Mitsotakis vizitë në Turqi për të përmirësuar lidhjet e dëmtuara

Evropë

Mitsotakis vizitë në Turqi për të përmirësuar lidhjet e dëmtuara

Më: 11 maj 2024 Në ora: 16:41
Kyriakos Mitsotakis dhe Rexhep Tajip Erdogan

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis viziton Turqinë të hënën për bisedime me Presidentin Rexhep Tajip Erdogan. Të dy udhëheqësit shpresojnë të ulin tensionet që i kanë sjellë disa herë vendet e tyre pranë konfliktit të armatosur gjatë viteve të fundit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës nga Stambolli Dorian Jones, dy udhëheqësit do të përqëndrohen në fushat e bashkëpunimit të mundshëm, duke përfshirë Rripin e Gazës dhe Ukrainën.

Mosmarrëveshjet territoriale mbi detin Egje, i cili besohet se ka burime të mëdha nafte, e sollën Greqinë dhe Turqinë në prag të luftës dhe vazhdojnë të shkaktojnë tensione.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis do të vizitojë Ankaranë të hënën për t'u takuar me Presidentin Rexhep Tajip Erdogan. Analistët thonë se bisedimet ka të ngjarë të shmangintema të diskutueshme dhe të përqendrohen në fushat e bashkëpunimit.

Të dy vendet kanë diskutuar çështje si rritja e tregtisë, ndërtimi i një rruge të re në kufirin Turqi-Greqi apo udhëtimi pa viza për qytetarët turq në ishujt lindorë të Egjeut. Mendoj se të gjitha janë të rëndësishme për të rritur besimin në mes të palëve, të shtojnë kontaktet dhe të rrisin bashkëpunimin energjetik”, thotë Berkay Mandiraci, analist nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

Vizita e Kryeministrit Mitsotakis në Turqi pason vizitën e Presidentit Erdogan në dhjetor në Athinë. Të dy udhëheqësit duan t’i shfrytëzojnë këto zhvillime pozitive në disa fronte.

Konfliktet në Gazë dhe Ukrainë shtojnë arsyet për përmirësimin e lidhjeve. Analistët thonë se të dy udhëheqësit e kuptojnë se tensionet mes tyre do ta përkeqësojnë situatën në rajon.

“Të dyja palët duan të zvogëlojnë ekspozimin e tyre ndaj rreziqeve të huaja. Marrëdhëniet greko-turke kanë kaluar një periudhë shumë të vështirë tre deri në pesë vjet më parë. Por që nga tërmetet, që goditën Turqinë, të dyja palët treguan vullnet për të ulur tensionet”, thotë Ioannis Grigoriadis, profesor në Universitetin Bilkent të Ankarasë.

Greqia reagoi me shpejtësi për të ndihmuar Turqinë pas tërmeteve të vitit të kaluar.

Por nëse të dy vendet nuk zgjidhin mosmarrëveshjet territoriale në Egje, përpjekjet për pajtim do të jenë të brishta, veçanërisht pasi të dy ushtritë po riarmatosen.

Presidenti Erdogan dhe Kryeministri Mitsotakis fituan mandate të reja në zgjedhjet e vitit të kaluar dhe analistët thonë se të dy janë në pozita të mira për të bërë përpjekje për t’u afruar.

“Të dy udhëheqësit janë shumë të fortë brenda vendit dhe kjo i bën ata më pak të prirur për të dëgjuar zërat nacionalistë që ekzistojnë në të dy vendet”, thotë Profesori Grigoriadis.

Të dy udhëheqësit do të fillojnë të ndërtojnë një marrëdhënie të kujdesshme para se të merren me çështjet më të diskutueshme që i kanë ndarë prej kohësh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat