Gjenocidi serb në Shqipëri - 1913

Historia

Gjenocidi serb në Shqipëri - 1913

Nikë Gashaj     Nga Nikë Gashaj Më 7 gusht 2021 Në ora: 17:08
Foto arkiv

Në maj 1913 Fuqitë e Mëdha u kërkuan trupave serbe e malazeze të tërhiqeshin nga Shqipëria Qendrore dhe Veriore të pushtuara prej tyre. Serbia, nga zemërimi që po humbte portet e Shkodrës dhe të Durrësit, la pas një vazhdë shkatërrimesh gjatë tërheqjes së trupave të saj. Ashtu që në shtator 1913 shpërtheu një valë e re mizorish. Më 20 shtator ushtria serbe mori me vete të gjithë gjedhët e Malësisë së Dibrës. Barinjtë u munduan të mbroheshin dhe luftuan, por u vranë të gjithë.

Serbët vranë gjithashtu dy prijës të fisit të Lumës, Mehmet Ademin e Xhafer Elezin, dhe nisën të plaçkitnin e të digjnin të gjithë fshatrat që hasnin gjatë rrugës(dhjetë). Në të gjithë këta fshatra serbët kryen akte masakrash të tmerrshme dhe dhunime grash, fëmijësh e pleqsh… Duke hyrë në fshatrin e Porçasit, ushtria serbe i nxori të gjithë burrat jashtë fshatit dhe pastaj dërgoi atje gratë që t’u merrnin para si shpërblim për lirimin e tyre; burrat e gjorë i kishin mbyllur në xhami, të cilën e hodhën në erë me katër predha. Në fshatin e Sulpit 73 shqiptarë pësuan një vdekje të tmerrshme, kurse 57 të tjerë nga fshati Çolopek u vranë në mënyrë të shëmtuar. Prefekti i Krushevës i kërkoi ushtrisë serbe haptas që të digjnin të gjitha fshatrat në ndodheshin midis Krushevës dhe Ohrit.

Në një letër të një ushtari serb , që u botua më 22 tetor të atij viti, thuhet: Nuk kam kohë t’ju shkruaj gjatë, por do t’ju tregoj për gjërat e tmerrshme që po ndodhin këtej. Jam tmerruar prej tyre dhe vazhdimisht pyes veten se si mund të bëhet njeriu kaq barbar, sa të kryejë mizori të tilla. Është e tmerrshme. Nuk ma mban të them më shumë, por mund t’ju them se Luma (një fshat shqiptar anës lumit me të njëjtin emër), nuk ekziston më. Nuk kanë mbetur veçse kufoma, pluhur e hi. Ka fshatra me 100, 150 dhe 200 shtëpi, ku nuk gjendet më këmbë njeriu. Njerëzit i mbledhim në tufa me nga dyzet a pesëdhjetë vetë dhe pastaj i shpojmë me bajoneta deri tek i fundit (Edwin Jacques: Historia e Popullit Shqiptar nga Lashtësia deri në ditët sotme, Carolina, USA, 1995, f. 379).

Bie erë plaçkitje gjithandej. Oficerët u thanë ushtarëve që të shkonin në Prizren e të shisnin gjënë e vjedhur. Gazeta që botoi këtë letër shtonte: “Miku ynë na tregon për gjëra më të frikshme se këto(!), mirëpo ato janë aq të tmerrshme dhe sfilitëse, saqë preferojmë të mos i botojmë”.

Atë tetor një ushtri serbe prej 60.000 vetësh shkretoi krahinat e Dibrës, Strugës, Liqenit të Ohrit dhe Gollobordës në Shqipërinë Qendrore, si edhe Gashin, Krasniqin e Valbonën në veri.

B. Peel Uillet, një agjent i ndihmës amerikane, shkroi një raport rreth vëzhgimeve të tij.

Në Shqipërinë Veriore trupat serbe shkatërruan njëqind fshatra pa paralajmërim, pa asnjë provokim dhe pa kurrfarë arsyeje…12.000 shtëpi u dogjën e u hodhën në erë, 8.000 bujq u vranë ose u dogjën të gjallë, 125.000 mbetën të pastrehë. Të gjithë bagtinë e rrëmbyen. Kështu bënë edhe me drithërat e sapokorrura. Bujqit, si kafshë të përndjekura, merrnin arratinë për në Elbasan, Tiranë, Shkodër e fshatra të largët. Tani sa jam kthyer nga një udhëtim, përmes këtyre zonave të goditura. Pashë fshatra të rrënuar dhe shtëpi të djegura ose të hedhura në erë. Pashë refugjatë të uritur. Pashë gra e fëmijë që vdisnin nga uria.

Komisioni Karnegi përmblodhi vëzhgimet e tij si më poshtë:

Trupat e rregullta serbe nuk lanë gjë pa bërë, që nga dita e parë kur pushtuan Shqipërinë, me qëllim që t’i detyronin banorët të linin kombësinë e tyre ose të shtypnin me egërsi racën shqiptare. Shtëpi e fshatra të tërë u bënë shkrumb e hi, popullsia e pafajshme dhe e paarmatosur u masakrua në masë, u kryen akte të shëmtuara dhune, plaçkitje dhe mizorie, – të tilla ishin mjetet që përdorën dhe vazhdojnë të përdorin ushtarët serbë, me qëllim që të transformojnë rrënjësisht karakterin etnik të rajoneve të banuara dikur vetëm nga shqiptarë.

Kjo luftë shfarosëse e sërbëve përgjatë kufirit verior të Shqipërisë u përshkrua edhe nga Edit Durham, bamirësja britanike që kaloi vite të shumta midis fiseve të malësisë.

Një shqiptar, të cilit i ra rruga nga Podgorica, deklaroi se në vilajetin e Kosovës në shumë vende toka ishte mbuluar me trupat e grave e të fëmijve dhe se kishte parë një gjymtyrë që ende përpëlitej mbi tokë.

Një oficer serb ishte mburrur gjithë gëzim: “Fisin e Lumës e shfarosëm. “Pastaj ai përshkroi masakrën e paparë të burrave, grave e fëmijëve, si edhe djegjen e fshatrave. Oficerët serbë kishin rënë në ujdi që “kur vendi të bëhet sërish i yni, nuk do të ketë më asnjë këmbë myslimani”.

Mirëpo, më 7 nëntor 1913 Austria dhe Italia u kërkuan serbëve që të evakuonin tokat shqiptare të pushtuara, kështu që ata, pa dëshirë, u tërhoqën në kufijtë e përcaktuar nga Konferenca e Ambasadorëve të Londrës. Disa muaj më vonë, më 28 qershor 1914, një nacionalist serb e shfryu zhgënjimin e tij të thellë duke vrarë Princin Austriak, Franc Jozefin, në Sarajevë. Kështu, falë ngathtësisë së Evropës në trajtimin e çështjes shqiptare, fuçia e barutit në Ballkan shpërtheu në një Luftë Botërore.

Përfundim: Serbizmi i madh është i gjallë, madje dhe në ato momente kur duket se nuk ka kurr fare shansë për të mbijetuar, e jo më për tu zbatuar. Sot jemi dëshmitarë, se funkcionarët e lartë të Shtetit të Serbisë dhe të Republikës Serbe në Bosnjë e Hercegovinë parashtrojnë idenë dhe projektin e tyre politik: “Bota Serbe” apo “Serbia e Madhe”. Idetë e tilla nuk kanë të bëjnë me një politik reale, por mitologjike, për çka nuk ka shërim. Për ithtarë të tillë pushtimi i tokave të huaja është detyrë e shenjtë dhe njëheri është arsyeja e vetekzistencës së tyre.

Ideja e Serbisë së Madhe sikurse një sëmundje epidemike ekziston dhe mbijeton tashmë disa shekuj dhe se gjithmonë shfaqet në kohën kur për atë arrihen kushtet e volitshme. Ajo mund të kapërcej dhe gjenerata, periudha të tëra, por kurr në të vërtetë nuk shuhet apo vdesë.

Një konkluzë të tillë më së miri e vërteton dhe hisoriania e njohur serbe, Llatinka Peroviq, e cila ndër të tjerat thotë: “Serbia është e lodhur nga luftërat për pushtimin e territoreve të huaja. Brenda 125 vjetësh, ajo ka luftuar çdo 14 vjet… Sot, kur një orientim i tillë do të duhej të përfundoj dhe kur një model i tillë politik do të duhej të jetë i zbrazur, bëhet e qartë se është e nevojshme të ndryshoj ajo që quhet mentalitet. Mirëpo, parashtrohet pyetja: a mund të ndryshoj fare mentaliteti serb? Unë e pranoj se vetë po përmballe gjithnjë e më tepër me këtë pyetje, por akoma nuk kam përgjegje?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat