Tetova i beson ekipit fitues

Futboll

Tetova i beson ekipit fitues

Më: 26 maj 2024 Në ora: 11:11
Egnatia

Fakti që të gjithën presin titullin kampion ka bërë që tek Egnatia të rriten edhe më shumë përgjegjësitë.

Trajneri Edlir Tetova ka punuar shumë këto ditë për të perfeksionuar rreshtimin dhe strategjinë e lojës që do të ndjekin rrogozhinasit në “Air Albania” për të mposhtur Partizanin. Durrsaku i stolit të Egnatias ka fiksuar edhe 11 lojtarët që do të zbresin në fushë nga minuta e parë.

FORMACIONI – Trajneri Tetova pritet që t’u besojë sërish futbollistëve, të cilët mundën Vllazninë në gjysmëfinale të “Final 4”. Në portë do të luajë Alen Sherri, shkodrani që prej dy vitesh ka qenë një nga pikat më të forta te rrogozhinasit.

Në mbrojtje do të luajnë Fransua Dylis, Renato Malota dhe Arbenit Xhemajli, tre lojtarë me centimetra dhe muskuj për të përballuar ofensivën e kundërshtarin.

Në krahë, për të ndihmuar ekipin në të dyja fazat e lojës, do të jenë Edison Ndreca nga e majta dhe Abdurrahman Fangaj nga e djathta. Në mesfushë, që është edhe një nga pikat më të forta të kësaj skuadre, do të jetë treshja e përbërë nga Albano Aleksi në rolin e regjisorit dhe Arbin Zejnullai dhe Fernando Medeiros nga krahët.

Të tre këta lojtarë, përveç kilometrave që bëjnë, dinë të zgjidhin ndeshjet edhe me golat e tyre. Në rolin e fantazistit do të aktivizohet turku Melih Ibrahimoglu, i cili duket se është në formën optimale. Ai do të veprojë pas shpinës së sulmuesit të vetëm, Jurgens Montenegro. Lojtari i ardhur në merkaton e dimrit u shënoi të kuqve dy gola në fazën e katërt dhe të njëjtën gjë do të përpiqet të bëjë edhe të dielën. Egnatias nuk i mungojnë alternativat nga stoli..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat