Jon Hamm ka nisur rolin më të ri, dhe ndoshta më të rëndësishëm, të jetës së tij. Ylli i serialit “Mad Men”, 55 vjeç, dhe bashkëshortja e tij, aktorja Anna Osceola, 38 vjeç, janë bërë prindër për herë të parë, duke mirëpritur një djalë, siç raportoi revista People të enjten.
Çifti nuk ka bërë ende ndonjë deklaratë publike për lindjen, ndërsa revista Us Weekly njofton se u ka kërkuar koment përfaqësuesve të aktorit. Emri i foshnjës nuk është bërë i ditur.
Lajmi për shtatzëninë u përhap në gusht, kur Osceola u fotografua me barkun e rrumbullakosur gjatë një pushimi në plazhet e Hamptons. Në shtator, ajo e shfaqi shtatzëninë për herë të parë në tapetin e kuq të çmimeve Emmy, ndërsa Hamm tregoi në emisionin e Seth Meyersit se ndihej njëkohësisht “shumë i emocionuar dhe thellësisht i tmerruar”. Një burim i afërt i tha Us Weekly se aktori ishte “në qiell të shtatë” për atësinë dhe se e kishte ndjekur me vëmendje çdo fazë të shtatzënisë.
Hamm dhe Osceola u njohën në vitin 2015 në xhirimet e “Mad Men”, ku ajo luajti recepsionisten Clementine në episodin përmbyllës. Romanca mes tyre nisi vetëm në vitin 2020, ndërsa në qershor të vitit 2023 u martuan në Big Sur të Kalifornisë, në të njëjtin vend ku u xhirua finalja e serialit.
Aktori, i cili më parë kishte qenë 18 vjet në lidhje me Jennifer Westfeldtin, kishte pranuar dikur se nuk ishte i sigurt për martesën dhe fëmijët. Në vitin 2024, ai i tha The Hollywood Reporter se shpresonte të bëhej baba, duke shtuar me humor se do të ishte një “baba i vjetër”. Tani, ajo dëshirë është bërë realitet.