“The Crown” udhëheq me më së shumti nominime për “Critics Choice”

Filma

“The Crown” udhëheq me më së shumti nominime për “Critics Choice”

Më: 19 janar 2021 Në ora: 13:08
Foto ilustrim

Janë bërë publike nominimet për shpërblimet e përvitshme televizive “Critics Choice”, dhe drama e Netflixit e bazuar në familjen mbretërore britanike, “The Crown”, po e kryeson listën e të nominuarve në gjashtë kategori gjithsej.

Seria e pëlqyer nga publiku “The Crown”, ka arritur të nominohet në kategorinë kryesore të mbrëmjes, “Drama më e mirë”, derisa aktori i këtij projekti Josh O’Connor, i cili e ka portretizuar princin Charles në sezonin e tretë dhe të katërt të saj, ka marrë nominim për çmimin “Aktori më i mirë në dramë”. Në kategorinë “Aktorja më e mirë në dramë”, garojnë dy aktore të kësaj serie televizive, e ato janë Olivia Colman dhe Emma Corrin, të cilat konkurrojnë kokë më kokë për këtë shpërblim. Tobias Menzies, i cili e portretizon Princin Philipe dhe Gillian Anderson, e cila e luan rolin e Margaret Thatcherit, janë në garë për çmimin “Aktori përkatësisht aktorja më e mirë në rol dytësor”.

Në kategori të tjera udhëheq komedia e shumëshpërblyer, “Schitt’s Creek”, e cila i ka marrë gjithsej pesë nominime. Ky projekt interesant televiziv i befasoi kritikët me suksesin që e shënoi qysh në sezonin e parë, derisa i sjell publikut të qeshura të pafundme falë temave që i trajton, por edhe sensit të mrekullueshëm të humorit të aktorëve të përfshirë në seri. “Schitt’s Creek” ka arritur të nominohet në kategoritë: “Seria më e mirë komike”, “Aktori më i mirë në komedi” nominim ky i cili shkon për protagonistin Eugene Levy, “Aktorja më e mirë në komedi”, për Catherine O’Hara dhe “Aktori dhe aktorja më e mirë në rol dytësor”, ku janë nominuar yjet e serisë, Daniel Levy dhe Annie Murphy.

Seria “Normal People” ka fituar nominime në kategoritë “Seria më e mirë e limituar”, dhe “Aktori përkatësisht aktorja më e mirë në seri të limituar”, që shkojnë për yjet e këtij projekti që shënoi rekorde të shikueshmërisë gjatë pandemisë, Paul Mescal dhe Daisy Edgar-Jones.

Paul Mescal në kategorinë për aktorin më të mirë, garon krahas yjeve John Boyega, Hugh Grant, Chris Rock, Mark Ruffalo dhe Morgan Spector, ndërsa Daisy Edgar-Jones përballet me aktoret e njohura të hollywoodit Cate Blanchett, Anya Taylor-Joy dhe Tessa Thompson.

Këngëtarja e shndërruar në prezantuese, Kelly Clarkson, ka arritur të nominohet në kategorinë “Emisioni më i mirë televiziv”, ku garon krahas emisioneve “Late Night with Seth Meyers”, “The Late Show with Stephen Colbert” dhe “Red Table Talk”.

“Jemi të lumtur që do ta festojmë punën e jashtëzakonshme të cilën e kemi krijuar dhe lansuar gjatë këtij sezoni jo të zakonshëm. Në një vit kur nevoja për t’u argëtuar ishte e padiskutueshme, industria e televizionit arriti të ekranizojë seri të mrekullueshme të cilat na kanë kënaqur, edukuar, sfiduar dhe më e rëndësishmja, na kanë bërë bashkë të gjithëve”, citohet të ketë thënë Joey Berlin, kryeshefi ekzekutiv i shoqatës “Critics Choice”, në një prononcim për media.

Ceremonia e ndarjes së shpërblimeve “Critics Choice TV Awards” do të mbahet më 8 mars. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat