Egnatia një hap larg ëndrrës së madhe

Futboll

Egnatia një hap larg ëndrrës së madhe

Më: 22 maj 2024 Në ora: 17:48
Foto ilustrim

Egnatia në kërkim të historisë! Skuadra rrogozhinase kërkon titullin e parë kampion që prej krijimit të klubit, një arritje madhështore për një skuadër të një qyteti të vogël që deri para pak vitesh nuk figuronte në elitën e futbollit shqiptar.

Përballë është Partizani në finalen e madhe të 26 majit në “Air Albania” (19:00). E megjithatë, motivet për të besuar te suksesi për skuadrën e Edlir Tetovës janë të shumta.

Pikë së pari ata janë fituesit moralë të këtij kampionati. Kryesuan që në javët e para duke e mbyllur në udhëheqje deri në të 36-n, dhe në një kampionat të rregullt do të kishin ngritur tanimë trofeun.

Një lidership që ka forcuar te grupi vetëbesimin e mjaftueshëm për të parë me kurajën e duhur çdo kundërshtar. Pavarësisht emrit apo fanellës.

Egnatia nuk do të ketë avantazhin e tifozerisë, por në fushë tifozët nuk kanë shënuar kurrë ndonjë gol. Dhe në fushë Egnatia luan futbollin më tërheqës.

Harmonia e lojës dhe kualiteti në sulm është në krahun e saj, me lojtarët e vijës së parë që në kombinimet me njëri tjetrin janë fatalë për çdo mbrojtje kundërshtare. Diçka që te Partizani e dinë mirë.

Një tjetër arsye për të besuar, është uria për të fituar. Jo se te Partizani mungon, por tek Egnatia e dinë se nëse ia dalin do të ishte një arritje madhështore.

Që do të mbetej për dekada të tëra në librat e historisë. Ku gjithë kjo skuadër do të kishte të garantuar emrin e saj.

Për sa i përket “presionit” nga tribunat, që do të dominohen nga ngjyra e kuqe, Egnatia e ka provën e freskët pikërisht te gjysmëfinalja me Vllazninë.

Ku edhe pse kuqeblutë shkodranë ishin më të shumtë e më të zjarrtë, u larguan të eliminuar nga skuadra që kërkon të bëjë mrekullinë këtë të diel.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat