndërsa termocentrali më ndotës ndodhet në Poloni, 4 nga 5 në ndotësit kryesorë janë në Gjermani. Analiza e EEA merr në konsideratë sasitë dhe përhapjen e ndotësve të ndryshëm nga burimet e tyre industriale, efektet mbi shëndetin e njerëzve, ekosistemet, klimën dhe bujqësinë.

Si përhapet ndotja

Shumica e ndotësve thithen direkt përmes ajrit, dhe njerëzit që jetojnë në qytetet e mëdha apo rajone industriale, “përjetojnë” zakonisht më shumë ndotje sesa banorët e komuniteteve rurale. Për ndotësit e tjerë, siç janë metalet e rënda, rruga është më komplekse.

Ajo mund të ndodhë përmes thithjes së ajrit, por edhe me konsumimin e ushqimit dhe pijeve të ndotura. Përveç njerëzve, ndotja e ajrit dëmton gjithashtu bimët dhe kafshët, duke ndryshuar ciklet riprodhuese dhe tek e fundit edhe biodiversitetin. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat