Rreth 17.000 ndihmës afganë në Gjermani

Evropë

Rreth 17.000 ndihmës afganë në Gjermani

Më: 7 gusht 2022 Në ora: 12:23
Të shoqëruar nga Bundeswehri, forcat lokale afgane mbërrijnë në Hamburg

Të ashtuquajturat forcat ndihmëse lokale për ndërkombëtarët konsiderohen në qarqet afgane si tradhtarë. Ata mund të rrezikohen me jetë, nëse nuk largohen nga vendi.    

Që nga tërheqja e NATO-s nga Afganistani para gati një viti, Gjermania u ka premtuar ardhjen në Gjermani 23.614 forcave të terrenit dhe pjesëtarëve të familjeve. Por realisht kanë ardhur vetëm 17.556 vetë, sipas gazetës "Welt am Sonntag" të shtunën, e cila i referohet Zyrës Federale për Migracionin dhe Refugjatët, BAMF. Nga punonjësit ndihmës afganë kanë premtimin për ardhjen në Gjermani 5141 persona, 3756 kanë mbërritur ndërkohë në Gjermani. Numrin më të madh të të ardhurve e përbëjnë pjesëtarët e familjeve.

Në krahasim me vendet e tjera europiane, Gjermania ka pranuar më shumë forca afgane lokale që punuan për Gjermaninë. Në Britaninë e Madhe janë pranuar 10.100 vetë bashkë me familjet e tyre, shkruan gazeta gjermane duke iu referuar ambasadës britanike. Ministria e Jashtme italiane ka dhënë deri më tani 1218 viza "me vlefshmëri të kufizuar territoriale" për nënshtetas afganë, 278 vetë kanë ardhur në kuadër të korridoreve humanitare në Itali.

Image
Forcat lokale mbërrijnë në Brandenburg

Mësim për të ardhmen

Në fillim të korrikut filloi nga puna komisioni hetimor i Bundestagut për Afganistanin, i cili do të hedhë dritë mbi zhvillimet në verën e vitit 2021. Aty do të trajtohet edhe fati i forcave lokale, që presin të udhëtojnë në Gjermani.

Bundestagu ka vendosur edhe një komision Enquete që do të trajtojë nga ana shkencore bilancin e misionit prej 20 vjetësh në Afganistan me synim për të nxjerrë mësime për të ardhmen. Bundeswehri e braktisi Afganistanin në qershor 2021 shumë më shpejt se ishte planifikuar, duke respektuar afatet kohore të SHBA.

Image
Të evakuuar nga Afganistani në një avion të Bundeswehrit, gusht 2021

Në gusht talibanët radikalë islamikë morën pushtetin në Kabul, pa hasur në rezistencën e forcave afgane të sigurisë. Ushtria gjermane kishte dhënë kontribut në trajnimin e tyre. Pas marrjes së pushtetit nga talibanët, Gjermania mori pjesë në një mision ndërkombëtar evakuimi. Pamjet nga aeroporti i Kabulit ato ditë ishin dramatike, pasi shumë vetë donin të largoheshin nga vendi./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat