Irlanda pritet të rrisë në 21 moshën e blerësve të duhanit

Evropë

Irlanda pritet të rrisë në 21 moshën e blerësve të duhanit

Më: 14 maj 2024 Në ora: 17:32
Foto ilustrim

Irlanda pritet të rrisë në 21 vjeç moshën minimale të blerësve të duhanit, sipas një draft-legjislacioni të prezantuar të martën.

Nëse finalizohet, ky do të jetë kufizimi më i lartë i moshës në Bashkimin Evropian.

Zyrtarët qeveritarë kanë thënë se propozimi për të rritur moshën minimale prej 18, sa është tani, është miratuar prej kabinetit dhe synon që të zvogëlojë numrin e të rinjve që blejnë cigare.

Letonia e pati prezantuar një ligj për të rritur moshën minimale në 20 vjeç, më 2015.

Në shumicën e vendeve të BE-së, kufizimi për të blerë duhan dhe alkool është 18 vjeç, ndërsa në Shtetet e Bashkuara është 21 vjeç.

Më 2004, Irlanda ka qenë e para në bllokun evropian që e ka ndaluar pirjen e cigares në ambiente të brendshme, dhe shumë vende tjera kanë vepruar njëjtë më pas.

Sipas Departamentit të Shëndetësisë në këtë shtet, 18 për qind e popullsisë mbi moshën 15-vjeçare janë përdorues të duhanit.

Sipas ministrit irlandez të Shëndetësisë, Stephen Donnelly, i cili e ka prezantuar nismën, të dhënat amerikane tregojnë se rritja e moshës minimale në 21 vjeç “do t’i kufizojë burimet sociale të cigareve” te të rinjtë.

“Ata do të kenë më pak mundësi që të jenë në grupet shoqërore me personat që ligjërisht mund të blejnë cigare”, ka thënë Donnelly.

Ai ka thënë se të dhënat tregojnë që njerëzit kanë më së shumti mundësi që të nisin pirjen e cigares në periudhën 18-21 vjeç.

Nëse miratohet, ligji nuk do të vlejë për shitjen e cigareve elektrike./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat