Turqia paralajmëron për një ofensivë ndaj rebelëve kurdë në Irak

Evropë

Turqia paralajmëron për një ofensivë ndaj rebelëve kurdë në Irak

Më: 27 mars 2024 Në ora: 16:29
Njësitë turke në operacionet kundër rebelëve kurdë

Turqia po përgatitet për fillimin e një operacioni të gjerë kundër rebelëve kurdë që e ushtrojnë aktivitetin e tyre nga Iraku. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan është zotuar t’i japë fund kërcënimit nga grupi rebel kurd, PKK, që ka luftuar kundër Turqisë prej dekadash. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones, Ankaraja po përpiqet ndërkaq të fitojë mbështetjen e Bagdatit dhe Teheranit.

Prej dy vitesh, forcat turke kanë bërë operacione ushtarake në vendin fqinj Irak, kundër bazave të PKK-së, që lufton për të drejtat e pakicës kurde në Turqi prej dekadash.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan zotohet tashmë se do t’i japë fund njëherë e mirë kërcënimit nga PKK-ja dhe aleatët e tyre në Sirinë fqinje.

“Do të veprohet gjatë ditëve në vijim ndaj objektivave të PKK-së përgjatë kufirit me Irakun prej 300 kilometrash. Duke siguruar kufirin me Irakun, Turqia pritet të krijojë një korridor të ri sigurie prej 40 kilometrash, të ngjashëm me atë në Siri”, thotë Mesut Casin, këshilltar i presidentit turk dhe njëkohësisht profesor në Universitetin Yeditepe të Stambollit.

Ankaraja mori një mbështetje të mëtejshme këtë muaj në luftën kundër PKK-së, kur Bagdadi e shpalli të jashtëligjshëm këtë grup kurd.

Presidenti turk Erdogan po krijon lidhje të ngushta me drejtuesit e qeverisë rajonale gjysmë-autonome të Kurdistanit, në Irak. Analistët thonë se një bashkëpunim i tillë është jetik për objektivin e Ankarasë për të eliminuar plotësisht rrezikun nga PKK-ja.

“Turqia do të përqendrohet tek kapacitetet e forcave irakiane të sigurisë, së bashku me forcat Peshmerga të qeverisjes rajonale kurde. Dhe Turqia dëshiron të bëjë një rrethim të plotë të të gjithë anëtarëve të PKK-së në Irak dhe t’i shkatërrojë ata, t’i neutralizojë ata”, thotë Murat Aslan, nga Fondacioni për Studime Politike, Ekonomike dhe Sociale.

Presidenti turk Erdogan pritet të vizitojë rajonin gjysmë-autonom Kurdistan, si dhe Bagdadin, ku PKK-ja pritet të jetë temë qendrore. Analistët thonë se tregtia e shtuar dypalëshe, si dhe e tranzitit ndërkombëtar të mallrave nëpërmjet Irakut dhe Turqisë, i jep zotit Erdogan ndikim më të madh ndaj Bagdadit.

“Shpërblimi është ndërtimi i rrugës që lidh Basran me kufirin turk, që do të sjellë miliarda dollarë në buxhetin e Bagdadit. Që ky projekt të realizohet, duhet të ketë stabilitet dhe siguri në Irak. Ankaraja dëshiron ta përshtasë me këtë rast luftën e saj kundër PKK-së”, thotë Aydin Selcen, analist i politikës së jashtme.

Por analistët paralajmërojnë se shtabi i PKK-së gjendet në rajonin malor Qandil, të Irakut, në kufi me Iranin. Kjo do të thotë se për operacionin duhet të fitohet mbështetja e Teheranit.

“Mali Qandil shtrihet në Iran dhe Irak. Sa herë bëjnë operacione në rajon, ata shkojnë në Iran për t’u strehuar dhe rikthehen më vonë. Pra, kjo fushatë duhet të mbështetet nga ana iraniane, por kjo nuk është e garantuar. Do të shohim se ç’do të ndodhë”, thotë zoti Aslan.

Rivaliteti ndërmjet Turqisë dhe Iranit po rritet në mbarë rajonin dhe analistët thonë se Teherani mund të hezitojë të mbështesë kërkesat e Turqisë, duke i rritur kështu më tej tensionet./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat