Të huajt e pasur paguanin për të vrarë civilë në Sarajevën e rrethuar nga pozicionet serbe

Filma

Të huajt e pasur paguanin për të vrarë civilë në Sarajevën e rrethuar nga pozicionet serbe

Më: 30 gusht 2022 Në ora: 13:19
Miran Zupaniq

Filmi "Sarajevo Safari" i regjisorit dhe skenaristit Miran Zupaniq është një histori për të huajt e pasur që paguanin para për mundësinë për të qëlluar civilët në qytetin e rrethuar të Sarajevës, nga pozicionet e Ushtrisë së Republikës Serbe.

Kushdo që ka menduar se është thënë gjithçka për rrethimin katërvjeçar të Sarajevës, se nuk ka më sekrete për agresionin ndaj Bosnje-Hercegovinës, do të tronditet nga zbulimi i fakteve dhe detajeve të reja.

Filmi Sarajevo Safari i regjisorit dhe skenaristit slloven Miran Zupaniq është një histori e tillë, tronditëse, e pabesueshme dhe në të njëjtën kohë e errët dhe pesimiste. Të vërtetat për rrethimin e Sarajevës, të cilat zbulohen në këtë dokumentar të ndershëm dhe brutal, që do të shfaqet në AJBDOC të këtij viti, i shtyjnë kufijtë e asaj që është e tolerueshme për të kuptuar luftën.

Sarajevo Safari është një film që flet për fenomenin pak të njohur të “gjuetisë njerëzore”, në fakt, më saktësisht, për të huajt e pasur që erdhën në pozicionet e Ushtrisë së Republikës Serbe në afërsi të Sarajevës dhe prej andej qëllonin përreth qytetit, duke vrarë civilë.

Pika e nisjes, ajo nga e cila “aventurierët” shkuan në një “safari” për gjueti në njerëz, ishte Beogradi, thotë Miran Zupaniq në një intervistë për Al Jazeera Balkans: “Beogradi atëherë kishte lidhje normale ajrore me vendet e huaja, dhe ka ekzistuar një marrëveshje logjistike e veçantë. Një burim thotë se nga Beogradi janë dërguar me helikopter të Ushtrisë së Jugosllavisë në Pale, ndërsa sipas burimit tjetër janë transportuar me transport rrugor. Më i larti në gradë, më i fuqishmi dhe më i pasuri ndoshta kishte kushte më komode për të udhëtuar për në Sarajevë”.

Çfarë është ‘Sarajevo Safari’?

– “Safari i Sarajevës” ishte një lloj gjuetie specifike, e paimagjinueshme, gjuetie njerëzish. Gjatë rrethimit të Sarajevës, të huajt e pasur që paguanin një kompensim të caktuar u lejuan të qëllonin nga pozicionet serbe mbi njerëzit në pjesën e lirë të qytetit. Viktimat ishin civilë, të cilët në atë moment u gjendën nën zjarrin e snajperit të atyre të huajve mizorë.

    Sipas njohurive tuaja, sa persona morën pjesë në atë “lojë” të vrasjeve?

– Ai fenomen, natyrisht, ishte dhe mbetet ende i mbajtur në fshehtësi. Ne e kemi hequr atë mbulesë për aq sa është e mundur dhe nuk mund t’ju jap asnjë përgjigje konkrete, sepse nuk e di. Por gjithsesi duhej një zinxhir i tërë i atyre që ofronin ato “aranzhime gjuetie”, atyre që bënin safari dhe atyre që kujdeseshin për logjistikën dhe organizimin në terren.

Kur e keni hasur për herë të parë këtë fenomen?

– Producenti im, Franci Seitz, më tregoi për herë të parë për “safarin” në shkurt 2019, dhe kjo histori ishte absolutisht tronditëse për mua. Kemi filmuar në Bosnje dhe Hercegovinë me Francin dhe kameramanin Bozho Zadravec tashmë në fillim të vitit 1993. Eyes of Bosnia ishte i pari dhe, mendoj, i vetmi dokumentar slloven i filmuar në tokën e Bosnje dhe Hercegovinës gjatë luftës. Më pas kanë qenë në Sarajevë në fund të vitit ’93 dhe në fillim të vitit ’94,  dhe regjistroi edhe më shumë materiale.

Përveç plagosjes së Faruk Shabanoviqit, të gjitha pamjet arkivore në filmin Sarajevo Safari janë regjistruar nga ekipi ynë. Në fakt, Franci është më përgjegjës për atë film, sepse ai kërkoi me vite dhe më pas gjeti njerëz që ishin të gatshëm të flisnin për safarin para kamerës. Fatkeqësisht, ka pasur edhe nga ata që fillimisht kanë pranuar regjistrimin, por më pas kanë ndryshuar mendje. Frika është ende e pranishme pas gati 30 vjetësh.

Sa morën pjesë autoritetet në Pale në organizimin e ‘Sarajevo Safari’?

– Sipas dëshmive, disa pjesëtarë të Ushtrisë së RS-së dhe Ushtrisë së Jugosllavisë kanë marrë pjesë në organizimin e “safarit”. Kush konkretisht dhe në çfarë niveli komandimi, apo ndoshta edhe vendimmarrje politike, nuk e di. Nuk kam asnjë informacion për rolin e autoriteteve në Pale. Më duhet të theksoj këtu se qëllimi ynë nuk ishte të identifikonim persona të caktuar, sepse, duke pasur parasysh delikatesën e temës, ai informacion as që na ishte në dispozicion.

Me sa di unë, filmi ynë është i pari që zbulon për publikun këtë histori të tmerrshme. Nëse dikush ka interes programimi dhe burime prodhimi, është i lirë të vazhdojë kërkimin, por duhet të përmend menjëherë se mbledhja e materialeve autentike dhe të besueshme është jashtëzakonisht e vështirë.

Kush ishin pjesëmarrësit e ‘safarit’; nga cilat pjesë të botës, cilat kombësi?

– Një burim përmend amerikanët, kanadezët dhe rusët, një tjetër italianët. Në çdo rast, ata ishin njerëz të fuqishëm dhe mjaft të pasur me një profil shumë specifik psikologjik.

    A kishte në mesin e tyre njerëz nga ish-Jugosllavia?

– Askush nuk e ka konfirmuar atë informacion.

A ishte Beogradi një pikë grumbullimi për transportimin e aventurierëve të huaj në fushën e betejës në Sarajevë?

– Beogradi atëherë kishte lidhje normale ajrore me vendet e huaja, dhe ende kishte një marrëveshje të veçantë logjistike. Një burim thotë se nga Beogradi janë dërguar me helikopter të Ushtrisë së Jugosllavisë në Pale, sipas një tjetër thuhet se janë transportuar me transport rrugor. Më të lartit në rang, më të fuqishmit dhe më të pasurit, ata ndoshta kishin kushte më komode për të udhëtuar në Sarajevë.

    Dëshmia e një vullnetari serb nga Paraqini tregon se ata ishin të veshur me mjete gjuetie. Cili ishte profili i njerëzve që erdhën për të vrarë qytetarët e Sarajevës – të pasur, me ndikim politik, psikopatë, aventurierë?

– Filmi ynë ngre më shumë pyetje sesa përgjigje. Është fare e sigurt se në atë laborator të së keqes që ne e quajmë glob ka edhe një lloj të veçantë njerëzish, të cilët, pa ndonjë arsye të jashtme, janë gati të qëllojnë mbi këdo që u del përpara: mbi një fëmijë, nënë, në çdo burrë apo grua anonime. Cilat nxitje të brendshme i shtyjnë ata që ta bëjnë këtë? Çfarë kënaqësie u ofron? Çfarë pushteti kanë ata që ua organizon dikush? Nga vijnë dhe ku kthehen?

Janë të panumërta pyetjet për të cilat nuk kam përgjigje. Por kjo nuk është e gjitha: shërbimet e huaja të inteligjencës e kanë ndjekur këtë fenomen dhe duket se askush nga komuniteti ndërkombëtar nuk ka ndërhyrë për të ndaluar këtë ‘safari’. Pse jo? Kjo është pyetja më e rëndësishme për mua.

    A i kanë paguar të gjitha këto dhe a keni ndonjë informacion se sa kushtonte, cila ishte tarifa për të marrë pjesë në ‘safari’, ku kishin mundësi të vrisnin njerëz si lojë?

– Po, të huajt paguanin shuma të mëdha, por askush nuk mund të më thoshte saktësisht se sa ishin. Një dëshmitar pohon se normat ishin më të larta nëse goditnin një fëmijë. I njëjti dëshmitar, i cili edhe vetë ka qenë disa herë i pranishëm në gjuetinë e kokave të njerëzve, thotë se shumica e të shtënave janë qëlluar nga rajoni i Gërbavicës.

Më lejoni të them edhe një gjë. Unë kam bërë shumë filma në karrierën time dhe asnjëri nuk ka qenë aq i errët sa ai. Kaq e zezë dhe kaq pesimiste. Por, nga ana tjetër, më duket jashtëzakonisht e rëndësishme që të gjithë ne që e kemi këtë mundësi – të përhapim njohuritë për fenomenologjinë e së keqes që është në qenien njerëzore. Të dish ta kundërshtosh atë të keqe. Por jo me të keqen e vet, por me të mirën individuale dhe të përbashkët. 

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat