Rusia ka kërcënuar Estoninë, shtet anëtar i NATO-s dhe i Bashkimit Evropian, me "luftë të hapur", pasi qeveria në Talin vendosi të mbyllë të gjitha pikat kufitare tokësore me Rusinë nga 1 dhjetori, për të paktën gjashtë muaj.
Ministria e Jashtme ruse e thirri të hënën ngarkuarin me punë të Estonisë në Moskë, Marek Uhtegi, për t'i dorëzuar një protestë zyrtare. Në deklaratën e publikuar pas takimit, Moska shkruan se diplomatit estonez "iu tha edhe një herë se veprime të tilla provokuese dhe jashtëzakonisht të rrezikshme janë në prag të shkaktimit të një lufte të hapur me Rusinë", njofton agjencia Reuters.
Rusia akuzon Estoninë se "në heshtje" i ka lejuar Ukrainës të përdorë hapësirën e saj ajrore për sulme me dronë ndaj veriperëndimit të Rusisë, se po pengon anijet ruse të mallrave në Detin Baltik, se ka ndaluar tranzitin e grurit rus dhe bjellorus, si dhe se synon të ndalojë gjuhën ruse dhe të mbyllë Kishën Ortodokse Ruse. Moska e quan sjelljen e Talinit "rusofobike", thotë se e ruan të drejtën për "masa gjithëpërfshirëse politike dhe diplomatike" dhe paralajmëron se mbyllja e kufirit do t'u kthehet kundër vetë Estonisë dhe aleatëve të saj në BE e NATO.
Retorika e ashpër e Moskës vjen pas një sulmi ukrainas ndaj një anije ruse në Detin Baltik.
Talini: Akuza pa bazë
Ministria e Jashtme e Estonisë i ka hedhur poshtë pretendimet për dronët ukrainas, duke deklaruar se Estonia "nuk ka lejuar kurrë dhe nuk do të lejojë kurrë" që territori i saj të përdoret për operacione ushtarake nga një shtet tjetër. Sipas Talinit, të njëjtin qëndrim e kanë bërë të qartë edhe vendet e tjera të rajonit.
Ministri i Jashtëm estonez, Margus Tsahkna, shkroi në rrjetin X se Rusia po "vërshon eterin me akuza të pabaza", me qëllim që të largojë vëmendjen nga veprimet e veta që minojnë sigurinë evropiane.
Pse po mbyllet kufiri
Vendimin për mbylljen e kufirit e paralajmëroi kryeministri Kristen Michal, pasi autoritetet estoneze akuzuan shërbimin ushtarak të inteligjencës ruse (GRU) për një tentativë zjarrvënieje në mesin e nëntorit ndaj kompanisë së industrisë së mbrojtjes Threod Systems në Viimsi, e cila prodhon dronë sulmues dhe zbulues me rreze të gjatë veprimi. Sipas autoriteteve, tetë persona u arrestuan, ndërsa askush nuk u lëndua. Moska e mohon çdo përfshirje.
Mbyllja përfshin edhe vendkalimin mbi lumin Narva, në kufirin rreth 294 kilometra të gjatë mes dy vendeve. Ministri i Brendshëm, Igor Taro, ka thënë se masa synon të kufizojë mundësinë e Rusisë për të organizuar sulme të reja. Tsahkna, në një shkrim për Politico, argumentoi se shërbimet ruse të inteligjencës e shfrytëzojnë lëvizjen ndërkufitare për të mbledhur informacione dhe për të rekrutuar njerëz. Vendimi është kritikuar nga një pjesë e banorëve të zonave kufitare, të cilët udhëtojnë rregullisht në Rusi.
NATO: Kemi opsione për t'u përgjigjur
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, duke folur në Berlin, tha se Aleanca po e ndjek nga afër situatën rreth Estonisë, si edhe hyrjen e fundit të raketave ruse në territorin e Polonisë. Sipas tij, NATO ka opsione për t'u përgjigjur dhe "gjithmonë do të bëjë vlerësime" për parandalimin dhe mbrojtjen e saj.
Estonia, ish-republikë sovjetike, është anëtare e NATO-s që nga viti 2004. Ajo mbrohet nga neni 5 i Traktatit të Atlantikut të Veriut, sipas të cilit një sulm ndaj një anëtari konsiderohet sulm ndaj të gjithë aleatëve.
Moska prej kohësh i akuzon Estoninë dhe shtetet e tjera baltike se u lejojnë dronëve ukrainas të kalojnë nëpër hapësirën e tyre ajrore. Kievi thotë se dronët devijojnë nga kursi për shkak të bllokimit rus të sinjaleve, ndërsa vendet e NATO-s e mohojnë se e lejojnë qëllimisht këtë dhe fajësojnë Rusinë për incidentet. Estonia ka një popullsi të konsiderueshme etnike ruse, për të cilën Moska shpesh pretendon se diskriminohet. Është i njëjti argument që Kremlini përdori në vitin 2014 për të justifikuar ndërhyrjen në lindje të Ukrainës.