Nipat e Isa Boletinit nuk janë hakmarrës

Historia

Nipat e Isa Boletinit nuk janë hakmarrës

Nga: Moza Boletini Më: 10 janar 2022 Në ora: 08:32
Isa Boletini në Vlorë në ditën e Pavarësisë së Shqipërisë krah Ismail Qemalit e patriotëve të tjerë.

Pas afro dy vitesh në hetuesi, në burgun e ftohtë e të errët 313 në Tiranë, e shtruar disa herë në Spitalin Psikiatrik, tim atë nuk e lejuan as të komunikonte, e të na shkruante as edhe një letër. Ashtu si mijëra ish të dënuar politikë të Shqipërisë gjatë periudhës së regjimit komunist, kaloi muajt e ftohtë të dimrit nën një izolim të plotë, pa shtresë e mbulesë. Im atë ishte intelektual i formuar, zotërues i shtatë gjuhëve të huaja, por si për qindra akademistë të dënuar të asaj kohe, ky term nuk përbënte asnjë sukses për atë regjim të egër.

Kishte vetëm një muaj që kishte dalë në pension, por nuk e gëzoj. E arrestojnë. E dënuan nën nenin agjitacion - propagandë kundër pushtetit popullor, e armik i popullit. Një periudhë të këtij dënimi e kreu në “kampin e punës” Ballsh. Aty ku po ndërtohej rafineria e naftës.

Kur, tim atë sapo e dërgojnë me kamionin e burgut në Ballsh, lidhur me hekura, shoqëruar nga katër policë, si i rrezikshëm, kosovar i rrezikshëm e i pathyeshëm, e që ishte për Shqipërinë etnike, e përplasin në dyshemenë e atij burgu afër ish të dënuarve të tjerë. Dikush nga të burgosurit e njeh tim atë, e i tregon në mes të tjerëve edhe nipit të gjeneralit malazez Veshoviq, se në atë burg kishin sjellë për dënim edhe nipin e Isa Boletinit.

Gjenerali malazez Veshoviq, kishte pas qenë gjenerali që dha urdhër të pushkatohej Isa Boletini me luftëtarët e tij, në janar të vitit 1916 në Podgoricë. Svetko, quhej nipi i tij, që edhe ky po vuante dënimin në burgun e Ballshit. Dikur e kishim patur komshi, afër pallatit ku jetonim në Tiranë. Atje jetonte me gjithë të shoqen greke Kristinën e vajzën Svetllana, nja dy blloqe larg nesh. Kristina ishte rrobaqepëse shumë e zonja, arnonte rrobat, i bënte njëlloj si të reja. Njihej nga të gjithë për duart e saj të arta, por besoj këtë profesion e ushtronte në fshehtësi, nuk jam e sigurtë....sigurimi i shtetit ia gjeti anën duke arrestuar të shoqin Svetkon, të cilin edhe atë regjimi i asaj kohe e dënoi për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor.

Kur Svetko mëson nga ish i burgosuri tjetër që në burgun e Ballshit sjellin për të vuajtur dënimin politik edhe nipin e Isa Boletinit - Enver Dajçin, bën protestë. Menjëherë shkon në drejtorinë e burgut e kërkon mbështetje ligjore, duke thënë se këtu nuk e kam jetën të sigurt, pasi këtu është sjellë për të vuajtur dënimin edhe nipi i Isa Boletinit, të cilin xhaxhai im e vrau në vitin 1916 në Podgoricë.

Im atë, kur u njoh me këtë situatë, me gjakftohtësinë më të madhe shprehet: “Unë nuk jam hakmarrës. Por, do të vijë ajo ditë kur Shqipëria do të jetë e bashkuar me trojet e saj, e ato krime do t’i dënojë historia, jo unë”. E më pas shtoi: “Svetkon nuk e pyeti xhaxhai i tij gjeneral Veshoviqi, a ta vras apo mos ta vras Isa Boletinin me trimat e tij, sepse ai ishte akoma fëmijë. Ky nuk ka faj, e unë nuk jam gjykatës ta dënoj për atë krim. Për mua Svetko të rrojë edhe njëqind vite të tjera, e mos të ketë aspak frikë nga unë”.

Pas këtyre fjalëve, komanda e burgut në Ballsh e ridënon tim atë. Dhe, nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ndërsa Svetko, pasi kreu dënimin e del nga burgu, vdes pas disa vitesh në shtëpinë e tij në Tiranë, pranë gruas Kristinë e vajzës Svetllana.

Ky është vërtetë një episod i shkurtër mes tim eti e një malazezi me duar të lidhura, por që tregon qartë se kosovarët nuk ishin e nuk e janë hakmarrës, por njerëz vital që mbrojnë jetën, e kërkojnë paqe e drejtësi.

Isa Boletini lindi më 16 janar të vitit 1864, e po në atë muaj të lindjes së tij u vra pabesisht nga shovinistët malazezë më 23 janar të vitit 1916 në Podgoricë, së bashku me 17 bashkëluftëtarë, mes tyre dy djemtë e nipat e tij, që nuk iu ndanë për asnjë çast deri në momentin e fundit të jetës së tij. Por ai la pas nipër e mbesa plot. Luftëtarë të lirisë. Djem e vajza të reja pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët morën armët e luftuan për liri e pavarësi. Edhe sot ata nuk janë hakmarrës për krimet mostruoze serbe në Kosovë, por kërkojnë drejtësi e vetëm drejtësi. Janë pasardhësit e Ibrahim Rugovës, Adem Jasharit e heronjve të tjerë shqiptarë, bijtë e bijat më të mirë të këtij vendi që sakrifikuan jetën për liri e bashkim kombëtar, e jo për shtypje e vrasje, por për dituri, paqe e drejtësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat