Protesta në të gjithë Francën kundër Presidentit Macron dhe projektligjit të pensioneve

Evropë

Protesta në të gjithë Francën kundër Presidentit Macron dhe projektligjit të pensioneve

Më: 28 mars 2023 Në ora: 19:44
Foto nga vendi i ngjarjes

Të martën në Francë protestuesit bllokuan shinat e trenave dhe autostradat, si dhe u përleshën me policinë në disa qytete, ndërsa marshuan në të gjithë vendin, kundër projektligjit për ngritjen e moshës së pensionit.

Zhgënjimi publik, ka evoluar tashmë në një ndjenjë më të gjerë, anti-Macron.

Më herët gjatë ditës, qeveria hodhi poshtë një kërkesë të re të sindikatave për të pezulluar dhe rishqyrtuar projektligjin, i cili parashikon një rritje të moshës së daljes në pension me dy vjet, nga 62 në 64 vjeç. Ky veprim zemëroi përfaqësuesit e sindikatave që thanë se qeveria duhet të gjejë një rrugëdalje nga kriza.

Qeveria tha se ishte më se e gatshme të fliste me sindikatat, por për tema të tjera, duke përsëritur se do të qëndronte e vendosur në frontin e pensioneve.

"Ne kemi propozuar një rrugëdalje dhe është e patolerueshme që po na injorojnë sërish", u tha gazetarëve kreu i sindikatës ‘CFDT’, Laurent Berger, në fillim të një mitingu në Paris.

Zoti Macron, i cili premtoi të realizojë reformën e pensioneve, në të dyja fushatat e tij presidenciale, thotë se ndryshimi është i nevojshëm për të mbajtur në ekuilibër financat e vendit. Por sindikatat dhe partitë opozitare thonë se ka mënyra të tjera për ta bërë një gjë të tillë.

Miliona njerëz kanë demonstruar e mbajtur greva që nga mesi i muajit janar duke kundërshtuar projektligjin e pensioneve.

Protestat u intensifikuan kryesisht kur qeveria përdori kompetenca të veçanta për ta kaluar projektligjin në parlament pa votim.

Të enjten e kaluar, ditë kur u zhvilluan protesta të mëdha, ata që njihen si anarkistët e "Bllokut të Zi" thyen xhamat e dyqaneve, dëmtuan stacionet e autobusëve dhe plaçkitën një restorant ‘McDonald's’ në Paris. Akte të ngjashme u kryen edhe në qytete të tjera./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat