Opsioni i parë për Sainzin

Formula 1

Opsioni i parë për Sainzin

Më: 10 prill 2024 Në ora: 16:12
Carlos Sainz

Fillimi i vitit 2024 për Carlos Sainz është i jashtëzakonshëm, në tre Çmime të Mëdha të zhvilluara, pasi nuk ishte në atë të Arabisë për shkak të operacionit në apandesit, ka siguruar po kaq pode, mes të cilëve dhe një fitore, duke mundur në çdo rast shokun e skuadrës Charles Leclerc.

Aspak keq për një pilot që do të jetë i papunë në vitin 2025, kur Lewis Hamilton të marrë vendin e tij te Ferrari. Spanjolli në këtë mënyrë është kthyer në njeriun më të dëshiruar për disa drejtues skuadrash që kërkojnë një pilot për sezonin e ardhshëm.

Emri i tij është më i “nxehti” në merkato, natyrisht nëse nuk ndodh ndonjë lamtumirë e bujshme e Max Varstappen nga Red Bull. Opsionet për të ardhmen Sainz nuk i mungojnë, dhe ja cilat janë disa prej tyre;

Opsioni i parë për Sainz mund të jetë ai për të marrë sediljen e atij që do ta zëvendësojë, pra atë të Lewis Hamilton te Mercedes. Skuadra nga Brackley është e vetmja skuderi e madhe që është zyrtarisht në kërkim të një piloti për 2025 dhe me siguri që në listën e emrave të Toto Wolff është dhe ai i spanjollit të Ferrarit.

Mercedes mund t’i ofrojë Sainz një kontratë interesante nga këndvështrimi ekonomik, faktor që ka gjithmonë peshë. Spanjolli veç të tjerash do të gjente në skuadër George Russell, pilot shumë i mirë, por që nuk e tremb aspak Sainz.

RED BULL

Një tjetër sedilje shumë e dëshiruar që mund të lirohet është ajo e Sergio Perez te Red Bull. Meksikani është në skadencë kontrate dhe kjo e vë nën presion të madh, siç është zakoni për pilotët e skuadrës nga Milton Keynes.

Gjithsesi në këtë fillim sezoni Perez po bën atë që i kërkon skuadra, pra të arrijë finishin menjëherë pas Verstappen duke rritur mundësitë e rinovimit, por gjithsesi rreziku që vendi i tij të zihet nga Sainz është konkret.

Një tjetër opsion, sigurisht shumë i ndryshëm nga dy të tjerët, është ai për të shkuar te Sauber, që në 2026 do të behët Audi. Duke zgjedhur këtë pistë Sainz do të bëhej pika e referimit të skuadrës gjermane që do të futet në Formula Një me ambicie të mëdha për të respektuar emrin e markës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat