Dy tornado goditën qytetin bregdetar Marsala në Sicilinë perëndimore, duke plagosur dhjetëra njerëz dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në ndërtesa.
Sipas raportimeve të disponueshme, dhjetëra persona kanë mbetur të plagosur, nga të cilët të paktën 11 janë transportuar në spital për shkak të plagëve nga objektet fluturuese dhe xhamat e thyer.
Mes të plagosurve rëndë është një burrë 70-vjeçar i cili u shtrua në një spital në qytetin e afërt Mazara del Vallo në gjendje kritike me fraktura të shumta.
Era e fortë ka dëmtuar edhe një shkollë. Në momentin e përplasjes, në ndërtesë ishin 273 studentë, por të gjithë u evakuuan në mënyrë të sigurt. Gjashtë fëmijë morën prerje dhe gërvishtje të lehta.
Pamjet me dron zbulojnë shkallën e dëmtimit të shkollës, ku janë thyer xhamat dhe janë shpërndarë bankat dhe karriget.
Vitet e fundit banorët e Italisë jugore po përgatiten për ardhjen e të ashtuquajturve “medicans”, stuhi të rralla mesdhetare që kanë karakteristikat e një uragani.
Stuhi të tilla mund të zhvillojnë erëra më të shpejta se 95 kilometra në orë dhe të krijojnë valë deri në pesë metra të larta.
Ky sistem moti u krijua për shkak të nxehtësisë intensive mbi Afrikën e Veriut dhe një Deti Mesdhe jashtëzakonisht të ngrohtë.