Zhang: Nuk isha gati për lamtumirë

Futboll

Zhang: Nuk isha gati për lamtumirë

Më: 25 maj 2024 Në ora: 14:17
Zhang

“Lamtumirat nuk janë kurrë të lehta, sidomos kur duhet t’i thuash lamtumirë dikujt që dashuron.

Në fillim të presidencës sime premtova se do ta ktheja Interin në krye, ku ka qenë gjithmonë.

Ylli i dytë legjendar është dëshmia e suksesit tonë.

Pas investimeve të rëndësishme, Interi është shndërruar në një klub modern, inovativ dhe fitues.

Tek Interi kam gjetur njerëz që janë si familje për mua sot. Ju kërkoj ta doni Interin tonë. Për mua ishte nderi më i madh i jetës”.

Me një postim të gjatë “social”, Steven Zhang, ish-presidenti i zikaltërve, përshëndeti Interin pas fillimit të epokës së “Oaktree”, fondi që mori klubin për shkak të mos shlyerjes së kredisë milionere të marrë në vitin 2021. Një mesazh që nxjerr emocion dhe krenari, me justifikimin e qartë të punës së madhe të bërë, thelbësore për ta rikthyer klubin në nivelet më të larta.

Kjo është letra e gjatë dhe e plotë e Zhang, e publikuar në Instagram me ngjyrat zikaltër në sfond: “Të dashur tifozë të Interit, lamtumirat nuk janë kurrë të lehta, sidomos kur duhet t’i thuash lamtumirë dikujt që dashuron. Në jetë, gjithçka ka një fillim dhe një fund. E dija që një ditë do të më duhej të thoja lamtumirë.

Herën e parë në një ndeshje futbolli nuk e kisha idenë se çfarë më priste. Emocionet e pabesueshme që ndjeva atë ditë më pas kanë udhëhequr vendimet e mia gjatë gjithë këtyre viteve, duke më mbushur me pasion, gëzim dhe kaq shumë dashuri. Që atëherë unë jam rritur shumë në nivel personal, do ta mbaj të gjithë këtë përgjithmonë në zemrën time.

Në fillim të presidencës sime premtova se do ta ktheja Interin në krye, ku ka qenë gjithmonë. Në këto tetë vite kemi fituar shtatë trofe, dy finale evropiane dhe kemi fituar dy herë kampionatin e Serie A. Ylli legjendar i dytë është një dëshmi e suksesit tonë.

Pas investimeve të konsiderueshme në orët e panumërta të punës, Interi është shndërruar në një klub modern, inovativ dhe fitues, në nivelin më të lartë të futbollit evropian. Mesazhet nga të gjithë ju duhet të pranoj se më bënë të ndihem i dashuruar, por edhe ma vështirësuan këtë lamtumirë. Do të mbeteni pjesë e jetës sime.

Dëshiroj të shfrytëzoj rastin të falënderoj të gjithë menaxherët e mi, Ale dhe Beppe, Javier, Piero, Dario, Luca, Matteo, Angelo, Andrea, Lionel, Mark… që më duruan, më mbështetën, më mbrojtën dhe më mësuan të bëhesha president. Gjithashtu dua të falënderoj të gjithë stafin tonë, i cili nga ‘Viale della Liberazione’, ‘Appiano’, ‘Interello’ dhe ‘San Siro’ kanë punuar me zell për të rritur klubin dhe arritur sukseset e pabesueshme të Interit tonë të dashur.

Falënderime ndaj ish-lojtarëve tanë dhe kampionëve aktualë me dy yje. Shumë prej jush më trajtuat si mik, duke më përfshirë mua në grupin tuaj sikur të isha njëri prej jush. Lidhja që kishim shkoi përtej asaj midis presidentit dhe lojtarëve.

Mirënjohja gjithashtu shkon për të gjithë trajnerët tanë, veçanërisht për Simone Inzaghi, një njeri me vlera të forta në zemrën e tij, të cilin pata fatin ta kisha trajner gjatë presidencës sime. Më në fund, Interi nuk do të ishte ky pa tifozët tanë fantastikë.

Faleminderit të gjithëve për mesazhet tuaja të bukura. Me të vërtetë do të thotë shumë për mua në këto momente emocionesh të mëdha. Mezi pres të bashkohem me ju në tribunat e ‘San Siros’ duke kënduar për Interin tonë, ndoshta nga ‘Curva Nord’”.

Në fund mesazhi për “Oaktree”: “Atyre që do ta çojnë këtë klub përpara, ju lutemi ta doni Interin tonë, të mbroni njerëzit e tij dhe mbi të gjitha të respektoni vlerën e tij themelore. Është një nder i madh dhe përgjegjësi e madhe të merrni timonin e Interit. Trajtojeni me dashuri dhe kujdes, Interi do t’jua shpërblejë me rezultate të mëdha, emocione dhe gëzim. Unë do të mbetem gjithmonë një nga ju, Steven”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat