Tregimi për zhdukjen e Haxhiut

Historia

Tregimi për zhdukjen e Haxhiut

Më: 19 nëntor 2021 Në ora: 11:45
Haxhi Zeka

Syri mbretëror rri prore zgjuar, sheh, o sheh më tepër se ç'sheh syri i zakonshëm, hyn në thellësi të çdo shpirti, vë mbi të kontroll të plotë dhe, kur e sheh se është prishur, e heq ashtu siç hiqet mishi i kalbur, sepse, po ta mbash atë, prishet tërë trupi dhe shndërrohet në kufomë kundërmonjëse. Pra, shpirtin duhet ta ruajmë të shëndoshë dhe vetëm të shëndoshë!...

Dhe, siç është e vërtetë drita e diellit, është i vërtetë edhe konstatimi ynë: Haxhiu është i prishur në shpirt, kërcënon interesat e gjera dhe të ndritshme mbretërore, ka nxitur dhe nxit rebelime në përmasa të gjera, që kanë për qëllim shpërbërjen e mbretërisë. Ai, qëmoti është zhveshur nga hiret e shenjta islamore, punon e vepron në dobi të agjenturave të jashtme që kjo dritë, e cila ka ndriçuar dhe do të ndriçojë madhërishëm mbi botë, të shuhet dhe mbi të të sundojë kryqi, prandaj e shpallim shpirtprishës, shpërbërës të rrezikshëm të mbretërisë, agjent të agjenturave që veprojnë për zhdukjen e dritës islamore dhe e shpallim - të zhdukur. Vlen të theksohet se zhdukjen e Haxhisë e mirëpresin edhe fqinjët, me të cilët kemi ngritur, sidomos kohëve të fundit, ura të qëndrueshme miqësie dhe të cilat, me veprime krejt avanturiere, po i rrënon Haxhiu, për të cilën gjë na është tërhequr vërejtja nga ana e tyre...

Zhdukja nuk guxon të shkaktojë bujë ose ndonjë turbullirë të mundshme, prandaj veproni sipas udhëzimit...

Image

Për zhdukjen e Haxhiut u ngarkua bylykbashi i kasabasë. Ai e lexoi dhe e rilexoi disa herë udhëzimin e zhdukjes, përfytyroi të gjithë personat e përshtatshëm për zhdukjen e tij. Në udhëzim theksohej se zhdukësi i Haxhiut duhej të ishte arnaut, dhe vetëm arnaut. Bylykbashi edhe njëherë përfytyroi të gjithë arnautët e kasabasë dhe të rrethinës që i njihte.

"Eh, si është kjo mbretëria ime! Pse s'më urdhëron t'ia hedh trutë në erë dhe, kush guxon të lëvizë, ta shohë se kush është bylykbashi! Si u bëre kaq e butë, si lepur, o mbretëria ime?! Si kështu, si?! Do ta kisha shkuar në hu Haxhiun, do ta kisha pjekur në hell... por ti e hoqe hurin për ndëshkimin e rebelëve që nxisin vdekjen tënde!... Dhe, po të ishte në dorën time, do ta kisha përdorur hellin për këta arnautë që guxojnë të ngrisin kokë! I kisha pjekur të gjallë! Do t'i kisha mbledhë si në kohën e moçme, që për ty, mbretëri, u harruan!... Si u bëre kështu lepur, o mbretëria ime?! Dhe më ngarkove mua një detyrë të tillë! Pse më fut në këto lakra dhe nuk e ngarkon Mitalib Beun që të dredh e të zhdredh?! Domosdo e ruan!... E, po t'i dalë filli kësaj pune, ç'do të thoni?! E di se edhe koka ime është vënë në lojë. Deshe të bëheshe bylykbash, o Abas, do edhe diçka më shumë në një kohë kur në zemër të mbretërisë po ç’thuren rregullat e moçme?! Edhe Mitalib beu e ka filluar kështu, por koka e tij ruhet! Ndofta edhe kjo e imja zë karar një ditë dhe bëhet e çmuar! Ajo, hë për hë duhet t'zbatojë urdhrat, është kokë në lindje, si thuhet, dhe do të ketë kohë për t'u nderuar. E ndjej se kjo që më është ngarkuar, synon kah nderi dhe, po e kreva me sukses, rriten, rriten konsideratat!... Kjo varet nga suksesi që do të kem, mirëpo është edhe sakrificë se, po t'i dalë duçi këtij marifetllaku, unë fare i parëndësishëm për t'u vënë në lak. E di, o e di çdo të thoni më pastaj, por kjo s'do të ndodhë!" - mendonte bylykbashi i kasabasë!.

Në zyrën e bylykbashit hynin e dilnin njerëzit që ai i konsideronte të përshtatshëm për zhdukjen e Haxhiut. Ai, gjer në imtësi i kishte studiuar ata, por ende nuk kishte rënë në njeriun e dëshirueshëm. Tash, kur po punonte me zell, e shihte sa delikate dhe e vështirë ishte detyra me të cilën ishte ngarkuar. Plani mund të prishej edhe nga një gabim më i vogël. - Ku kalon dhelpra mbi akull, kalo lirisht me qerre! - iu kujtua një thënie që e kishte dëgjuar nga arnautët. - Dhelpra!... - mendoi bylykbashi. Duhet të veproj si dhelpër! Mbretëria kërkon të jesh edhe dhelpër, edhe gjarpër, edhe... Por duhet gjetur një njeri. Ai është diku, por unë nuk e gjeta ende! Nuk janë sosur njerëzit që i kanë zot florinjtë! Ata jetojnë dhe do të jetojnë në këtë botë! - Ata... - dhe këtë fjalë e tha me zë të çjerrë.......

*Proza "Tregimi për zhdukjen e Haxhiut", qe është shkruar diku ne vitet 70', dhe ka për temë bosht likuidimin e Haxhi Zekës, është gjetur ne arkivin e shkrimtarit Hasan Dajakut, nuk është gjetur e plotë. Në atë kohë kur është shkruar nuk ka arritur që të botohet për shkak të censurës....

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat