76 vjet nga masakra e Tivarit

Historia

76 vjet nga masakra e Tivarit

Më: 30 mars 2021 Në ora: 07:08
Masakra e Tivarit

Sot bëhen 76 vjet nga masakra më e madhe e kryer ndaj shqiptarëve në Tivar, më 30 mars 1945.

Lufta Nacionalçlirimtare apo Lufta e Dytë Botërore sapo kishte përfunduar edhe në Kosovë. Populli shqiptar, i gjendur dhe i rivendosur pa dëshirën e tij në Jugosllavi, megjithatë shpresonte se gjendja e tij do të ndryshonte rrënjësisht në krahasim me paraluftën. Shpresonte për bashkimin me shtetin amë dhe shpresonte për lirinë e fituar në luftë me gjak. Por, në vend se ta gëzonte lirinë e fituar, regjimi serb kishte planifikuar e realizuar masakra masive kudo.

Pranvera e vitit 1945 kishte ardhur e zezë si nata - skëterrë. Numëroheshin njëra pas tjetrës masakrat, vrasjet masive, burgosjet dhe plaçkitjet e një populli të lodhur nga lufta, nga varfëria dhe nga robëria e gjatë.

Në dimrin e ftohtë të vitit 1945 “çlirimtarët” jugosllavë iu kishin vërsulur nga të gjitha anët Kosovës dhe viseve tjera shqiptare për t’i gëlltitur ato. Kurse, për ta bërë gllabërimin më të lehtë, njësitë vendore partizane, si aradhet, çetat, batalionet e brigadat, ishin dërguar në frontet e luftës jashtë vendit, kudo nëpër Jugosllavi, gjoja për t’i plotësuar njësitë partizane të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë.

Pos kësaj, regjimi i ri jugosllav kishte mobilizuar dhunshëm dhjetëra-mijëra shqiptarë të tjerë për t’i dërguar në frontet e luftës në Dalmaci, Srem e kudo nëpër Jugosllavi. Por, në vend se në frontet e luftës, në muajt mars - prill 1945, shovinistët serbë, maqedonas e malazezë kryen vrasje monstruoze e masakra të papara mbi ushtarët – rekrutët duarthatë shqiptarë.

Regjimi serb – jugosllav më 8 shkurt 1945 vetëm në Kosovë kishte vendosur administratë ushtarake, e cila udhëhiqej plotësisht nga ushtarakët serbo – malazezë. Me urdhër të veçantë të kreut ushtarak jugosllav, kishte filluar edhe mobilizimin e dhunshëm të shqiptarëve. Të mobilizuarit ishin ndarë në dy pjesë: një pjesë u dërgua në Frontin e Sremit, kurse pjesa tjetër në Frontin e Adriatikut (mbi 22 mijë ushtarë). Pjesa e dytë e të mobilizuarve apo e rekrutëve shqiptarë u grumbulluan fillimisht në Prizren, ku qëndruan disa ditë, ku u çarmatosën dhe ku u ndanë në eshalonë e njësi tjera ushtarake. Pastaj vazhduan rrugën drejt Tivarit, nëpër Kukës, Fushë-Arrës, Pukë e Shkodër, por me komandën serbe të Divizionit 46-të të Serbisë. Gjatë rrugës këmbë e nëpër të ftohtë, pa ushqim dhe duke mos lejuar ta shuanin etjen, u vranë qindra ushtarë shqiptarë. Me të arritur në Tivar, më 1 prill 1945, pasoi një masakrim masiv i ushtarëve – rekrutë shqiptarë.

Aty janë vrarë, pa asnjë shkak, sipas disa shënimeve, mbi katër mijë ushtarë. Më 18 prill, me një metodë tjetër, atë të ngulfatjes me gaz helmues, në Raguzë (Dubrovnik), janë vrarë edhe 1300 shqiptarë të tjerë. Në qytetin Trogir në Dalmaci u mbytën në det, pas fundosjes me një anije, së paku 29 shqiptarë – ushtarë rekrutë. Numri i saktë i ushtarëve – rekrutëve shqiptarë të vrarë gjatë rrugës nëpër territorin shqiptar, në qytetet e Tivarit, të Raguzës e Trogirit, asnjëherë nuk është mësuar.

Politika e pushtet mbajtësve të ri serbë – jugosllavë nuk ndryshonte thuajse aspak nga politika shfarosëse e regjimeve serbe të paraluftës. Shqiptarët akuzoheshin padrejtësisht. Ndaj tyre udhëheqja politike e ushtarake serbe, malazeze e maqedonase kishte krijuar një qëndrim tendencioz dhe disponim thellësisht armiqësor, që reflektonte më vonë gjatë të gjitha zhvillimeve politike për Kosovën, me veprime të padrejta, shoviniste e fashiste, duke e “zhvlerësuar” Rezolutën e Bujanit, duke vendosur administratë ushtarake, duke e manipuluar e dhunuar votën në Konferencën e Prizrenit, duke dërguar në Kosovë njësi ushtarake nga Serbia e nga Maqedonia për të bërë krime, duke e çarmatosur popullsinë vendase, duke bërë arrestime të shumta, duke hapur dosje për secilin intelektual dhe shqiptar patriot, duke i eliminuar shqiptarët nga pushteti dhe administrata, duke e bërë mobilizimin e dhunshëm vetëm të shqiptarëve, duke masakruar ushtarët - rekrutët e mobilizuar, por edhe popullsinë duarthatë, duke i dërguar shqiptarët nëpër frontet e luftës jashtë Kosovës e për t’i përdorur ata si “mish për top”, duke i detyruar të shpërnguleshin në Turqi.

Ishte thënë se mobilizimi po bëhej për plotësimin e njësive ushtarake të Armatës Popullore të Jugosllavisë për pjesëmarrje në operacionet çlirimtare. Por, të mobilizuarit shqiptarë nga Kosova dhe pjesa shqiptare e Maqedonisë nuk u dërguan në frontet e luftës, as në operacionet për çlirimin e Jugosllavisë.

Ata, në vend se në frontet e luftës, u vranë nga eprorët e tyre, nga komanduesit e tyre, duke përjetuar golgotën e vuajtjeve të pambarim e të vrasjeve të pashembullta në histori, si gjatë rrugëtimit “për në frontet e luftës”, ashtu edhe në vendet (e planifikuara) për vrasjen masive të tyre; në Tivar, në Raguzë, në Trogir.

Të mobilizuarit shqiptarë – rekrutët e çarmatosur kishin mbetur rrugëve, kishin mbetur nën komandën dhe nën mëshirën e eprorëve dhe të ushtarëve serbë.

Ata ishin të këputur e të lodhur, të uritur e të etshëm, pa ushqim, pa kujdes dhe në kushte tepër të vështira. Prandaj, vrasjet masive në Tivar, në Raguzë e në Trogir kishin përmasa të krimeve të papara e tepër monstruoze, kishin përmasa të masakrave e të gjenocidit. Këto vrasje nuk mund të cilësohen ndryshe, pos si shfryrje të epsheve shoviniste e fashiste të kreut ushtarak e politik jugosllav, e veçanërisht të kreut serb, malazez dhe maqedonas, përgjegjës të drejtpërdrejtë të këtyre ngjarjeve tragjike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat