Shifrat zgjedhin sërish Orges Shehin

Futboll

Shifrat zgjedhin sërish Orges Shehin

Më: 15 maj 2024 Në ora: 11:27
Orges Shehi

Tirana doli e pesta dhe nuk u kualifikua në katërshe, por në fund kapi Europën pasi Egnatia fitoi Kupën e Shqipërisë.

Gjatë një sezoni që nisi me një milion euro arkëtime nga Europa dhe më shumë se 500 mijë nga janari i merkatos, bardheblutë bënë gjithçka që të mos ishin në katërshe. Në fillim ndërruan tre trajnerë dhe më pas larguan gjashtë lojtarë në janar.

Një lëvizje që solli vetëm një vend të pestë, kjo falë edhe “dashurisë” së Egnatias dhe “urrejtjes” së Vllaznisë. gjithsesi, tej të gjithave Tirana duket se ka gabuar më shumë te trajnerët dhe ndërrimi i shpeshtë i tyre.

Këtë sezon skuadrën e kanë drejtuar Orges Shehi, Julian Ahmataj dhe Erbim Fagu. Drejtuesit e Tiranës kanë gabuar me Shehin, sepse ky i fundit është trajneri më rezultativ i bardhebluve. Në gjashtë javë që qëndroi ai mori 10 pikë. Mesatarisht ai ka marrë 1.67 pikë për takim. Me këtë ritëm në fund të sezonit, Shehi dhe Tirana do të kishin 60 pikë dhe do të ishin në “Final 4”.

AHMATAJ DHE FAGU – Të dy trajnerët që pasuan janë fotokopje e njëri-tjetrit. Të dy kanë marrë nga 1.33 pikë për takim. Ahmataj qëndroi 18 javë në krye të skuadrës dhe grumbulloi 24 pikë.

Nga ana tjetër, Fagu ishte në skuadër 12 javë, duke marrë 16 pikë. Si Fagu e Ahmataj janë njëlloj dhe shkurt, Halili ka gabuar që hoqi Shehin, por që largoi edhe elbasanasin. Trajneri i tretë nuk bëri më shumë se Ahmataj dhe thjesht, Tirana do të mbahet mend që ka ndërruar tre trajnerë.

Edhe një herë tjetër, Shehi jo vetëm që kalon trajnerët e tjerë, por është më i suksesshmi edhe në këtë sezon të keq.

Me bardheblutë, Shehi ka 120 ndeshje, duke qëndruar rreth 1000 ditë në krye të skuadrës.

Ai është trajneri më jetëgjatë i epokës “Halili”. Me bardheblutë, Shehi fitoi një titull, një Superkupë të Shqipërisë, doli i dyti dhe arriti një finale të Kupës së Shqipërisë, duke u mundur nga Egnatia sezonin e shkuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat