Testit anti doping i nënshtrohet edhe Ronaldo

Futboll

Testit anti doping i nënshtrohet edhe Ronaldo

Më: 15 maj 2024 Në ora: 11:52
Ronaldo

Cristiano Ronaldo iu nënshtrua një testi të papritur antidoping, së bashku me disa nga shokët e tij të Al Nassr. Stafi i komisionit përkatës saudit kreu një “blitz” të martën në mbrëmje në qendrën stërvitore të ekipit, në të cilin luan kampioni 39-vjeçar nga Madeira. Ronaldo ishte në mesin e lojtarëve, nga të cilët u morën mostra për analiza antidoping.

Kjo vizitë jo vetëm që e befasoi klubin e Ronaldos, thonë mediat saudite, por ndezi edhe zemërimin e tyre, duke pasur parasysh momentin e veçantë në të cilin ndodhi. Në fakt, kanë mbetur vetëm pak ditë nga ndeshja e shumëpritur ku Al Nassr do të përballet me liderët e ligës, Al Hilal, të cilët rrëmbyen titullin duke dominuar nga fillimi në fund të kampionatit.

Ndeshja nuk ka asnjë peshë për renditjen, duke qenë se edhe diferenca mes ekipit të CR7, i dyti, dhe Al Hilal është e dukshme, nuk mund të kapërcehet më me tri ndeshje ende për t’u luajtur. Sidoqoftë, rivaliteti që është zhvilluar muajt e fundit mes dy skuadrave në fjalë është shumë i lartë dhe ndeshja e së premtes, në shtëpinë e Al Nassr, pritet si të ishte finale.

Nuk dihen ende rezultatet e testeve, ashtu siç nuk dihet nëse zyrtarët e antidopingut do të vizitojnë edhe Al Hilal, siç do të dëshironin tifozët e Al Nassr, të cilët kanë vërshuar mediat sociale me mesazhe, duke kërkuar trajtim të barabartë për në prag të ndeshjes së madhe që do të shohë në fushë, ndër të tjera, Ronaldo, Mané dhe Brozovic në njërën anë dhe në anën tjetër Milinkoviç-Savic, Koulibaly e Mitrovic, me Neymar në tribunë, teksa po riaftësohet, i cili është kthyer në Arabinë Saudite pas periudhe të gjatë të kaluar në Brazil, pas operacionit.

Kjo përballje do të jetë si “meze” e ndeshjes shumë më të rëndësishme që dy skuadrat do të zhvillojnë më 31 maj, finalen e Kupës së Mbretit. Në rast fitoreje, mund të jetë titulli i parë i Ronaldos që kur u transferua në Lindjen e Mesme, në fillim të vitit të kaluar. Shifra e tij personale mbeten monstruoze: 42 gola në 41 ndeshje të luajtura në të gjitha garat, shto këtu edhe 12 asiste. Jo keq për një 39-vjeçar, kujdesi obsesiv i të cilit për trupin e tij mbetet ende i paprekur, si uria e pashtershme për gola.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat