Sezoni 2023-2024 drejt verdikteve finale, por ja kush është skuadra me sulmin më të mirë deri më tani

Futboll

Sezoni 2023-2024 drejt verdikteve finale, por ja kush është skuadra me sulmin më të mirë deri më tani

Më: 26 shkurt 2024 Në ora: 18:04
Kane

Sezoni 2023-2024 ka hyrë në fazën më të nxehtë, por edhe më interesante, teksa në 6 kampionatet më të forta të kontinentit objektivat janë në lojë dhe gjithçka mbetet e hapur.

Por, kur ka kaluar më shumë se gjysma e sezonit është momenti edhe për të bërë disa llogari dhe një nga pyetjet më tërheqëse është se kush është skuadra me sulmin më të mirë për momentin.

Në vendin e parë pozicionohen holandezët e PSV Eindhoven, me skuadrën e Peter Bosz që ka shënuar 77 gola në 23 ndeshje, me një mesatare prej 3.3 gola për ndeshje, ndërsa kryeson në Eredivisie bindshëm me 10 pikë diferencë nga vendi i dytë, Feyenoord.

Më pas në vendin e dytë janë tre skuadra me kuotë të barabartë golash, pavarësisht se numri i ndeshjeve të luajtura nuk është i njëjtë.

Bayern Munich, Inter dhe Liverpool deri më tani kanë shënuar nga 63 gola deri në këtë pikë të sezonit.

Fillimisht pozicionohet Bayern Munich, kjo për faktin se bavarezët kanë luajtur 23 ndeshje, me një mesatare 2.7 gola për ndeshje, ndërsa në këtë sezon po lufton për titullin kampion, me rekordmenët e futbollit gjerman, të cilët qëndrojnë në vendin e dytë në kampionat me 8 pikë më pak se Bayer Leverkusen.

Në podium pozicionohet edhe Inter. Skuadra e Simone Inzaghi-t është thjesht perfekte në Serie A, me “zikaltrit” që kanë shënuar 63 gola në 25 ndeshje, me një mesatare prej 2.5 gola për ndeshje, teksa kryesojnë kampionatin italian me 9 pikë diferencë nga ndjekësi më i afërt, Juventus.

Më pas renditet Liverpool. Skuadra e Klopp gjithashtu ka shënuar 63 gola në Premier League, por në 26 ndeshje, me një mesatare 2.4 gola për ndeshje. Në “ishull” gara për titullin kampion është shumë e luftuar, me Liverpool që kryeson, por me Manchester City dhe Arsenal që i qëndrojnë shumë pranë.

Në vendin e pestë pozicionohet pikërisht skuadra e Mikel Arteta-s, me londinezët që kanë shënuar 62 gola në 26 ndeshje me një mesatare prej 2.3 gola për ndeshje.

Në fund, në vendin e gjashtë renditet momentalisht Bayer Leverkusen. “Aspirinat” po bëjnë një sezon fantastik në Bundesliga, teksa janë në rrugën e duhur drejt titullit të parë në histori dhe momentalisht kanë shënuar 59 gola në 23 ndeshje me një mesatare prej 2.5 gola për ndeshje.

Lista më pas vijon me Manchester City me 59 gola, Barcelona 56, PSG dhe Real Madrid me 54 gola.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat