Verstappen dhe Red Bull dominojnë në Japoni

Formula 1

Verstappen dhe Red Bull dominojnë në Japoni

Më: 7 prill 2024 Në ora: 11:06
Pamje nga gara

Max Verstappen fluturon në Suzuka të Japonisë dhe regjistron suksesin e tretë sezonal, në vetëm 4 gara të zhvilluara. Kampioni në fuqi i botës u nis i pari, pasi vendosi kohën më të mirë në provat zyrtare dhe më pas dhuroi një garë perfekte, duke kaluar vijën e finishit para të gjithëve.

Në Japoni për shkak të një incidenti shumë të shpejtë, mes Ricciardo dhe Albon në kthesën e tretë, gara nisi dy herë, por në fund triumfoi i zakonshmi Verstappen.

Ky sukses konfirmoi edhe njëherë se incidenti i dy javëve më parë në Australi me sistemin e frenimit, ishte vetëm një rast i izoluar për Red Bull, e cila nën drejtimin e Verstappen duket e pakonkurrueshme.

Përfundoi garën i dyti piloti tjetër i Red Bull, Sergio Perez, ndërsa në podium u ngjit edhe spanjolli i Ferrarit, Carlos Sainz. Një garë mjaft të mirë edhe në aspektin e strategjisë, bëri edhe Charles Leclerc, i cili u nis i teti, por e mbylli i katërti.

Piloti nga Monaco, bashkë me skuadrën Ferrari, zgjodhën strategjinë me një “pit stop”, e cila rezultoi efikase, ndonëse në fund Leclerc nuk ia doli të mbajë pas vetes shokun e skuadrës, Sainz, i cili e parakaloi në garë të lirë dhe pa urdhër nga ekipi.

Mbylli garën i pesti Lando Norris, i ndjekur nga Fernando Alonso, George Russell, Oscar Piastri, Leëis Hamilton dhe Yuki Tsunoda, me pilotin japonez që nuk shkoi përtej vendit të 10 në shtëpinë e tij.

Pas 4 garave të para, Max Verstappen kryeson renditjen për pilotë me 77 pikë, i ndjekur nga shoku i skuadrës, Sergio Perez me 64, Leclerc me 59 dhe Sainz me 55. Edhe renditja për skuadra kryesohet nga Red Bull me 141 pikë, i ndjekur nga Ferrari me 120 pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat