Para 25 viteve Tetova nderoi Kosovën! Ajet Shosholli tregon si ia doli me yje që të luajnë një ndeshje humanitare

Futboll

Para 25 viteve Tetova nderoi Kosovën! Ajet Shosholli tregon si ia doli me yje që të luajnë një ndeshje humanitare

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 12 qershor 2024 Në ora: 18:14
Ajet Shosholli

Data 12 qershor e vitit 1999, gjithmonë do të shkruhet me shkronja të arta.

Me këtë datë u çlirua Kosova nga okupatori serb.

Me këtë datë është zhvilluar ndeshja humanitare mes Prishtinës dhe seleksionit të Tetovës.

Gjitha të ardhurat e kësaj ndeshje përmes organizatës humanitare EL- Hilall ju shpërndan refugjatëve nga Kosova që ishin në kampet e Maqedonisë.

Futbollistët që iu përgjigjen ftesës: Xhemail Zeqiri, Arsim Abazi, Isa Sadriu, Gani Llapashtica, Sunaj Keçi, Arbnor Morina, Kujtim Shala, Adil Vokrri, Muharrem Sahiti, Afrim Tovërlani, Harun Isa, Ardian Kozniku, Suad Keçi dhe Erxhan Menga.

Selektori i parë i kombëtares së Kosovës, trajner i trajnerëve Ajet Shosholli, tregon se si ia doli që t’i mbledhin yjet në Tetovë, për ndeshjen humanitare.

“Viti 1999 nuk harrohet kurrë, eksodi popullatës shqiptare. Mendoj refugjatët që ishin nga Kosova qoftë në Maqedoni qoftë në Shqipëri.

Në atëkohë isha refugjatë në Maqedoni, në qytetin e Tetovës.

Në muajin maj me lindi ideja, ku njerëzit që merrem me një lëmi nuk mund të rrijnë rehat, ishte ideja ime që të organizohet ndeshja humanitare.

Në atëkohë kishim shumë futbollistë të Prishtinës, që cilët ishin refugjatë qoftë në Tetovë, në Maqedoninë Veriore, Gostivar, Strugë, Kumanovë, Shkup etj. siç ishte Arbnor Morina, Afrim Tovërlani, Adil Vokrri, Suad Keçi, Milaim Humolli etj, pastaj kishim edhe disa anëtar të kryesisë, si drejtori Shinasi Berisha, nënkryetari Zymer Zeqiri në Shkup, Arbon Desku në Tetovë.

Thjesht lindi ideja që të organizojmë ndeshje humanitare për refugjatë që ishin në Maqedoni. Ia konfirmova idenë time drejtorit Berisha dhe nënkryetarit Zeqiri, të cilët ata ishin në Shkup në ndeshjen finale të Kupës së Maqedonisë, ku në kafiteri ia propozova idenë time dhe ata me thanë që është shumë e vështirë.

Mirëpo më thanë provoje dhe nuk kishte problem për futbollistët që ishin në Maqedoni, ishte puna si ti mbledhim futbollistët që luanin anekënd Evropës”, tregon Shosholli për gazetën kombëtare “Bota sot”
Trajneri i trajnerëve tregon se cili ishte personi që ia la zyrën dhe telefonin që të kontaktojë me futbollistët nëpër Evropë. 

“Edhe sot e asaj dite e falënderoj TV Kohën kryesisht Mevaip Aliun, duke e ditur idenë dhe vizionin që unë ia shpalosa, ma dha zyrën në shtëpi të kohës, çelësin e zyrës dhe telefonin në dispozion dhe fillova kontaktet me futbollistët që ishin për jashtë (Evropë) duke filluar prej Ardian Koznikut, Kujtim Shalës, Muharrem Sahitit, Isa Sadriut, Suad Keçit, Harun Isës etj.

Normal edhe më këta që ishin në Tetovë dhe qytetet tjera, konfirmuam ardhjen.

Të organizohet një ndeshje e tillë në një shtet tjetër çka ka qenë shumë vështirë, mirëpo duke iu falënderuar miqve që i kemi pas në Tetovë, kohën që kam qenë në Shkëndijë në vitet 1995-1997, ku për herë të parë kemi hyrë në ligën e parë të Maqedonisë, kemi pas shumë miq dhe me ndihmën e tyre, me marrë leje”, tha Shosholli.

Kontribut kishte dhënë edhe Shaban Sejdiu, pasi që në atëkohë kishte pozitë të lartë.

“Më kujtohet edhe kjo, Shaban Sejdiu ishte zëvendësministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Maqedoni e ministër ishte Boev.

U takuan me Shaban Sejdiun unë e Shinasi Berisha. Shaban Sejdiu na tha që unë një gjë mund të bëj, t’ua caktoj terminin me ministrin Boev. Ja shpjegova se është ndeshje miqësore, duke kamufluar se nuk është asgjë politike por sportive. Kozniku, Shala, Sahiti, Sadriu, nuk kanë qenë emra që nuk njiheshin sepse i kishin familjet këtu, do të vijnë mi vizituar familjet dhe jemi munduar me organizuar ndeshjen humanitare.

Pas 3-4 ditëve u miratua kërkesa jonë që të organizojmë këtë ndeshje, për ne këshillin organizativ, në atë këshill ishin njerëz të kryesisë së Prishtinës, edhe Enver Sylejmani, Açif Memeti, dikur ka qenë futbollist i Lirisë dhe Teteksit.

Kuptuam edhe njerëz të Shoqatës Bamirëse El Hilall, të cilët ata ishin që do ti shpërndanin mjetet për refugjatët e Kosovës.

Mënyrë instiktive e kemi caktuar datën me 12 qershor jo që e kemi ditur që do të futet këmbësoria e NATO-s në Kosovë me këtë datë sepse kur e kemi vendosur ka qenë fundi i muajit maj. Mirëpo, gjatë jetës sime, përvojës jetësore, jeta më ka mësuar kur njeriu mendon diçka mirë del edhe më mirë, doli kjo datë jo e qëlluar por e stërqëlluar, sepse 12 qershori ishte dita e hyrjes së NATO-s, ishte ditë e shtunë, me emra të njohur që u paraqitën në fushën e lojën dhe ishin prezent afër 12 mijë shikues.

Atmosferë ishte impozante, kur dëgjonim publikun Prishtina, Prishtina, Prishtina, ishte emocionale.

U mblodhën afër 12 mijë marka gjermane të cilat i shpërndau shoqata El Hilall në Stankovec 1, 2, Bllacë e Çegran, ku ishin refugjatët tanë. Falënderoj gjithë Tetovën të cilët na mundësuan të organizojmë këtë ndeshje.

Me qytetin e Tetovës me lidhin shumë kujtime të mira, sepse në muajin prill të vitit 1992 kombëtarja e Kosovës ka luajtur ndeshjen e parë të saj me Shkëndijen, me të cilën isha trajner dhe hyjmë në ligën e parë në Maqedoninë në vitin 1995-1996.

Ky vit ishte i paharrueshëm”, ka përfunduar Shosholli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat