“Goditini gratë nëse refuzojnë seksin” – shpërthen skandali në Britani, zbulohen predikimet tronditëse nëpër xhami

Evropë

“Goditini gratë nëse refuzojnë seksin” – shpërthen skandali në Britani, zbulohen predikimet tronditëse nëpër xhami

Nga: B.S. Më: 11 tetor 2026 Në ora: 20:40
Yasin Munye

Një investigim i gazetës britanike The Mail on Sunday ka zbuluar se disa predikues fetarë në xhami të ndryshme të Britanisë së Madhe kanë mbajtur ligjërata në të cilat justifikohet dhuna ndaj grave, përfshirë goditjen fizike të bashkëshorteve në rastet kur ato refuzojnë marrëdhëniet intime ose nuk u binden burrave.

Në qendër të investigimit është Yasin Munye, predikues në Qendrën e Komunitetit Islamik në Hackney, në lindje të Londrës, i cili në një video u bën thirrje burrave që të mos e tolerojnë mosbindjen e bashkëshorteve të tyre, shkruan Daily Mail, transmeton “Bota sot”.

Duke iu referuar teksteve fetare, Munye pretendon se burrat mund t'i disiplinojnë fizikisht gratë, duke i goditur lehtë për t'u treguar se kush e ka autoritetin në familje.

Ai përmend si një nga arsyet e një veprimi të tillë edhe refuzimin e gruas për të pasur marrëdhënie intime me bashkëshortin.

Publikimi i videos ka nxitur shqetësime te organizatat për mbrojtjen e të drejtave të grave, ndërsa xhamia është raportuar në Komisionin britanik për Organizatat Bamirëse. Policia Metropolitane e Londrës ka bërë të ditur se po vlerëson një ankesë lidhur me rastin.

Sipas investigimit, rasti i Munyes nuk është i izoluar. Ligjërata të ngjashme, që përmbajnë qëndrime diskriminuese ndaj grave dhe justifikojnë dhunën në familje, janë shpërndarë përmes videove në internet nga predikues të tjerë në Britani.

Në Birmingham, Mahamed AbdurRazaq, nga xhamia dhe qendra komunitare An-Noor, ka deklaruar se burrat fillimisht duhet t'i qortojnë bashkëshortet që refuzojnë marrëdhëniet intime dhe, nëse kjo nuk jep rezultat, sipas tij, mund t'i godasin, për sa kohë që nuk u shkaktojnë mavijosje apo thyerje të eshtrave.

Ndërkohë, predikuesi Abu Sa’ad Muhammad, i cili vepron në të njëjtën xhami me Munyen, ka kritikuar legjislacionin britanik që mbron gratë nga dhuna, duke deklaruar se bashkëshortet tashmë e dinë se mund ta thërrasin policinë edhe nëse burrat i godasin vetëm një herë.

Në xhaminë Green Lane në Birmingham, imami Aqeel Mahmood ka mbajtur një ligjëratë 47-minutëshe mbi martesën dhe detyrimet bashkëshortore, gjatë së cilës ka pretenduar se burri ka të drejtë ta disiplinojë gruan në rast mosbindjeje.

“Nuk është e lejueshme që gruaja të largohet nga shtëpia pa lejen e burrit”, ka deklaruar ai.

Mahmood ka shtuar se disiplina fizike duhet të jetë masa e fundit dhe se ajo nuk duhet të shkaktojë dhimbje, lëndime, frikë apo poshtërim.

Në një tjetër rast, imami Abdur Rahman Hassan, nga xhamia Darussalam në Southall të Londrës, ka deklaruar se gratë që përdorin parfum kur dalin nga shtëpia kryejnë mëkat, duke i cilësuar ato si gra që kryejnë marrëdhënie seksuale jashtëmartesore.

Organizata National Secular Society (NSS), e cila ka siguruar disa prej videove, ka paralajmëruar se predikime të tilla mund të nxisin dhunën në familje dhe përdhunimin brenda martesës.

Drejtuesja e fushatave të kësaj organizate, Megan Manson, ka kërkuar që autoritetet të ndërhyjnë dhe të mbajnë përgjegjëse organizatat fetare që lejojnë përhapjen e mesazheve të tilla.

“Këto predikime mund të nxisin dhunën në familje dhe përdhunimin bashkëshortor”, ka deklaruar ajo.

Edhe organizata Jeena International, e cila mbështet viktimat e dhunës në familje, ka shprehur shqetësimin se predikime të tilla përforcojnë bindjen në disa komunitete se përdhunimi nuk mund të ndodhë brenda martesës.

Themeluesja e organizatës, Rani Bilkhu, ka deklaruar se predikuesit po e përdorin fenë si mjet për kontrollin dhe nënshtrimin e grave.

“Këta predikues po e përdorin fenë për kontroll detyrues ndaj grave dhe po japin miratimin për dhunë seksuale dhe abuzim në familje”, ka thënë ajo.

Eksperti i integrimit shoqëror, Rakib Ehsan, ka kritikuar mënyrën se si autoritetet britanike kanë trajtuar komunitetet e izoluara, duke vlerësuar se mungesa e ndërhyrjes ka krijuar hapësirë për përhapjen e qëndrimeve që bien ndesh me ligjet dhe vlerat britanike.

Sipas legjislacionit britanik, goditja e bashkëshortes, edhe nëse konsiderohet e lehtë, mund të përbëjë vepër penale dhe të ndiqet si dhunë në familje.

Ligji për Dhunën në Familje i vitit 2021 përfshin abuzimin fizik, sjelljen kërcënuese, dhunën psikologjike dhe kontrollin detyrues. Edhe një incident i vetëm mund të jetë i mjaftueshëm për ndërhyrjen e autoriteteve.

Zbulimet e investigimit kanë nxitur reagime edhe në politikën britanike.

Deputetja laburiste Jess Phillips, ish-ministre përgjegjëse për mbrojtjen dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave, është shprehur e tronditur nga përmbajtja e ligjëratave.

“Jam plotësisht e tmerruar dhe e neveritur që ka njerëz që mendojnë se mund të predikojnë dhe të ndikojnë te të tjerët për të vepruar në këtë mënyrë”, ka deklaruar ajo.

Sekretari në hije i Punëve të Brendshme nga Partia Konservatore, Chris Philp, i ka cilësuar predikimet si ekstremiste dhe mizogjene, duke kërkuar hetime policore.

“Këto fjalime të imamëve ekstremistë janë të neveritshme dhe mizogjene. Ato nxisin drejtpërdrejt dhunën në familje, sulmet ndaj grave dhe përdhunimin”, ka deklaruar Philp.

Edhe ish-ministrja e Brendshme britanike, Priti Patel, ka kërkuar masa të ashpra, duke theksuar se praktika të tilla janë të papranueshme dhe në kundërshtim me ligjin.

“Nuk duhet të ketë asnjë tolerancë për këto praktika. Sinqerisht, xhamitë e tilla nuk duhet të lejohen të qëndrojnë të hapura”, ka deklaruar ajo.

Komisioni britanik për Organizatat Bamirëse ka konfirmuar se do të shqyrtojë provat e paraqitura nga gazeta, ndërsa ka bërë të ditur se Qendra e Komunitetit Islamik në Hackney ishte paralajmëruar që në vitin 2024 lidhur me folës ekstremistë.

Një hetim tjetër është hapur pas dorëzimit të videove nga National Secular Society.

“Çdokush që mbron dhunën ndaj grave nuk ka absolutisht vend në sektorin bamirës. Kur ngrihen shqetësime, ne shqyrtojmë me kujdes secilin rast dhe ndërmarrim masa të forta rregullatore kur është e nevojshme”, ka deklaruar një zëdhënës i Komisionit.

Nga ana tjetër, xhamia Green Lane ka mohuar se mbështet dhunën ndaj grave.

“Green Lane Masjid e kundërshton pa asnjë mëdyshje dhunën, abuzimin në familje, detyrimin dhe të gjitha format e tjera të dhunës dhe abuzimit”, ka deklaruar një zëdhënës i saj.

Investigimi thekson se shkalla e dhunës në familje në mesin e myslimanëve është afërsisht e ngjashme me mesataren kombëtare në Britani, por shumë viktima hezitojnë t'i raportojnë rastet për shkak të frikës nga përjashtimi familjar, izolimi shoqëror dhe pengesat gjuhësore.

Zbulimet kanë rikthyer debatin në Britani mbi përgjegjësinë e institucioneve për të parandaluar nxitjen e dhunës ndaj grave, pavarësisht mjedisit fetar apo kulturor ku ajo promovohet. /Bota sot/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat