Goditet agjencia policore e BE-së/ Zhdukja e dosjeve të ndjeshme të zyrtarëve të lartë shkakton krizë në Europol

Evropë

Goditet agjencia policore e BE-së/ Zhdukja e dosjeve të ndjeshme të zyrtarëve të lartë shkakton krizë në Europol

Më: 27 mars 2024 Në ora: 12:03
Foto ilustrim

Agjencia më e lartë ligjzbatuese në luftën kundër krimit të organizuar, Europol është prekur nga një skandal i madh, pasi disa dosje, të cilat përmbanin informacione personale të drejtuesve të lartë të institucionit, janë zhdukur.

Besohet se zhdukja e dosjeve ka të bëjë me proceset hetimore brenda vetë institucionit me seli në Hagë.

Sipas disa burimeve të Politico, disa nga dosjet e zhdukura përfshijnë atë të Drejtoreshës Ekzekutive të Europolit, Catherine De Volle dhe dy prej zëvendësdrejtorëve të saj, Jürgen Ebner dhe Jean-Philippe Lecouffe.

“Më 6 shtator 2023, Drejtoria e Europol u informua se dosjet personale të disa anëtarëve të stafit të Europolit ishin zhdukur. Kur zyrtarët kontrolluan të gjitha të dhënat e agjencisë, ata zbuluan dosje të humbura. Duke pasur parasysh rolin e Europolit si autoritet i zbatimit të ligjit, zhdukja e dosjeve personale të anëtarëve të stafit përbën një incident serioz të sigurisë dhe shkeljes së të dhënave personale”, lexohet në deklaratën e Europol.

Sipas informacioneve, disa nga dosjet e humbura u morën sërish pasi një qytetar i gjeti ato të hedhura në një vend publik në Hagë dhe i solli në stacionin policor lokal.

Nuk do të mësohet kurrë numri i dosjeve të zhdukura dhe as fakti se përse ishin marrë nga brenda institucionit.

Dosjet e burimeve njerëzore mund të përmbajnë informacion në lidhje me aplikimin për punë të zyrtarëve, trajnimin përkatës, datat e lindjes, statusin e martesës, vartësit, adresën aktuale dhe informacione të tjera të rregullta, tha një nga zyrtarët për Politico.

Europol është një nga agjencitë më të mëdha kundër krimit të organizuar të Bashkimit Europian. Ai koordinon hetimet dhe operacionet kryesore ndërkombëtare me autoritetet kombëtare të policisë dhe partnerët si Interpoli dhe FBI e Shteteve të Bashkuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat