Serbia e njeh autonominë e Krahinës së Vojvodinës, por jo edhe referendumet e Sanxhakut dhe të Krahinës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit

Opinione

Serbia e njeh autonominë e Krahinës së Vojvodinës, por jo edhe referendumet e Sanxhakut dhe të Krahinës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit

Refik Hasani Nga Refik Hasani Më 26 nëntor 2026 Në ora: 13:12
Parlamenti serb

Me zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të mbajtura më 25 tetor 2026, skena politike e Serbisë përballet me sfida të rëndësishme politike dhe diplomatike, veçanërisht sa i përket vazhdimit të dialogut me Bashkimin Evropian dhe ruajtjes së marrëdhënieve me Rusinë. Një sfidë e veçantë paraqet edhe politika e balancimit ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit.

Me ardhjen e Listës Studentore hapen shumë dilema: A do të ndodhë në Serbi një kthesë reformuese dhe deri në çfarë mase do të zhvillohet lufta kundër korrupsionit, do të forcohet sundimi i ligjit, liria e mediave dhe pavarësia e institucioneve?

Të gjithë deputetët që u përkasin komuniteteve etnike dhe autoktone kombëtare të hungarezëve, shqiptarëve, boshnjakëve, bullgarëve, romëve dhe rumunëve duhet të bashkëpunojnë ngushtë ndërmjet vete, duke iniciuar debate dhe duke paraqitur kërkesa të përbashkëta. Gjithashtu, ata duhet të insistojnë në ndryshimet kushtetuese dhe ligjore që kanë të bëjnë me vendet e garantuara në Kuvendin Popullor për përfaqësuesit e komuniteteve të tyre etnike dhe autoktone kombëtare, si dhe për çështje të tjera me interes të përbashkët.

Për këtë qëllim, bashkëpunimi i tyre duhet të vazhdojë gjatë gjithë mandatit të përbërjes së re të Kuvendit të Serbisë.

Në bazë të fuqisë elektorale që ka fituar, kjo listë do të drejtojë të gjithë përbërjen e Qeverisë, gjë që nënkupton edhe komisionet e detyrueshme parlamentare, si dhe komisionet ad hoc. Kjo përfshin edhe drejtimin e përgjithshëm të Ushtrisë, Policisë, shërbimit informativ dhe institucioneve të tjera më të larta shtetërore.

Lista Studentore ka mundësinë që në funksionet drejtuese politike, si dhe në pozitat më të larta të institucioneve, të emërojë kuadro që i përkasin kësaj liste.

Ky është një fakt që duhet pasur parasysh. Prandaj, të gjithë deputetët që përfaqësojnë pakicat kombëtare, vetëm përmes bashkëpunimit të ndërsjellë, duhet të parashtrojnë kërkesa realiste, në mënyrë që komuniteteve pakicë, në përbërjen e re parlamentare, t'u takojnë funksionet e nënkryetarit të Kuvendit Popullor të Serbisë, zëvendëskryeministrit të parë të Qeverisë së Serbisë, nënkryetarit të Republikës së Serbisë, si dhe drejtimi i së paku një ministrie që do të merrej me çështjet e pakicave kombëtare.

Në këto rrethana, ata duhet të kërkojnë edhe drejtimin e institucionit të Avokatit të Popullit, të ndërmarrjeve publike dhe agjencive të tjera të pavarura, të kenë programe në radio dhe një kanal të plotë në RTS, vetëm për pakicat kombëtare në Serbi, Televizionin Publik të Serbisë. Të adresojnë edhe përfaqësimin proporcional në të gjitha nivelet dhe mekanizmat e funksioneve të larta drejtuese në zinxhirin komandues të Ushtrisë, Policisë, Shërbimit Informativ, Prokurorisë dhe gjyqësorit, përfaqësive diplomatike etj.

Pra, deputetët që nuk janë të kombësisë serbe duhet të jenë të bashkuar dhe të parashtrojnë me shkrim pyetje parlamentare, në formën e interpelancave, me qëllim që të kërkojnë sqarime, informacione me shkrim dhe llogaridhënie nga ministritë përkatëse, kryeministri dhe presidenti i Republikës, lidhur me përfaqësimin proporcional të të gjitha pakicave kombëtare në Serbi.

Deputetët që u përkasin komuniteteve etnike dhe autoktone kombëtare të hungarezëve, shqiptarëve, boshnjakëve, bullgarëve, romëve dhe rumunëve duhet të kërkojnë ndryshime kushtetuese dhe ligjore që kanë të bëjnë me vendet e garantuara në Kuvendin Popullor për përfaqësuesit e komuniteteve të tyre kombëtare.

Aktualisht, Serbia e njeh autonominë e Krahinës së Vojvodinës, ndërsa çështjet që lidhen me referendumet për autonomi vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura. Bëhet fjalë për referendumin e mbajtur më 1 dhe 2 mars 1992 në territorin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, si dhe për referendumin për autonominë e Krahinës së Sanxhakut, të mbajtur më 25, 26 dhe 27 tetor 1991.

Krahina e Vojvodinës ishte element konstituiv i Jugosllavisë, ndërsa Krahina e Sanxhakut i ka organizuar vetëm referendumin, pa ndërmarrë më pas ndonjë hap tjetër juridik apo veprim konkret të natyrës tjetër.

Ndërmjet këtyre dy krahinave ekziston një dallim, pasi Krahina e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit veçohet për faktin se, përveç mbajtjes së referendumit, ka pasur edhe dy zhvillime konkrete, të cilat autori i ndërlidh me aktet dhe konventat ndërkombëtare.

Bëhet fjalë për kryengritjen e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB), si dhe për organizimin, mbikëqyrjen, ndërmjetësimin dhe garancitë e faktorit politik dhe ushtarak, të cilat rezultuan me arritjen e Marrëveshjes së Konçulit, më 20 maj 2001.

Deputetët që u përkasin komuniteteve etnike dhe autoktone kombëtare të hungarezëve, shqiptarëve, boshnjakëve dhe komuniteteve të tjera duhet të kërkojnë njohjen e këtyre referendumeve.

Serbia e njeh statusin e entitetit të Republikës Srpska, e cila është pjesë përbërëse e Bosnjë-Hercegovinës, ndërsa, nga ana tjetër, ua mohon një të drejtë të tillë hungarezëve, shqiptarëve, boshnjakëve, bullgarëve dhe të tjerëve.

Pritshmëri nuk kanë vetëm votuesit serbë, por edhe shtetet fqinje të Serbisë, Bashkimi Evropian dhe Rusia.

Mbetet të shihet se si do t'i trajtojë këto çështje struktura e re politike dhe nëse do të hapet një dialog institucional për to.

Nëse Lista Studentore në Serbi do të përfaqësojë vërtet një frymë të re apo do të mbetet vazhdimësi e politikës së vjetër, ku të vetmet ndryshime do të jenë fytyrat e reja të drejtuesve në institucionet e Serbisë, këtë më së miri do ta dëshmojë koha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat