Nesër votohet për Rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, Dodik: Nuk ka pasur gjenocid

Evropë

Nesër votohet për Rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, Dodik: Nuk ka pasur gjenocid

Më: 22 maj 2024 Në ora: 12:37
Millorad Dodik

Qeveria e enklavës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë e quajtur Republika Serbe u bëri thirrje institucioneve dhe qytetarëve që më 23 maj, me rastin e votimit të Rezolutës për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të ngrenë flamujt e RS dhe simbolikisht të shprehin kundërshtimin e tyre ndaj synimit të miratimit të këtij dokumenti të enjten.

Në kumtesën e Qeverisë së RS thuhet se rezoluta “synon të rrëzojë pozicionin kushtetues të Republikës Serbe dhe të jep popullit serb epitetin e popullit gjenocidal”.

“Me vendosjen e flamujve, qytetarët e Republikës Serbe do të shprehin qartë dhe pa mëdyshje unitetin e popullit serb, në kohën e sprovave të rënda për mbarë popullin serb”, pretendohet në kumtesë.

Kryetari i enklavës serbe në BeH, Millorad Dodik ka thënë se do të kërkojë nga Qendra Përkujtimore të Srebrenicës të lejojë zyrtarët e RS “të vendosin kurora me lule në Potoçari më 23 maj”.

“Ky nuk është një provokim, por një qëndrim ndaj viktimave. Ne nuk e pranojmë që ishte gjenocid dhe lind pyetja se si një individ mund të kryejë gjenocid. Autoritetet shkencore pretendojnë se nuk ishte gjenocid dhe ne nuk mund të injorojmë ekspertët izraelitë për këtë”, ka thënë Dodik para gazetarëve në Banjallukë.

Seanca e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku duhet të shqyrtohet propozimi për Rezolutën për Srebrenicën, do të mbahet të enjten, më 23 maj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat