Organizimi ushtarak i luftës së popullit dibran kundër serbëve në periudhën 1912 – 1921

Historia

Organizimi ushtarak i luftës së popullit dibran kundër serbëve në periudhën 1912 – 1921

Nga: Sakip Cami, Bardhyl Hoxha Më: 25 tetor 2021 Në ora: 15:27
Sakip Cami

Luftërat e popullit dibran në periudhën 1912 – 1921 janë të lidhura pazgjidhmërisht me luftërat e popullit tonë për liri dhe pavarësi. Ato kanë qenë luftëra e beteja ushtarake të mirëfillta që janë studiuar dhe studiohen nga historia e Artit Ushtarak shqiptar. Disa përpiqen t’i paraqesin këto luftëra dhe beteja si thjesht beteja popullore pa organizim ushtarak. Sigurisht që baza e këtyre luftërave ka qenë populli, por një popull i mirëstërvitur ushtarakisht, i mirëdrejtuar nga drejtuesit e tyre ushtarakë.

Historia jonë është e mbushur me shfaqje heroizmi, me prijës ushtarakë që i kanë bërë nder Dibrës dhe mbarë kombit, në periudha të ndryshme, ku vlerat e tyre kanë shkëlqyer, por edhe janë errësuar. Brezat kanë parë e po shikojnë qartësisht të gjithë vlerat e atyre që drejtuan me dorë të hekurt, me mendje të kthjellët, me atdhedashuri në funksion të misionit të shenjtë të ruajtjes së hapësirës territoriale shqiptare.

Pas periudhës së lavdishme të Skënderbeut legjendar dhe pas periudhës së pushtimit të gjatë Osman, Lidhja Shqiptare e Prizrenit qe ajo që u tregoi shqiptarëve se interesat kombëtare mbrohen duke qenë të bashkuar politikisht, por edhe të organizuar ushtarakisht, realizimi i të cilave nuk mund të arrihet pa një udhëheqje të besueshme dhe të sukseshme, që do ta drejtonte popullin e tij në luftën për çlirim e pavarësi kombëtare.

Ushtria e Lidhjes së Prizrenit e udhëhequr nga luftëtarë trima të zgjuar e të vendosur, ishte vendi ku shqiptarët u bashkuan pavarësisht përkatësive fetare, duke lënë kështu në histori një rast unikal edhe për të ardhmen e zhvillimeve kombëtare. E përmenda Lidhjen Shqiptare të Prizrenit sepse ishte Iljas Pashë Dibra, një gjeneral dibran me zotësi politike e ushtarake në krye të kësaj lidhjeje. Ushtria ishte simbol i bashkimit kombëtar.

Pavarësia e shtetit shqiptar nuk erdhi vetëm nga bisedimet në tavolinë, por nga kryengritjet e fundit të shekullit të XIX, në veri dhe në jug.

Drejtuesi ushtarak ka qenë bashkudhëtar i ngjarjeve më madhore të shtetit shqiptar. Pashallarët shqiptarë të përgatitur në shkollat ushtarake të Stambollit dhe të Berlinit u vunë në krye të këtyre luftërave. Si një diplomat me karrierë të gjatë dhe si një deputet i Parlamentit të Turqisë, Ismail Qemali e dinte mirë nevojën e krijimit të një force të armatosur shqiptare në kushtet e një politikë pothuajse kaotike të Fuqive të Mëdha për Ballkanin, ku forca dukej se kishte po aq rëndësi sa edhe diplomacia. Nisur nga këto kushte ai caktoi si Ministër të Luftës Mehmet Pashë Dërrallën, një Gjeneral, i arsimuar në Akademinë e Shtatmadhorisë në Stamboll dhe që kishte arritur funksione të larta në ushtrinë Osmane, ku ishte graduar “Pasha” gjeneral. Ai ishte një nga mbështetësit e tij dhe një ndër nismëtarët për pavarësinë pasi, kishte qenë komandant i Vilajetit të Kosovës. Pranë Dërrallës, i pari Shef i Shtabit të Përgjithshëm u caktua Major Ali Shefqet Shkupi, për të organizuar ushtrinë si kryetar i Shtatmadhorisë, i cili kishte përfunduar në vitin 1905 studimet në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm në Stamboll, me gradën kapiten shtatmadhorie.

Pas 28 Nëntorit ditës së Shpalljes së Pavarësisë erdhën zhvillimet e 4 Dhjetorit të vitit 1912, dita ku u shpall akti madhor i krijimit të Ushtrisë Kombëtare që pasoi me ngritjen e menjëhershme të Ministrisë së Luftës dhe Shtabit Madhor, si dhe me akte të tjera qeveritare.

Veçori për Dibrën është se në çdo krahinë kishte forca vullnetare dhe rezerviste të organizuara sipas krerëve të krahinave (maleve) të Dibrës.

Në periudhën 1914 – 1918 Shqipëria dhe Dibra u përfshi në flakët e Luftës së Parë Botërore dhe të sulmeve serbe, bullgare dhe austro – hungareze.

Nga viti 1918 – 1920 në qeverinë e Durrësit të drejtuar nga Turhan Pasha, Ministër Lufte ka qenë Jusuf Dibra nga Dohoshishti. Në vitin 1919 u hap në Tiranë një shkollë e posaçme 6 mujore për përgatitjen e oficerave, aspirantëve dhe xhandarëve, ku u përgatitën edhe djem nga Dibra.

Pas Kongresit të Lushnjës në janar 1920 dhe krijimit të qeverisë, në përbërje të së cilës u përfshi edhe Ministria e Luftës me në krye Gjeneral Brigade Ali Riza Kolonjën, u ringrit edhe struktura e Shtatmadhorisë me në krye nënkolonel Ali Shefqetin (Shkupin). Këta e shumë të tjerë ishin ushtarakë karriere, të cilët kishin mbaruar shkollat dhe akademitë ushtarake si në Turqi ashtu edhe në vendet e tjera perëndimore.

Në vitin 1920 ushtria shqiptare e drejtuar nga gjeneral Ali Riza Kolonja ishte e organizuar me 3 regjimente, ku komandant i Regjimentit të II ishte Major më vonë nënkolonel Ramiz Dibra, i biri i Iljas Pashë Dibrës.

Në vitin 1921 Qeveria e Iljas Bej Vrionit emëroi Kolonel Selaudin Shkozën (nga fshati Shkozë i Lumës) Ministër të Luftës dhe shef shtamadhorie dhe komandant forcash Gjeneral Ali Rizain (Kolonjën).

Po nga historia e Ushtrisë shqiptare, botim i katedrës së historisë ushtarake mësojmë se shërbimi ushtarak u bë i detyrueshëm për moshat nga 20 - 45 vjeç në masën 1 vit. U vendos edhe shërbimi rezervist. Mund të theksojmë se në qershor të vitit 1921, për të përballuar në mënyrë sa më të shpejtë dhe efektive problemet e shkaktuara në Mirditë u formuan edhe 3 batalione të lëvizëshme që vareshin direkt nga Ministria e Luftës dhe komandanti i operacionit Ali Rizai. Regjimenti i II me bazë në Tiranë me komandant Mustafa Aranitasin kishte një batalion në Peshkopi që komandohej nga major Ramiz Dibra, Në mungesë të uniformave ushtarake të posaçme, luftëtarët kishin një shirit kuq e zi në krahun e majtë.

Ushtrinë e mban populli, vetë kombi. Ky është parimi ku u mbështet Dibra dhe populli shqiptar në tërësi. Në këtë mënyrë, u bë dhe sigurimi i nevojshëm materialo-teknik për ushtrinë dhe luftën. Një nga vendimet e Kuvendit të Arrasit ishte që armatimi dhe logjistika të sigurohej nga vetë luftëtarët, fshatrat dhe krahinat. Në çastet e para të mobilizimit dhe gjatë dhënies së kushtrimit çdo vullnetar duhej të merrte me vete një sasi me fishekë, si dhe ushqime për tri ditë. Transporti për nevoja të ushtrisë dhe të luftës u bazua kryesisht në kafshët, si dhe me mjete të tjera. Është i njohur fakti që shumë gra shkuan në ndihmë të burrave, duke mbajtur ujë e bukë, mjekuar e mbajtur të plagosurit dhe tërhequr të vrarët.

Ky ishte një përshkrim i shkurër i organizimit ushtarak të ushtrisë shqiptare e periudhës 1912 – 1921, ndërsa do të analizojmë në detaje dhe betejë pas beteje organizimet ushtarake të tyre në Dibër dhe në zonën e Bulqizës, Grykës së Madhe, Grykës së Vogël dhe Gollobordës. Prijës popullorë si Elez Isufi, Isuf Xhelili, Ramiz Dibra, Murat Kaloshi, Dan Cami, Mersim Dema, Misim Ahmeti, Dervish Lusha, Ibrahim Gjoci etj., kanë qenë ushtarakë me grada.

Pozita gjeo – strategjike e Grykës së Vogël, Grykës së Madhe dhe më tej e Bulqizës, vlerësuar si një nga drejtimet më të rëndësishme Operativo-Strategjike të Shqipërisë, ka bërë që në këtë drejtim të bëhen shumë luftime dhe beteja mësymëse të armiqve që nga koha e Skënderbeut deri në Luftën e Dytë Botërore, duke synuar më tej, Tiranën dhe detin Adriatik. Studiuesi Moisi Murra në gazetën “Ushtima e Maleve” janar 1983 shkruan se ishin jo pak por 19 ditë e netë luftime, (25 dhjetor 1912 – 13 janar 1913), 19 ditë qëndrese të luftëtarëve dibranë dhe kryesisht të atyre të Grykës së Vogël kundër forcave serbe që i kalonin forcat e një regjimenti këmbësorie me përforcime artilerie.

Ndërsa Dibra kishte dërguar në Vlorë përfaqësuesit e saj për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, ushtria serbe mësyni për herë të dytë Dibrën në Grykën e Radikës. Serbisë dhe Nikolla Pashiqit ju shtuan oreksi për daljen në detin Adriatik dhe ky ishte momenti për të hapur luftën e saj në kuadrin e Luftës Parë Ballkanike. Pasi mori Dibrën e Madhe regjimenti serb nisi sulmin drejt Maqellarës dhe Grykës së Vogël. Nëpërmjet Grykës së Vogël dhe Grykës së Madhe ai donte të dilte në Qafë të Buallit e të përparonte drejt Tiranës dhe Durrësit.

Krerët e Grykës së Vogël, Mersin Dema dhe Dan Cami, kreu i Grykës së Madhe Sheh Sula i Zerqanit, kleriku Iljas Hoxha i Rekës u mblodhën te Gurra e Mazhicës dhe morën vendim që të organizonin qëndresën ndaj ushtrisë serbe, të pengonin përparimin e ushtrisë serbe drejt Grykës së Vogël e tokave të kësaj ane të Drinit të Zi dhe më pas për të marrë tokat e pushtuara dhe Dibrën e Madhe. Drejtues të këtyre luftimeve kanë qenë Mersim Dema, Sheh Sula, Mehmet Duriçi, Hoxhë Hasan Moglica, Feta Cami, Dan Cami etj.

Me 26 dhjetor 1912, 5 mijë forca serbe të Regjimentit 14 të Divizionit të Moravës morën urdhër për të kaluar në mësymje në drejtimin: Dibër e Madhe, Bllatë, Ura e Topojanit, Mazhicë, Prat. Mësymjes së tyre ju kundërpërgjigjën 1500 luftëtarë dibranë që organizuan mbrojtjen, punimet xhenIere dhe siguruan mbështetjen logjistike me municion dhe ushqime në vijën: Topojan – Okshatinë – Shupenzë – Çerenec – Ura e Spiles.

Pas goditjes me artileri të serbve, luftëtarët dibranë organizuan sulm të rrufeshëm dhe zjarr të fuqishëm dhe brenda një ore luftimi vranë 400 ushtarë serbë. Ushtria serbe kërkoi përforcime dhe në ndihmë të saj erdhi edhe një batalion tjetër këmbësorie si dhe një repart artilerie. Luftimet vazhduan edhe 3 ditë tjera nga 31 dhjetori 1912 deri me 2 janar 1913 në rajonet Bofmollë – Topojan. Gjatë këtyre tre ditëve ushtria serbe pati edhe 92 të vrarë të tjerë, ndërmjet tyre edhe një oficer, nipin e Krajl Pjetrit, me qindra të plagosur dhe shumë ushtarë e oficerë të kapur robër.

Luftimet te Ura e Spiles

Dihet se urat janë pikat kyçe që duhet të kapen gjatë luftimit për të siguruar suksesin e tij. Dy urat kryesore të zonës ishin Ura e Spiles në Miresh dhe Ura e Topojanit. Në pamundësi për të shpërthyer mbrojtjen e kryengritësve dibranë në Grykën e Vogël, në vijën Vlashaj, Mali i Dethit, Mazhicë, ku ushtria serbe humbi edhe 300 ushtarë të tjerë, me 2 janar serbët ndërmorën përforcime shtesë me 2000 trupa dhe u përqëndruan në Gollobordë dhe te Ura e Spiles. Për të mbrojtur Urën e Spiles Mersim Dema, Hoxhë Moglica dhe Dan Cami organizuan një fuqi të madhe ku bënin pjesë të gjithë burrat e Grykës së Madhe, një pjesë e burrave të Grykës së Vogël dhe të krahinës së Gollobordës. Pas 4 ditësh në pasditen e 7 janarit serbët arritën të dalin në pjesën lindore të Lumit të Okshtunit. Luftime të ashpra dhe heroike janë në kodrat e Viçishtit e të Golevishtit, për t’u pre serbve hovin e hyrjes në Gjoricë, por qe e pamundur. Serbët hynë në Gjoricë, por edhe aty u luftua pëllëmbë për pëllëmbë. Serbët dogjën shtëpitë dhe kosharët e drithit e mullarët e barit.

Sulmi mbi Urën e Topojanit

Ndërsa Gjorica po digjej, komandanti serb organizoi një sulm tjetër mbi Urën e Topojanit. Me 26 dhjetor 1912, pesë mijë forca serbe të Regjimentit 14 të Divizionit të Moravës morën urdhër për të kaluar në mësymje në drejtimin: Dibër e Madhe, Bllatë, Ura e Topojanit, Mazhicë e Prat. Mësymjes së tyre ju kundërpërgjigjën 1500 luftëtarë dibranë që organizuan mbrojtjen, punimet xheniere dhe siguruan mbështetjen logjistike me municion dhe ushqime në vijën: Topojan – Okshatinë – Shupenzë – Çerenec – Ura e Spiles.

Komandanti i trupave serbe, Milo Milutiniviç, kishte si objektiv me marrë me çdo kusht Urën e Topojanit. Ura ishte për ta kishte efekte taktiko-operative dhe rëndësi strategjike, si nyje përcaktuese e depërtimit të mëtejshëm në malësinë e Grykës së Vogël dhe më tej, në Katër Grykët, në Bulqizë e Mat. Te ura kishte përqëndruar edhe sulmin kryesor me goditje me artileri dhe mortaja. Ushtria serbe, që e kishte vendosur artilerinë e saj në kodrat e Maranicës mbi Urën e Topojanit, filloi goditjen me artileri të pozicioneve të luftëtarëve dibranë. Pas goditjes me artileri të serbve, luftëtarët dibranë organizuan një sulm të rrufeshëm dhe zjarr të fuqishëm dhe brenda një ore luftimi, vranë 400 ushtarë serbë. Ushtria serbe kërkoi përforcime dhe në ndihmë të saj erdhi edhe një batalion tjetër këmbësorie si dhe një repart artilerie.

Koloneli Milutinoviç vendosi që këtë sulm ta drejtonte vetë. Hypur mbi kalë, veshur me jelek antiplumb e mburojë çeliku në kokë, ndjekur nga qindra ushtarë që e mbulonin me zjarr të përqëndruar, niset vetëtimë drejt urës. Ura ishte bërë tmerri i tyre. Në anën tjetër të urës ishin malësorët dibranë. Që të gjithë vendas që e njihnin terrenin pëllëmbë për pëllëmbë. Në majën e kodrës përballë urës, ata e kontrollonin atë si në pëllëmbë të dorës. E kishin fortifikuar me aq sa mundnin edhe terrenin dhe ishin maskuar më së miri. Tri çeta luftëtarësh përballë një regjimenti serb. Kur Milutinoviçi ju afrua mesit të urës, Beqir Shiti, ja tereziti mirë me pushkën e gjatë. Serbët u tërhoqën nga ura me kolonelin në krah. Tërheqja u bë e plotë. Zëvendëskomandanti që mori kontrollin e situatës luftarake urdhëroi për tërheqje me luftim deri në kufijtë shtetërorë. Një pjesë e mirë e forcave serbe u mbytën në lumin e Drinit të Zi.

Kësaj lufte dhe këtij momenti populli i këndon:

“…Kumandar i biri i serbit

S’i ke njoft djemt’ e Dibrës

Djemt’ e Dibrës, djemt e malit

Ta plasin kapakun e ballit!”.

Me 11 janar 1913 në zonën e Topojanit, Mazhicës dhe Zogjes, sipas raportimeve serbe janë zhvilluar luftime të ashpra dha janë vrarë një oficer serb, 3 ushtarë dhe janë plagosur 5 të tjerë. Edhe në rajonin Gjuras – Bllacë u bë qëndresë e madhe dhe e pakalueshme.

Me 12 janar në të gjithë teatrin e luftimeve në zonën e Grykës së Vogël humbjet e ushtrisë serbe shkonin në 1500 të vrarë, ndërmjet tyre edhe komandanti i operacionit.

Me 13 janar 1913 ushtria serbe arriti të dalë në vijën Qafë Buall – Qafë Murrë, por për shkak të humbjeve të konsiderueshme dhe të moralit të dobët, ushtria serbe me miratim të komandantit të Divizionit “Morava” u tërhoq në Dibër të Madhe.

Në këtë luftë 19 ditore kanë rënë 170 luftëtarë dibranë, të cilët nuk janë evidentuar plotësisht. Disa janë shpallur Dëshmorë të Atdheut, por shumica as nuk janë evidentuar si të rënë.

Raprezaljet dhe masakrat serbe në Dibër janë pasqyruar hollësisht edhe nga shtypi i huaj i kohës. 25 fshatra të djegur.

Ka patur 170 të rënë dhe vetëm 7 prej tyre kanë marrë statusin e Dëshmorit të Atdheut të propozuar nga Pushteti Vendor dhe miratuar nga Ministria e Mbrojtjes, çka mbetet detyrë e qeverisjes vendore në Bulqizë dhe Dibër të vlerësojë këta martirë, që u ngritën dhe ndezën flakën e rezistencës për të shpëtuar nderin e popullit dhe kombit tonë.

Luftimet në fshatin Dragu te Kulla e Shabës

... Në majin e vitit 1918 një repart i ushtrisë serbe kishte depërtuar në thellësi dhe ishte dislokuar në pozicione luftimi në Fushë-Bulqizë, afër fshatit Dragu me synim të kapnin Qafën e Buallit. Përveç studimit të terrenit serbët kishin studiuar edhe psikologjinë e zonës si dhe njerëzit më me influencë të saj. Kulla e Shabës dhe bashkëshortja e Sheh Myslymit, të birit të patriotit të shquar Sheh Fejzës ishte objektivi i tyre. Për këtë qëllim me shumë forca dhe armatime organizojnë një sulm të befasishëm për të marrë Kullën e Shabës. Shtatë mitrolozë kishin objektiv kullën e Shabës. I zoti i kullës Sulë Shaba ishte brenda në kullë dhe bashkë me fëmijët e tij ishte edhe e shoqja e Shehut, që për bulqizakët ishte njeri i shenjtë dhe mbrohej me jetën e tyre. Ajo njihej me nofkën “gruaja me sahat” dhe kishte influencë në të gjithë Bulqizën. Serbët donin ta marrin plakën me sahat, për ta pasur peng, që të nënshtrojnë Vajkalin.

Ata i kërkojnë Sulë Shabës që të tregojë, ku është fshehur Shehvajca, por ai nuk pranoi ta nxjerrë plakën nga kulla, megjithë torturat çnjerëzore. Komandanti serb i tërbuar nga qëndresa e Sulës dhe katër djemve të tij, dha urdhër për varjen e tyre në lisin, afër kullës. Lajmi i zi për varjen nga serbët në litar të dragunarëve Sulë Shaba me gjashtë djem, Osmanit, Ademit, Aliut, Hysenit, Zenelit e Rrahmanit zemëroi së tepërmi të gjithë krahinën. Luftëtarët e Vajkalit dhe gjithë Bulqizës organizuan sulmin ndaj repartit serb që ishte vendosur tek Ura Qytetit në Valikardhë.

Çeta e Bulqizës e udhëhequr nga Mehmet Duriçi dha kushtrimin luftarak në majë të malit të Lepurakut dhe mobilizoi të gjithë luftëtarët e zonës nga Sopoti në Tërnovë, nga Sofraçani në Valikardhë si dhe të gjithë Fushë Bulqziën e Vajkalin. Komandantët e çetave të fshatrave të Grykës së Madhe dhe të Bulqizës mobilizun nga 20 – 40 luftëtarë me pushkët dhe municionin e tyre dhe i erdhën në ndihmë Mehmet Duriçit dhe bulqizakëve të sulmuar në kullën e Shabajve. Hasan Alla, Hasan Pata e Sulë Kamberi në krye të çetave të fshatarve të tyre zunë pozicionet luftarake dhe i futën serbët në rrethim. Sulmi i malësorëve ishte i furishëm. Ai zgjati shumë kohë sepse serbët ishin shumë dhe kishin një arsenal të madh armësh. Shumë ushtarë serbë mbetën të vrarë e të plagosur, por edhe shumë burra të Bulqizës e të Grykës së Madhe. Ata dogjën shtëpitë dhe grabitën bagëtitë e banorëve. Në goditjen e rrufeshme të karakollit serb, bulqizakët arritën të vrasin e plagosin shumë ushtarë serbë duke i detyruar të tërhiqen në drejtim të Zerqanit, pas rënies së natës. Luftëtarët bulqizakë morën armët e municionet që gjetën aty. Të nesërmen Mehmet Duriçi[6] hapi lajmin në popull për marrjen e gjakut të dëshmorëve në të gjithë Bulqizën, Dibër dhe Mat e Martanesh. Përkrah Mehmet Duriçit dhe bulqizakëve luftoi edhe çeta e Tërnovës. Në këtë betejë u vranë Islam Mustafa Zeneli, Selim Burgu, Ismail Burgu, Sulejman Burgu dhe Beshir Zeneli, Ali Burgu, Tahir Burgu, Ferit Burgu dhe Tahir Stafa. Në kundërpërgjigje serbët bënë masakra të papara.

Lufta e Steblevës e vitit 1920

Në vitin 1920 Stebleva ishte një nga drejtimet e mësymjes së ushtrisë serbe përveç atij Mavrovë, Dibër, Bulqizë, Mat, Durrës dhe atij Prizren, Lumë, Shëngjin.

Stebleva në këtë luftë si gjithmonë veproi në bashkëpunim me fshatrat e tjerë fqinj Borovë, Zabzun, Llangë etj. Kjo luftë është drejtuar nga komandantë të sprovuar e të përgatitur në shkolla ushtarake dhe nga prijës vendas trima të çartur. Këto fshatra kishin një organizim të përsosur, një pleqësi të vendosur, një qeverisje vendore të shkëlqyer që dinte të përballonte çdo të papritur. Ata kishin organizuar sistemin e mbrojtjes territoriale të fshatrave sipas rregullave taktike e strategjike me pika vrojtime në maja dominuese në kodra. Funksiononin gjashtë pika vrojtimi nga kufiri deri në Fushë Studën. Në çdo pikë vrojtimi vigjilonin 20-25 burra të armatosur me armatim të marra ushtrive italiane, serbe, bullgare etj.

Në anën veriore e verilindore të fshatit Steblevë, ku rreziku dhe përqëndrimi i trupave të armikut ishte më i madh u ngritën tre pika vrojtimi, e para, tek Mashna e Rajkut dhe Stani i Balës, e dyta, në jug të fshatit në vendin e quajtur Murin dhe e treta, në jugpërëndim në kodrën e Killavecit, në vendin e quajtur lisi i Markut.Pikat më të rëndësishme ku ishte përqëndsrusr pjesa më e madhe e luftëtarëve të armatosur ishin ajo në Belishnicë, në malin e Pishteicës që mbronin fshatin nga mësymjet serbe, që vinin nga rruga e Klenjës në veri dhe ajo tek Mashna e Rajkut dhe stanit të Balit që mbronin fshatin nga mësymjet serbe nga Llakavica në lindje. Fshatrat Borovë, Zabzun e llangë do të ndihmonin me njerëz të armatosur, armatim dhe muncion Steblevën që ishte vija e parë e frontit. Gratë do të mërreshin me gatimin dhe furnizimin me bukë, ushqime dhe municione deri në llogoret e luftës.

Luftëtarët që luftonin tek Mashna e Rakut dhe tek Stani i Balës ishin: Tafil Bande, Iljas Elezi, Sali Gjini, Ibrahim Abazi, Murat Llapa që u plagos gjatë luftimeve, Sali Uliu, Demir Tamizi, Ibrahim Gaxha, Ahmet Gaxha, Islam Gjini, Spase Rajku, Bajram Nura, Liman Nura, Ismail Nura, Elez Hoxha, Ismail Hoxha, Hasan Hoxha, Adem Hoxha, Avdi Avda etj.

Në Belishnicë luftonin Zenel Kormaku, Rexhep Kormaku, Halil Murati, Emin Murati, Arif Lila , Ahmet Lila, Adem Bojaxhiu, Qerim Bojaxhiu, Ramiz Agushi, Nazif Lila, Can Agushi , Elmaz Gruja. Këtu u plagos Murat Caushi. Në Kojashume luftonin Jakup Agushi, Pajazit Agushi, Vahit Kormaku, Zenel Lila, Abedin Kuburi, Xhel Mrati, Sadik Murati, Zyber Murati, Ajdin Murati, Ramiz Agushi, Xhel Kuçuku etj. Në Murin luftonin Ahmet Gaxha, Ismail Muliu, Sali Uliu, Rexhep Tamizi, Ibrahim Abazi, Ymer Gjini, Xhafer Bale, Arif Bale, Ali Bale, Kapllan Kurti, Ramo Kurti, Hasan Kurti, Rexhep Bande etj. Në Pishteic luftonin Jakup Zhugli, Bajram Baba, Budin Budini nga Klenja, Sefer Maliqi nga Trebishti me gjithë çetën e tij si dhe Hasan Bande, Sekulla Çota, Vangjel Steva, Selman Kormaku, Ismail Kormaku, Arif Caushi dhe bij të tjerë steblevas. Në Killavec luftonin Emrulla Feta, Jonuz Disha, Destan Disha, Xhaferr Disha, Qerim Shabani, Sali Bajra, Bilal Bajra, Zenel Disha, Latif Disha, Stojan Cfarku, Ismail Muliu dhe Hajdar Balla nga Borova që u plagos gjatë luftimeve.

Nga zona e Steblevës ishin 160 luftëtarë të armatosur. Përballë qëndronin 400 e më shumë forca serbe dhe mercenarëve të komanduar nga Xhemal Kosturi dhe Daut Hodo. Raporti forcave ishte 1 me 2,5 në favor të armikut. Mercenarët që luftonin në krah të serbve nuk ishin nga Stebleva dhe fshatrat për rreth por rekrutë të rekrutur dhe paguar nga zona të tjera deri nga Bullgaria. Stebleva dhe fshatrat e Gollobordës nuk pranuan të rekrutoshin as me para dhe as me forcë nga serbët dhe veglat e tyre Xhem Kosturi dhe Daut Hodo.

Serbët kishin pushtuar gjithë krahinën dhe fshtarat për rreth, Klenjën, Gjinavecin, Trebishtin etj dhe kërkonin të pushtonin Steblevën, Borovën, Zabzunin dhe Llangën, por nuk gjetën mercenarë vendas. Populli patriot i këtyre fshatrave nuk pranoi të ju jepte rekrutë për të vrarë vëllezërit e tyre. Sefer Maliqi organizoi çetën e tij në Trebisht. Grabitjet serbe e revoltuan së tepërmi popullatën e uritur. Serbët i futën njerëzit e thjeshtë të hapnin rrugë e instikamë pa pagesë. Steblevën e rrethuan me llogore e instikame nga anët e lindjes, verilindjes dhe juglindjes. Vetëm ana përëndimore e Steblevës, ana e Borovës, Zabzunit dhe Llangës ishte e lirë.
Përqëndrimet më të mëdha serbe ishin në veri të Steblevës në rrugën Klenjë-Steblevë ku ngritën edhe një postë ushtarake, në vendin e quajtur Tornino Bordo dhe në lindje në Llakavicë ngritën një tjetër.

Vija e frontit ndiqte këtë trajektore: Fusha e Llakavicës, Kratat e Rames, Mali Pishteic, Tornono Bordo, Krasta e Borovës, Zalli i Sebishtit. Në këtë gjendje rrethimi Stebleva mbijetoi për njëzetë muaj nga janari 1919 kur forcat serbe u futën në Gollobordë deri më 7 gusht 1920 kur ato u shpartalluan në Luftën e Steblevës.

... Duke u gdhirë 7 gushti 1920 filloi luftë e ashpër midis çetnikëve serbë dhe luftëtarëve të Steblevës dhe të fshatrave të ardhura në ndihmë. Lufta zhvillohet e rreptë dhe në të katër anët. Luftëtarët e vendosur tek Mashna e Rrajkut, në malin e Pishteicës, në kodrën e Kojashumës dhe në Belishnicë, të organizuar dhe të fortifikuar organizuan rezistencë të pashembullt dhe i organizuan armikut humbje të shumta. Nga Killaveci dhe nga Murini dëgjoheshin thirrjet e trimave që u jepnin zemër shokëve në frontet e tjera, ku lufta zhvillohet më e rreptë.

”Gajret burra, armikut i bini se edhe Borova e Zabzuni ja mbrrini“ dëgjoheshin thirrjet e luftëtarëve. Zabzunasit dhe borovasit i dolën në shpinë arrmikut dhe ndihmuan forcat e Killavecit dhe të Murinit. Grupi i burrave nga Borova, së bashku me trimat e steblevës të përqëndruar në kodrën e Killavecit lëvizën në krahun e majtë nga ana e Rrakiqes dhe duke u ngjitur bregut përpjetë tek varrezat në hyrje të fshatit në Belishnicë i sulmojnë mbas shpine forcat serbe që kishin ardhur nga drejtimi i Klenjës. Ndërsa grupi i luftëtarëve të Murinit i përforcuar me burra të armatosur nga Zabzuni lëvizën nëpër pyllin e Golemravenit për tu dalë serbve nga mbrapa tek stani i Balës, për të shpëtuar edhe shokët tek Mashna e Rrajkut. Lufta zgjati rreth 48 orë. Forcat çetnike serbe të ndodhura midis dy zjarreve detyrohen të ngrenë flamurin e bardhë e të dorëzohen duke pësuar shumë të vrarë, të plagosur dhe dëme materiale. Ndërsa kapiteni i tyre Xhem Kosturi dhe zëvëndësi i tij Daut Hoda ja mbathën brenda matanë kufirit të 1913. Fshatrat e Gollobordës u zbrazën nga forcat serbe të cilët kishin 20 muaj që qëndronin në krahinë. Nga forcat serbe pati edhe 22 robër të cilët i përcollën për në Tiranë. Robërit në fillim u grumbulluan tek hauri i Sali Bajres dhe ruheshin nga Saliu, Ismail Musliu, Sali Gjini dhe Liman Lila.

Në këtë luftë spikati heroizmi masiv i luftëtarëve dhe luftëtareve të Steblevës si Adem Bojaxhiu, Vaid Kormaku, Ahmet Gaxha, Elez Hoxha, Zenel Kormaku, Rexhep Kormaku, Zenel Lila, Tafil Bande, Elmaz Gruja, Murat Llapa, Sali Gjini, Jonuz Disha, Destan Disha, Avdi Avda, Murat Caushi, Sali Uliu, Imer Gjini, Sadik Murati, Emrulla Feta si dhe grave trimëresha, Neslie Kormaku, Hatixhe Kormaku, Zylke Murati, Sulltane Hoxha, Fatime Hoxha, Gjyle Hoxha, Mejte Disha etj që gatuanin ushqim dhe transportonin municion për luftëtarët.

këtë luftë që mbeti në histori si lufta e Steblevës e vitit 1920 ranë në fushën e luftës Xheladin Bande, Zenel Shapku, Alush Fejza, Mehmet Gaxha, Neslie Shabani, Adem Shabani, Hamdi Isaku, Selman Hasa, Zylyf Teta, Ibrahim Koduzja, Ibrahim Tetja, Ismail Qoli, Lutfi Lloshi, Shaban Lloshi, Zylyf Lloshi, Hysen Lloshi, Miftar Hasa dhe shumë të tjerë.

Organizimi i luftimeve në gusht 1920

Me urgjencë nënkolonel Ramiz Dibra, senatori i Dibrës Ramiz Daci dhe Jashar Erebara vijnë nga Tirana në Dibër sepse bëhej një kuvend në fshatin Arras, ku morën pjesë të gjithë krerët: Ramiz Dibra, Elez Isufi, Dine e Izet Maqellara, Ramiz Daci, Shaqir e Dine Dema, Dine Hoxha, Selim Noka, Murat Kaloshi, Dervish Lusha, etj., në të cilën bisedohej çështja e një aksioni kundër Serbisë, pa u këshilluar me Qeverinë.

Më 13 shkurt 1920 Kuvendi i Arrasit, mori disa vendime të rëndësishme, të cilat në gojën e popullit u quajtën si vendime të “Qeverisë së Përkohshme”.

Kuvendi zgjodhi një shtab politiko – ushtarak, anëtarë të të cilit ishin Ramiz Daci, Jashar Erebara, Suf Xhelili, Ismail Strazimiri, Destan Puca etj.

Shtabi, brenda dy-tri ditëve zgjidhi disa probleme të rëndësishme me karakter politik, ekonomik e ushtarak.

Qëllimi i këtij aksioni, ishte të detyrohej Mbretëria Serbo – Kroato – Sllovene të tërhiqej në kufijtë e 1913 dhe, përveç kësaj, të lirohej edhe qyteti i Dibrës, përndryshe dibranët do të luftonin deri në arritjen e objektivit të tyre.

Në Kuvendin historik të Arrasit, veç të tjerave, u vendos që të zgjidhet një Shtab Ushtarak me detyrë organizimin dhe bashkërendimin mes fshatrave e krahinave për veprime të përbashkëta, të njëkohshme, të kryengritësve popullorë kundër garnizoneve serbe të përqendruar në tërë trevën e Dibrës. Furnizimi me ushqim i forcave kryengritëse u bë nga vetë fshatrat.

U diskutua mbi bashkëpunimin dhe nevojën e krijimit të një komande të përbashkët, ku Elez Isufi u caktua si Komandant i Përgjithshëm. Kuvendi bashkoi malësorët luftëtarë dhe i dërgoi mesazhin gjeneralit serb se “do të lini kokën në trojet tona”.

U vendos data e kryengritjes dhe u caktuan sektorët e vendosjes së forcave. Dine Hoxha lajmëroi komandantin serb që ta lironte Dibrën shqiptare, por ai iu përgjigj: “Kjo i është lënë Serbisë dhe nuk e lirojmë. Në rast se sulmoni, dijeni mirë se do t’ju presim me armë. Ushtria ime përbëhet prej 13.000 veta”.

- Jo 13.000 veta, por edhe 13 milionë ushtarë po të keni, ne e kemi da mendjen me ba pushkë, se me duar në brez nuk do të rrimë!.

Përgjigjja flakë për flakë e Dine Hoxhës e hutoi për një çast komandantin Serb.

Luftimet te Lisi i Trenës, Luzni dhe Muhurr

Por nuk vonoi shumë dhe serbët, që nga Lisi i Trenës bombarduan me top kullën e Dine Hoxhës në Muhurr dhe postën shqiptare të xhandarmërisë në Luzni. Forca ushtarake serbe kaluan Drinin dhe hynë në Luzni.

“Pas pushtimit të Luznisë nga serbët, luftëtarët dibranë morën detyrë çlirimin e plotë të këtij fshati nga forcat armike. Kështu, vetëm dy ditë para kryengritjes së përgjithshme, më 13 gusht 1920, u zhvilluan luftime të ashpra mes ushtrisë serbe dhe forcave vullnetare dibrane. Aksioni luftarak u zhvillua në Rrafshin e Myrtajve dhe në të gjithë territorin e Luznisë. Aksioni i Luznisë ishte edhe një fillim i mirë për kryengritjen e madhe që do të niste më 15 gusht 1920. Për të organizuar sulmin mbi Rrafshin e Myrtajve dhe spastrimin e Luznisë nga serbët, si dhe për të shkuar në ndihmë të Postës së Xhandarmërisë, u caktua Dine Hoxha. Pasi u njoh mirë me terrenin dhe venndodhjen e forcave armike, së bashku me Liman Xhanin nga Muhurri, Hysen Manin nga Shqarthi dhe Llan Destanin (Ndregjoni) nga Lukani, major Dinja hyri fshehurazi në bisedime për sulmin e ardhshëm mbi serbët, me pjesëtarët e postrojes serbe që ndodhej në Majën e Arapeve, e cila përbëhej nga luznakë e katërgrykas.

Kryengritja filloi në mëngjezin e datës 15 gusht 1920. Vetëm 24 orë përpara sulmit, shtabi kryengritës dibran, pati dërguar lajm në komandën ushtarake të forcave serbe në vendin e quajtur Llasen, ku e njoftonin atë komandë se brenda 24 orëve duhej me doemos të linte pozicionet dhe së bashku me trupat, të kalonte matanë kufijve të Shqipërisë së vitit 1913. Komanda serbe, ndonëse kishte dijeni rreth përgatitjes së një lëvizjeje popullore, nuk parashihte rreziqe, duke menduar se raporti i forcave të saj me ato shqiptare, ishte gati 4 me 1. Përballë këtij raporti, shtabi i komandës ushtarake serbe në Llasen, parapanë si mjet më me avantazh për ta, fillimin e betejës. Nga ana e vet, komanda e kryengritësve dibranë duke llogaritur me gjakftohtësi të gjitha rrethanat, mundi të organizojë dhe zhvilloi disa luftime model ku ndërthureshin elementët e Luftës Popullore me trimërinë tradicionale dibrane. Ata në mënyrë perfekte planifikuan të parin sulm në garnizonin e Shumbatit ku ishin përqëndruar forcat kryesore serbe dhe ku pozicioni gjeografik i favorizonte së tepërmi ata. Duke vendosur përballë garnizonit të Shumbatit, luftëtarët më të armatosur, të komanduar prej Sufë Xhelilit, komanda kërkonte goditjen e fuqishme dhe të menjëhershme. Në këtë mënyrë rrugëkalimet e mundshme të forcave serbe të ushtrisë së rregullt kontrolloheshin rreptësisht prej kryengritësve të tjerë. Në mesnatën e datës 16-17 gusht 1920, trupat serbe ishin larguar pothuaj plotësisht prej kufijve të shtetit amë duke lënë pas disa qindra ushtarë të vrarë dhe të plagosur.

Forcat e komanduara nga Elez Isufi dhe Suf Xhelili kapën edhe disa robër e robina serbe, por i trajtuan ata sipas ligjit të luftës. Mijëra malsorë dibranë dhe qindra të tjerë dëshmorë dhe martirë me jetën e tyre mbrojtën trojet tona amtare.

Ushtarakët që u dalluan në betejën e Lan Lurës, tetor 1921

Luftimet e dibranëve kundër serbve kanë vijuar edhe në vitin 1921 sepse serbët nuk tërhiqeshin nga Dibra dhe Shqipëria. Një nga betejat më të përgjakshme është beteja e Qafës së Gëlqeres në Lan Lurë. Në betejën e Lan Lurës, tetor 1921, ku morën pjesë forcat ushtarake qeveritare dhe forcat vullnetare e rezerviste të Elez Isufit dhe Isuf Xhelilit ishin dhjetra oficerë e aspirantë me grada ushtarake që e drejtuan këtë betejë. Ismail Strazimiri dëshmitar okular, në kujtimet e tij falenderon dhe evidenton oficerët që morën pjesë në këtë luftë: Kapiten Suf Xhelili, Kapiten Murat Kaloshi, Kapiten Ibrahim Gjoçi, Kapiten Haziz Pilafi, Toger Mehmet Skepi, Toger Misim Ahmeti, Toger Qazim Aziz Ndreu, Toger Dervish Lusha, Toger Haxhi Noka, Toger Xhezmi Frashëri, Toger Xhevdet Starova, N/Toger Abdulla Tirana, N/Toger Munir Tershana, N/Toger Rrok Qafa, N/Toger Hakik Mema, N/Toger Demir Curri, Aspirant Gani Dida, Asp. Sali Doda, Asp.Dali Lami, Asp.Selman Ahmeti, Asp. Hasan Faliu, Asp. Bajram Lusha, Asp. Hysni Kaca, Asp. Xhetan Gjoni, Asp. Sadik Kerçova, Asp. Sul Cani etj…

Disa përfundime për organizimin ushtarak

- Roli i ushtarakëve dhe i organizimit të tyre në luftërat e popullit dibran kundër shovinistëve serbë ka qenë i pamohueshëm, i çmuar dhe evident.

- Në organizimin e forcave luftarake të grumbulluara për kryengritje, u mbajtën parasysh disa faktorë, që ishin të rëndësishëm dhe përcaktues, si koha, rrethanat, trashëgimia organizative dhe luftarake, resurset njerëzore të krahinës, sasia dhe cilësia e armatimeve dhe municioneve, etj. Në këto rrethana, u gjetën dhe u përzgjodhën forma të thjeshta dhe të shpejta organizative tradicionale luftarake, që vinin në përputhje me armatimet, mjetet, pajisjet e tjera dhe mundësonin kompaktësinë, komandimin gjatë lëvizjeve dhe manovrave të shpejta, shfrytëzimin e terrenit, si dhe përdorimin e taktikës tradicionale, por dhe atë deri diku frontale.

-Parimi i mobilizimit të forcave kryengritëse mbeti vullnetarizmi, ndërsa si formë organizative u përzgjodhën çetat e fshatrave dhe ato të krahinave.

- Komanda Ushtarake që u krijua për organizimin e luftës ishte produkt i eksperiencave të mëparshme dhe domosdoshmërisë për koodinimin dhe unifimin e veprimeve luftarake dhe fuqise goditëse.

- Në të gjitha krahinat dhe në disa fshatra kishte çeta luftarake dhe disa nga komandantët e tyre ishin Hoxhë Moglica në Okshtun deri në vitin 1915 kur e vranë serbët, Elez Koçi në Ostren, Hysen Destani në Trebisht, Bajram Zeneli në Tërnovë, Dan Cami në Sepetovë, Feta Cami në Viçisht, Mehmet Duriçi në Bulqizë e Vajkal. Mersim Dema në Homesh dhe pas vrasjes së tij Dine Dema, Sheh Sula në Zerqan, Destan Puca në Godvi e Sopot etj.

- Çeta u përzgjodh si formacioni organizativ dhe luftarak bazë i veprimit në fushën e luftimit.

- Ndër detyrat e para strategjike, që zgjidhi komanda ushtarake ishte çështja e drejtimit të luftës, ku përfshihet gjithë zinxhiri i drejtimit, nga ai strategjik deri tek ai i nivelit taktik. Organi më i lartë, i sferës politiko-ushtarake, i cili kishte të bënte me drejtimin strategjik, ishte pikërisht Komanda Ushtarake, me Drejtues Elez Isufin ku në përbërje ishin edhe Dan Cami, Sheh Sula, Mehmet Duriçi nga malet e Dibrës së Epër.

- Komanda Ushtarake, ishte lloj organizmi ushtarak i specializuar, që merrej pikërisht me përgatitjen e planeve të luftës dhe drejtimin e tyre në fushën e luftimeve.

- Në përbërje të këtij organizmi special me porosinë e Qeverisë së Tiranës ishte një grup i vogël oficerësh shqiptarë të karrierës, i cili shoqërohej me një repart forcash aktive që do të jepte ekpertizë për çështjet ushtarake në hartimin e planit, si dhe gjatë zhvillimit të luftimeve.

- Zinxhiri i Drejtimit dhe i Komandimit përmbyllej me bllokun e komandantëve të çetave. Në mungesë të mjeteve të drejtimit modern, drejtimi u bazua tek ndërlidhja tradicionale, me korrierë dhe me sinjale. Megjithatë, drejtimi bëhej edhe drejtpërdrejt, duke dërguar pranë reparteve kryengritëse përfaqësuesit e komandës. Në sistemin e drejtimit doli qartë parimi i centralizmit, sepse ishte përcaktuar që, asnjë komandë çete, madje as vet Komandanti i Përgjithshëm, nuk mund të ndërmerrte vendime luftarake apo të lëshonte urdhëra pa miratimin e komandës. Përcaktimi i kësaj hierarkie ishte bërë për të shmangur veprimet e nxituara, të pastudiuara ose të pakontrolluara, që mund të sillnin pasoja dhe rreziqe fatale për forcat kryengritëse.

- Në skenën e teatrit të luftimeve, shumë prej çështjeve-kyçe u zgjidhën me të veçantat e tyre, duke i dhënë kësaj lufte tipare po aq të veçanta. Ato ishin disa, duke filluar që nga organizimi i forcave dhe përhapja e tyre, tek drejtimi në të gjitha nivelet, përcaktimi i objekteve kryesore të mësymjes, gjetja e formave taktike dhe e mjeteve për sulm dhe mbrojtje, përballimi dhe zgjidhja e problemit delikat dhe kyç të raporti të disfavorshëm të forcave dhe armatimit...

- Luftimet rikonfirmuan praninë dhe rëndësinë e një parimi tejet të rëndësishëm, me peshë dhe vlera vendimtare për fatet e veprimeve luftarake si dhe të vetë kësaj lufte, faktorin moralo-psikologjik dhe rolin e tij përcaktues në luftë. Rëndësia dhe roli i këtij parimi themelor shfaqen dhe bëhen përcaktues pikërisht atëherë kur epërsia në forca njerëzore, në armatime, mjete dhe teknikë luftarake, nuk është në anën e atij që lufton për një çështje dhe ideal të drejtë, në mbrojtje apo në kërkim të lirisë, idenditetit dhe integritetit kombëtar.

Autorët: Sakip Cami, studiues i historisë ushtarake - Bardhyl Hoxha, Gjen (R) Doktor i shkencave

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat