​PRIFEST hapet me premierën e “Vera andrron detin”

Filma

​PRIFEST hapet me premierën e “Vera andrron detin”

Më: 3 maj 2022 Në ora: 20:05
Foto ilustrim

Filmi kosovar “Vera andrron detin” në regji të Kaltrina Krasniqit do të hapë edicionin e 14-të të PriFest që mbahet nga data 26 deri më 31 korrik.

“Vera andrron detin” pati premierën botërore vitin e kaluar në Festivalin Ndërkombëtar të Venedikut. Ajo është shfaqur me sukses në 20 festivale në mbarë botën në konkurrencë zyrtare dhe ka fituar 6 shpërblime të rëndësishme, nga të cilat edhe çmimin filmi më i mirë në festivalin prestigjioz të Tokios.

“Promovimi dhe përkrahja e filmave vendorë dhe film-bërësve tanë është një nga objektivat kryesore të festivalit, andaj jemi shumë të lumtur që përsëri këtë vit kemi një premierë të filmit nga Kosova, aq më shumë të një regjisore debutuese Kaltrina Krasniqi. Vala e re e kinemasë kosovare po vazhdon, dhe ne jemi mbështetës krenarë të saj” tha Vjosa Berisha, drejtore e PriFest-it.

Filmi “Vera andrron detin” shtjellon një temë shumë të rëndësishme lidhur me pronën dhe të drejtat e grave në pronë. Ai është bashkëprodhim mes Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Në rolet kryesore luajnë Teuta Jegeni Ajdini, Alketa Sylaj, Refet Abazi dhe Astrit Kabashi.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat