Kisha e Shën Gjergjit (1905-1968)

Historia

Kisha e Shën Gjergjit (1905-1968)

Nga: Thanas L. Gjika Më: 8 tetor 2021 Në ora: 14:28
Kisha e Shën Gjergjit

Kisha e Shën Gjergjit u krijua në qytetin e Korçës me ndihmën financiare të lënë në testamentin e biznesmenit korçar të Rumanisë Anastas Avramidh Lakçe (1821-1890). Leja për ndërtimin e kësaj kishe u dha me vonesë prej Sulltanit Hamitit. Punimet për ndërtimin e saj u kryen prej ustallarëve vendës duke përdorur gurë të skalitur e të lidhur mirë me kllapa mashkull-femër në dy breza sepse në atë kohë nuk përdoreshin breza betoni. Gurët e saj ngjyrë gri të çelur u nxorrën nga i njëjti madem prej të cilit ishin krijuar edhe shumë gurë të skalitur për ndërtime të mëparëshme dhe për krijimin më vonë të gurëve për ndërtimin e Bankës së Shtetit Shqiptar. Nuk dihet nëse projekti ishte krijuar prej ndonjë arkitekti, apo ishte përmirësim në praktikë i projekteve të kishave të vjetra shqiptare prej ndonjë kryeustai. Deri sot nuk dihen as emrat e ustallarëve, as të kryeustait që drejtoi punimet dhe as emri i arkitektit projektues. Ndoshta emrat e tyre mund të kenë qenë shënuar në kodikun e kishës, i cili nuk dihet ku ka përfunduar pas vitit 1967, viti i hapjes së luftës kundër fesë dhe institucioneve fetare.

Në pjesën e jashtme të ndërtesës, nga e majta e dhomës së shenjtë (ajodhimës) ustallarët ndërtuan varrin ku u vendos trupi i ballcamosur i dhuruesit, të ndjerit A. A. Lakçe, që e sollën nga Bukureshti. Arkëmorti ishte i mbuluar me xham të trashë që mund të shihej nga vizitorët po të zbrisnin disa shkallë.

Kupola e mesit që ndriçonte nga lart sallën kishte dimensionet e kupolave të vjetra shqiptare që trashëgoheshin që nga koha e Bizantit me lartësi dhe gjerësi mesatare. Ajo nuk ishte e ulët dhe e gjerë si kupolat e kishave greke dhe as e lartër si kupolat e kishave rumune, serbe e ruse (kishat ruse i kanë kupolat edhe më të larta e më të ngushta prandaj kanë nga dy ose tri kupola).

Punimet për ndërtimin e kësaj kishe vijuan gjatë viteve 1899-1905, sepse sundimtari turk, për të marrë ryshfete i dërgonte letra Sulltanit me ankesën: “Kaurët e qytetit nuk po krijojnë një kishë, po një kala për të na luftuar”. Pasi paguheshin pare të tjera tek Sulltani e tek sundimtari turk i Korçës punimet rifillonin, e më pas ndërpriteshin, e pas ryshfetesh të tjerë, rifillonin, derisa përfunduan më 1905. Inagurimi i saj u organizua në qershor të vitit 1905. Këtë datë ma ka thënë nëna ime (Meropi) së cilës ia kishin thënë e ëma dhe e gjyshja, se kishte lindur kur u inagurua (sinaps) Kisha e Shën Gjergjit, më e madhja e Ballkanit që kishte mbetur ende nën sundimin e Perandorisë Turke.

Hulumtuesi i veprave të ikonografëve dardharë më sqaroi se punën artistike për kompletimin e mureve të kishës së Shën Gjergjit me piktura murale të artit biznatin e pati drejtuar ikonograf i talentuar dardhar Vangjel Zengo. Nën drejtimin e tij punuan dhe të vëllezërit bashkë me ikonografin tjetër të talentuar, bashkëfshatarin, Pandi Gjino dhe me disa të tjerë.

Kisha e Shën Gjergjit ka histori jo vetëm përsa i përket ndërtimit, por edhe funksionimit dhe pastaj prishjes së saj...

Në këtë kishë u thye për herë të parë tradita e mbajtjes së meshës në gjuhën greke, traditë e imponuar prej Patrikanës së Stambollit. Në qershor të vitit 1909 në këtë kishë u mbajt mesha e parë në gjuhën shqipe, pa marrë lejë te dhespoti (peshkopi grek Jakovi), i cili pas kësaj ngjarjeje ripërsëriti urdhërin që të mos mbaheshin askund meshë në gjuhën shqipe. Atdhetarët Korçarë të drejtuar prej Mihal Gramenos, Pandeli Cales, etj krijuan shoqërinë “Lidhja Orthodhokse” dhe filluan në korrik 1909 botimin e gazetës me të njëjtin emër. Me anën e kësaj shoqërie dhe të gazetës së saj u filluan përpjekjet për njohjen e të drejtave fetare besimtarëve shqiptarë ortodoksë. Në këtë gazetë Mihali shkroi e botoi kërkesën që Shoqëria “Lidhja Orthodhokse” ia drejtoi Patrikut të Stambollit, Joakim i III, për t'ua njohur besimtarëve të krishterë ortodoksë shqiptarë të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në kishat e tyre. Kërkesa nuk u muarr parasysh. Ndërkohë dhespoti, peshkopi grek i Korçës, Jakovi, mundi ta pengonte mbajtjejen e meshëve dhe ceremonive fetare në kishat e qytetit deri në mars të vitit 1914, kur Korça kaloi nën administrimin e qeverisë së pavarur të shtetit Shqiptar.

Në qershor të vitit 1922 në këtë kishë At Fan Noli u dorëzua Peshkop. Në janar të vitit 1931, kur ra tërmeti dy kambanoret e saj u dëmtuan dhe u puqën me njëra tjetrën. Klerikët dhe populli kishin frikë të kryenin ceremonitë fetre se mos ndodhte shembja e kambanoreve gjë që mund të shkaktonte viktima midis besimtarëve. Atëhere usta Loni Vasil Trebicka djalë 20 vjeçar, nipi i tim eti, doli vullnetarisht dhe realizoi çmontimin e dy kambanoreve nga lart poshtë pa vinç duke ndërtuar skela prej druri. Ai i mbylli dy pjesët e çatisë ku ishin ngritur kambanoret, kështu dëmtimi nuk dukej më as nga jashtë as nga brenda. Në qershor 1931 rifilloi mbajtja e meshëve dhe e ceremonive fetare në këtë kishë, gjë që vijoi deri në vitin 1967, kur u 'nëna parti” duke e maskuar veten prapa “Inisiativave të rinisë” shpërtheu hapur luftë kundër fese.

Deri në vitin 1966, kur ende lejohej puna private, anës avllisë së kësaj kishe në anën e rrugës kryesore rrinin që në mëngjez ustallarë të ndryshëm, ata që nuk kishin dyqanet e tyre, si muratorë, bojaxhinj, marangozë, punëtorë për prerje pemësh, etj. Aty ishte tregu i krahut të punës. Aty shkonte dhe im atë para se të fillonte punë si murator për mirëmbajtjen e godinave dhe avllive të Parkut Automobilistik. Qytetarët që kishin nevojë të ndreqnin çatitë, ose avlli, ose dritaret a dyert e dëmtuara, ose të lyenin shtëpitë, ose të prisnin pemë të mëdha, a të punonin kopshtet e tyre, shkonin aty dhe pajtonin me mëditje (pagë ditore) ustain ose punëtorin që u nevojitej.

Për të realizuar urdhërin e “nënës parti” në vitet 1968-1969 Komiteti Ekzekutiv i Korçës prishi tre munomente fetare të qytetit: Kishën e lashtë të Shën Marisë e cila ishte krijuar që në shek. XIII, kishë e rallë me një dhomë të nëndheshme (qimitir), Kishën e Shën Gjergjit dhe Kishën e Mitropolisë. Të tilla ndërtesa i jepnin pamjen unikale qytetit të Korçës, qytet që ishte krijuar që nga koha e pushtimit bullgar (shek X-XIII), gjë që e vërteton emri i vet, që buron nga fjala bullgare “goricë”, kalaja e ndërtuar me gurët e lumit aty pranë dhe kisha me qimitir, që tregonte se nuk kishte qenë kishë fshati, po kishë qyteti, sepse në dhomën e nëndheshme i ruanin eshtrat e tv afërmëve të tyre vetëm pasanikët e qytetit.

Për demagogji regjimi komunist i justifikoi këto barbarizma me disa veprime mashtruese: Prishjen e kishës së lashtë shtatëshekullore e justifikoi me nevojën e shpërnguljes së vorrezave jashtë qytetit në pjesën lindore dhe me krijimin e Kombinatit të Trikotazhit e të një lulishteje te vendi i vorrezave dhe i kishës së Shën Marisë. Prishjen e Kishës madhështore të Shën Gjergjit e justifikoi me nevojën e krijimit të një biblioteke të re në qytet. Prishjen e kambanoreve dhe të kupolës së kishës së Mitropolisë e justifikoi me nevojën për ta përshtatur godinën e kishës, si godinë për Muzeun e Artit Mesjetar. Kurse prishjen e godinës gjashtëkatshe, më të lartën e qytetit, që kishte formë vapori, të quajtur “godinë me arkitekturë borgjeze”, e justifikoi me nevojën e hapjes së sheshit të ndërtimit të godinës së Komitetit të Partisë së Rrethit. Prishja e këtyre monumenteve, të krijuara gjatë shekujve, kur kishte vende të tjerë për ndërtimin e objekteve të rinj për zhvillimin industrial dhe kulturor të qytetit, ishte tregues i mendjeshkurtësisë së sitemit diktatorial. Ai sistem totalitar luftoi të imponohej si sistemi shoqëror më i përsosur, që u dha formën e vet socialiste qyteteve shqiptare, pra edhe qyteteve si Shkodra e Korça që kishin marrë formën e tyre gjatë historisë shumë shekullore.

Arkitekti i talentuar Petraq Kolevica, i cili mori përsipër krijimin e projektit të bibliotekës së re të qytetit, pati kurajon, që sallën e madhe të leximit dhe sallën shkencore që i vendosi në katin e dytë, t'i krijonte me mure pa dritare. Ndriçimin e tyre ai e siguroi me dritare në tavan, për të krijuar idenë e ardhjes së dritës nga qielli, si vinte nga kupola e dikurshme e kishësë që kishte qenë në atë vend.

Mirëpo Ing. Spiro Koleka, Zv.Kryeministër i RPSH, gjatë një vizite në Korçë, kur kaloi në bulevard dhe pa godinën me dritare në katin e parë, por pa dritare në katin e dytë, ulëriu dhe tha se kjo godinë ishte shprehje e qafleshëve në arkitekturë. Ishte koha kur Mehmet Shehu, Kryeministri i vendit, kishte dalë me gërshërë në dorë në bulevardin e Tiranës dhe u priste flokët e pantallonat djemve që mbanin flokët e gjatë e pandallona të ngushta bluxhins. Kështu dhe Zv.Kryeministri, për të qenë në unison me kryeministrin dha urdhër që të hapeshin dritare të mëdha edhe në katin e dytë të godinës. Urdhëri i tij u zbatua dhe arkitektura e biblioketës së re u shëmtua, duke ia prishur të veçantën e saj.

Prishjet e këtyre tre monumenteve madhështorë të qytetit të Korçës, bashkë me prishjen e pallatit në formë vapori të familjes Çekani, përbëjnë disa nga masakrat më të mëdha të diktaturës Komuniste në fushën e trashëgimisë së arkitekturës dhe të kulturës në plan kombëtar. Shëmbeshin monumentet e lashta dhe monumentet e kohës së Rilindjes Kombëtare, të krijuar me ndihmat e mirëbërësve shqiptarë. Nuk merrej parasysh dëmi ekonomik e ai i trashëgimisë, mjaftonte që të krijohej ideja se “nëna parti” ishte arkitektja e vetme shpirtërore dhe materiale për krijimin e Shqipërisë së re dhe të njeriut të ri.

Mbas vitit 1992, Mitropolia e Shenjtë e qytetit të Korçës e drejtuar prej bariut të mirë, Peshkopit Joan, në bashkëpunim me besimtarët e qytetit ndërmori nismën e rindërtimit të Kishës së vogël të Shën Marisë bashkë me një dhomë të nëndheshme te lulishtja e re pranë vendit ku kishte qenë kisha e lashtë. Tani vonë, para një viti po ky institucion fetar mori vendim për kthimin në identitet të kishës së Mitropilisë dhe kalimin e ikonave të Muzeut të Artit Mesjetar në një godinë tjetër. Për ta realizuar si duhet këtë nismë u hap fushata për mbledhjen e ndihmave financiare në rrugë vullnetare prej qytetarëve. E përshëndeta dhe unë këtë nismë duke dhënë ndihmesën time modeste.

Shpresoj se deri sot populli i Korçës e ka mbledhur shumën e nevojshme për rikthimin e Kishës së Mitropolisë në identitet.

Realizimi i nismës së mërgimtarëve dardharë në SHBA, të cilët nën kujdesin e Z. Franklin Zdruli, grumbulluan shumën e nevojshme për ndreqjen dhe rikonstruksionin e Kishës së Shën Gjergjit në fshatin Dardhë të Korçës, më jep kurajën të shpreh mendimin se ne, mbi dhjetëmijë kryefamiljarët korçarë të shpërngulur në SHBA, të bashkuar pa dallim fetar, ia vlen të hapim një fushatë në marrëveshje me Mirtopolinë e Shenjtë të Korçës, për të mbledhur ndihmat e nevojshme për rikrijimin e kishës madhështore të Shën Gjergjit, të asaj dhurate që ia fali një mërgimtar i vetëm, por i mungon qytetit tonë prej më se 50 vjetësh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat