​Franca: Dështimi ushtarak i Rusisë – 150 mijë të vdekur në Ukrainë

Evropë

​Franca: Dështimi ushtarak i Rusisë – 150 mijë të vdekur në Ukrainë

Më: 3 maj 2024 Në ora: 22:05
Stéphane Séjourné

Pothuajse 150 mijë ushtarë rusë kanë vdekur në Ukrainë qe nga fillimi i luftës në shkurt 2022, sipas vlerësimeve të Ministrisë së Jashtme franceze të publikuara sot.

"Dështimi ushtarak rus është tashmë këtu. Ne vlerësojmë humbjet ushtarake ruse në 500 mijë, duke përfshirë 150 mijë të vdekur," tha ministri i Jashtëm francez Stéphane Séjourné në një intervistë të botuar sot në edicionin evropian të gazetës së pavarur ruse Novaya Gazeta.

"E gjithë kjo për çfarë? Mund të përmblidhet me pak fjalë: për asgjë," tha ai.

Ky vlerësim është dukshëm më i ulët se ai i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili tha në shkurt se 180 mijë rusë janë vrarë në Ukrainë.

Në fund të prillit, Britania e Madhe vlerësoi se rreth 450 mijë rusë ishin vrarë ose plagosur në Ukrainë. Moska nuk ka lëshuar asnjë informacion qe nga shtatori 2022, kur tha se rreth 6 mijë ushtarë të saj kishin vdekur.

Në anën ukrainase, presidenti Zelensky tha në fund të shkurtit se 31 mijë ushtarë kishin vdekur. "As 300 mijë, as 150 mijë, siç thotë Putin dhe rrethi i tij gënjeshtar. Por secila nga këto humbje është një humbje e madhe për ne," tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat