Kosova me dy filma në Festivalin e Stokholmit

Filma

Kosova me dy filma në Festivalin e Stokholmit

Nga: Shyqeri Sejdijaj Më: 6 nëntor 2021 Në ora: 17:50
”Zgjoi” i Blerta Bashollit

Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Stokholm që mbahët nga 10-21 nëntor në kryeqytetin suedez do të shfaqen 100 filma nga 48 vende të ndryshme në kinema si dhe në mënyrë digjitale nëpërmjet Festival on Demand.

Në këtë festival të mirënjohur kësaj here merr pjesë edhe Kosova me dy filma: Perla filmike ”Luaneshat e Kodrës” nga Luana Bajrami dhe filmi ”Zgjoi” i Blerta Bashollit.

Filmi ”Luaneshat e Kodrës” është një bashkëprodhim i Kosovës me Francën. Në rolet kryesore luajnë Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj, Andi Bajgora dhe Luana Bajrami. Ky film bën fjalë për rebelimin e tri vajzave të reja të cilat po mendonin se ëndërrat dhe ambiciet e tyre po mbyteshin. Në këtë synim s’arrin kush ti ndalojë prandaj mendojnë se ka ardhë koha për ta ngritur zërin. Filmi është një debytim i guximshëm dhe plot kolorit i aktores Luana Bajrami, filmi i së cilës ishte nominuar për një Palm Queer në Festivalin e Filmit në Kanë në fillim të këtj viti.

Image

Filmi “Zgjoi” ndërkaq sjell historinë e vërtetë të Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për të siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t'u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Por heroina e filmit shpërfill fyerjet, thashethemet por edhe sulmet fizike me qëllim që të ngris lart të drejtën dhe shembulltyrën e grave për të qenë të pavarura.

Ky film me skenar dhe regji të Blerta Bashollit, me Yllka Gashin në rolin kryesor, konsiderohet si filmi më i sukseshëm i kinematografisë shqiptare deri sot, fitues i trefishtë në Sundance 2021 dhe fitues i shumë çmimeve të tjera ndërkombëtare.

Në një festival ndërkombëtar të filmit në Spanjë që u bë gjatë tetorit, filmi “Zgjoi” u nderua me dy çmime të rëndësishme.

Siç dihet filmi ”Zgjoi” është poashtu kandidat i Kosovës për çmimin Oscars 2022.

Festivali i sivjem ndërkombëtar i filmit në Stokholm dallohet për numrin e madh të regjisoreve, gjithësejt 43% janë regjisore.

Ky festival është edhe një rast i mirë për filmdashësit shqiptarë që jetojnë e veprojnë në Stokholm me rrethinë për të parë dy filma shqiptarë, gjë që shumë rrallë u bie të ndjekun ndonjë film shqiptar në kinematë e Stokholmit.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat