Partizani - Egnatia, titulli kampion sjell edhe “lumë parash”

Futboll

Partizani - Egnatia, titulli kampion sjell edhe “lumë parash”

Më: 26 maj 2024 Në ora: 11:09
Foto ilustrim

Kategoria Superiore do të ulë siparin e sezonit 2023-2024 mbrëmjen e të dielës në “Air Albania”, aty ku Partizani dhe Egnatia do të përballen në finalen për titullin kampion.

Një kampionat i zhvilluar për herë të parë me një formulë risi, ku katër skuadrat e renditura të parat u përballën në një mini-turne të emërtuar “Final 4”, nga i cili Partizani dhe Egnatia ia dolën të sigurojnë finalen dhe duke nisur nga ora 19:00 do të duelojnë për titullin kampion.

Dy skuadrat do të zbresin në fushë jo vetëm për prestigjin që të jep triumfi në kampionat, por edhe për një lumë milionash, që janë shtuar ndjeshëm, qoftë nga shpërblimet e FSHF-së për fituesin, qoftë nga ato të UEFA-s.

Kështu FSHF ka shpërblyer tashmë klubet në bazë të renditjes, me vendin e parë (Egnatian) që mori plot 100 milionë, vendin e dytë (Partizanin) 70 milionë, të tretin (Vllazninë) 50 milionë dhe të katërtin (Skënderbeun) 20 milionë.

Këto ishin shpërblimet e FSHF-së, të miratuara për sezonin e rregullt, por nuk mbaron me kaq, pasi fituesja e titullit kampion në finalen e të dielës do të arkëtojë edhe 100 milionë të tjera.

Nëse titulli shkon në Rrogozhinë, atëherë Egnatia do të marrë në total 200 milionë lekë nga Federata Shqiptare e Futbollit, ndërsa nëse triumfon Partizani, atëherë të kuqtë do të arkëtojnë 170 milionë lekë në total.

Por nuk mbaron me kaq, pasi shumë më të majme janë shpërblimet që vijnë nga UEFA. Qeveria Europiane e Futbollit do të paguajë plot 260 mijë euro për fituesen e titullit kampion në Shqipëri, para të cilave do t’u shtohen edhe të tjera si shpërblime për pjesëmarrjen në eliminatoret e kompeticioneve europiane.

Kështu duke llogaritur shpërblimin prej 175 mijë eurosh për çdo tur të luajtur në Europë dhe 350 mijë eurosh shpërblim pas eliminimit, atëherë klubi kampion i Shqipërisë ka të sigurta rreth 700 mijë euro nga pjesëmarrja në Europë, edhe nëse nuk kalon asnjë tur.

Kjo pasi skuadra kampione do të garojë në turin e parë eliminator të Champions League, ku do të shpërblehet me 175 mijë euro dhe në rast eliminimi, do të garojë në turin e dytë të Conference League, ku do të marrë edhe 175 mijë euro të tjera.

Këtyre 350 mijë eurove, do t’u shtohen edhe 350 mijë euro të tjera, nëse eliminohen që në turin e dytë të Conference League, shifra këto që çojnë shpërblimin nga UEFA në 700 mijë euro, edhe nëse nuk kalojnë asnjë tur eliminator.

Thënë ndryshe, Partizani dhe Egnatia luajnë në “Air Albania” për titullin kampion, por edhe për një milionë e 60 mijë euro, shifra këto tejet të konsiderueshme për buxhetet e klubeve shqiptare, por që mund të shtohen edhe më shumë, nëse titulli shoqërohet me një ecuri pozitive në turet eliminatore të kompeticioneve europiane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat