Partizani gati

Futboll

Partizani gati

Më: 22 maj 2024 Në ora: 14:49
Foto ilustrim

Partizani drejt finales së madhe të titullit me objektivin për të mbrojtur kurorën e kampionit, dhe motivet për të besuar në kampin e kuq nuk mungojnë. Skuadra e Orges Shehit shkon në takimin e së dielës me Egnatian pas një serie prej 6 fitoresh radhazi, pra në formë optimale.

“Demat” kanë barazuar rekordin e arritur kur në stol ishte Abilaliaj. Dhe mrekullia e shtatë do të përkthehej në titullin e 18-të në histori. Një tjetër avantazh është thellësia e grupit. Me Shehin që pas Vllaznisë deklaronte se do të donte të hidhte 20 titullarë në fushë.

Të kuqtë kanë ditur të shfrytëzojnë kualitetin e një pankine me shumë lojtarë pa diferenca me 11-shen e parë. Për të mos u harruar edhe aftësia e skuadrës për të ushtruar presion ndaj kundërshtarit përgjatë gjithë kohës. Falë forcës fizike të grupit.

Partizani është një skuadër shumë e fortë fizikisht. Dhe jo rastësisht shumë nga fitoret e rëndësishme të të kuqve janë “gatuar” në pjesët e dyta, kur rivalët nuk kanë arritur të mbajnë ritmin e djemve të Shehit.

Një tjetër faktor, eksperienca. Partizani ka në gjirin e tij shumë kampionë, të kalitur me presionin e një sfide të madhe si kjo ndaj ekipit rrogozhinas ku një rol të madh luan edhe aspekti psikologjik.

Faktor vendimtar në një ndeshje teke janë pa dyshim tifozët. E lehtë të imagjinohet se në finalen e të dielës, “Air Albania” do të dominohet nga ngjyra e kuqe, një shtysë më tepër drejt titullit.

E fundit por jo më pak e rëndësishmja: Superkupa e Shqipërisë. Partizani e fitoi këtë vit pikërisht përballë Egnatias, duke treguar se në një ndeshje të vetme që vlen trofeun, është i aftë të mposhtë dhe atë që konsiderohet si skuadra më e bukur e këtij kampionati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat