554 vjetori i vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut

Historia

554 vjetori i vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut

Më: 17 janar 2022 Në ora: 15:35
Gjergj Kastrioti Skënderbeu

Sot bëhen plot 554 nga vdekja e heroit tonë kombëtar Skënderbeut, i cili mbrojti trojet arbërore dhe i rezistoi për 25 vjet me radhë fuqisë më tê madhe të kohës, perandorisë otomane. « Kështu, qëkur Shqipëria quhet Shqipëri, Skënderbeu është burri që e tregoi atë si komb e shtet më vehte, nga më të fortët n’Evropën e asaj kohe, gjatë një lufte të paprerë prej njëzetepesë vjetësh. Dhe formoi nyjen e kreut ku mund të lidhej filli i historisë së saj për kohët e pastajme. ». Kështu e përshkruan Profesor. Abas Ermenji epopenë legjendare të kryetrimit dhe atit të kombit shqiptar në studimin e tij historik « Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë ». Kemi shkëputur më poshtë nga ky studim pjesën ku flitet për vdekjen e heroit tonë kombëtar:

«

Në fillim të Prillit 1467, Skënderbeu u kthye në Shqipëri, i bindur se s’kish ku të mbështetej veçse në forcat e popullit shqiptar, të cilit iu drejtua për të bërë theroritë e fundit. Lek Dukagjini me komandantin venetikas të Shkodrës kishin mbledhur një fuqi prej malësorësh dhe prej qytetevet shqiptare që ishin nën Venetikun. Kjo fuqi iu shtua ushtërisë së Skënderbeut, e cila arriti në 14.000 veta. Me këtë, kryetrimi duhej të shpëtonte Krujën nga rreziku. Kur po pregatitej t’i binte Ballabanit, mësoi se i vëllaj i këtij, Jonuzi, po vinte me një tjetër ushtri turke për të forcuar rrethimin e Krujës. Por Skënderbeu s’e la t’afrohej, e sulmoi edhe e dërrmoi duke zënë të gjallë Jonuzin bashkë me të birin Hajdar. Pastaj theu një varg fortifikatash që Ballabani kishte bërë për t’u mbrojtur. I tregoi këtij të vëllanë dhe të nipin të lidhur me hekura edhe u vërtit nga jashtë mbi ushtërinë turke, ndërsa garnizoni i Krujës bëri një dalje heroike duke e goditur armikun përballë. N’atë përpjekje të tmerrshme, Ballaban Pasha u vra prej një ushtari nga Kruja i quajtur Gjergj Aleksi, ushtëria turke u thye dhe u tërhoq e shpartalluar. Pastaj mezi çau grykat e malevet për t’ikur, e ndjekur kudo prej Shqiptarëve. Skënderbeu i spastroi disa garnizone armike të mbetura aty-këtu dhe rrethoi Elbasanin, por s’e mori dot mbasi nuk kishte artileri të mjaft.

Sulltan Mehmeti II, i egërsuar nga këto ngjarje, u nis vetë përsëri kundër Shqipërisë, në Korrik të vitit 1467, hyri me të gjitha ushtritë e tija dhe e rrethoi Krujën për të tretën herë. Ishte një luftë shkatërrimi, djegie, çfarosjeje. Sulltani la garnizone në shumë pika të Shqipërisë së Mesme dhe sulmoi njëkohësisht qytetet që mbante Venetiku, Durrësin, Lezhën, Shkodrën, për t’ia prerë vendit çdo mundësi ndihme nga anë e detit. Skënderbeu vazhdoi taktikën e vjetër, Kruja iu qëndroi topave më të rëndë dhe sulmevet më të tërbuara, Shqiptarët treguan të njëjtin shpirt heroizmi si më parë. Pjesa m’e madhe e ushtërisë turke u lëshua për të shkretuar vendin. Popullsia ikte, fshihej, tërhiqej e tmerruar. Kushdo që u kap i gjallë, u ther pa mëshirë. Disa grupe që mundën, u mërguan n’Itali. Por shumica e popullit u tërhoq nëpër vendet e forta duke qëndruar me armë në dorë gjer në vdekje. Trupat turke të stërvitura në luftën e malevet u vunë të ndiqnin Shqiptarët deri në lartësitë më të thepisura, por këta iu qëndruan me një trimëri të pashoqe edhe i prapsën me humbje.

Nga shkrimet e kronikanëve turq, Dursun Beu dhe Qemal-Pasha-Zadeja, dhe nga ato të kronikanëve bizantinë turkofilë, Kritobuli dhe Laonik Halkokondili, kuptohet se sa t’ashpra, plaçkitëse dhe gjakderdhëse qenë këto dy ekspedita të Sulltan Mehmetit II dhe se sa heroike u dëftye qëndresa e Shqiptarëve, që çuditi tërë botën e atëhershme. Shqiptarët – tregon Kritobuli – hidhëshin nga majat e shkëmbenjve për të mos rënë të gjallë në duart e Turqve. Pas disa sulmeve të fundme që bëri Mehmeti II kundër Krujës dhe Durrësit, në muajin e Gushtit, dhe pasi e pa se ndjekja e Shqiptarëve po i shkaktonte humbje shumë të rënda ushtërisë së tij, u shtrëngua të largohej nga Shqipëria për të dytën herë dhe të këthehej i turpëruar në Stamboll.

Por la garnizone nëpër fortesat dhe trupa në kufi. Këto dy tërheqje të pushtonjësit të Stambollit, që u zmbraps përpara Krujës dy vjet me radhë, ishin si dy kurora lavdie shumë të ndritura për Skënderben dhe për kombin shqiptar. Por vendi ishte prishur, djegur e shkretuar. Popullsia ishte vrarë e gjymtuar. Mungonin ushqimet, mungonte gjithëçka. Darët e hekurta turke rreth Shqipërisë së Mesme po shtrëngohëshin. Fortesave të tjera që ndodhëshin në duart e armikut, Sfetigradit, Beratit, Modricës, iu shtohej tani edhe Elbasani. Kjo bazë e fundit turke e shqetësoi fort Republikën e Venetikut sepse prej Elbasanit kërcënohej Durrësi drejtpërdrejt; sidomos që Turqit kishin në dorë edhe Vlorën. Skënderbeu shpresonte se do të kishte ndihmën e Republikës për të marrë Elbasanin. Pasi i spastroi disa nga garnizonet që kishte lënë Mehmeti II, iu përvesh punës për të mbledhur fuqi të tjera dhe për të pregatitur rrethimin e Elbasanit. Po për këtë duhëshin mjete, dhe gjendja e vendit ishte tepër e keqe. Prandaj vendosi të thërriste në Lezhë, në Janar të vitit 1468, një kuvend të krerëve shqiptarë, ashtu siç pat bërë më 1444. Ftoi edhe delegatët e Venetikut për t’iu kërkuar një ndihmë më të madhe nga ajo që po jepte tani Republika.

Kuvendi u mblodh, por Skënderbeu u sëmur nga ethet. Kur ishte keq në shtrat, një ushtri turke erdhi nga Kosova nëpër malet me dëborë dhe rrethoi Shkodrën. Kryetrimi provoi të ngrihej për të fundmen herë dhe të rrokte shpatën, por i mungoi fuqia. Garda pretoriane shkoi këtë herë pa komandantin, por Turqit e pandehën në krye të saj edhe u thyen. Kur i erdhi lajmi i fitores, Skënderbeu ishte në çastet e fundit. Vdiq më 17 Janar 1468, i rrethuar me dritë dhe lavdi të përjetëshme. U varros në kryekishën e Shën-Kollit, në Lezhë. “Si Ajaksi i Sofokliut, shkruan historiani Fallmerayer, Skënderbeu u hoq nga skena përpara se të mbaronte akti i tretë dhe i fundmë i tragjedisë shqiptare”.

Kombi shqiptar e qau me kujë e me gjëmë prijësin më të madh të tij që ia rrëmbeu vdekja në çastin më fatkeq të luftës për vetëmbrojtje. Vajtimi i burrave edhe i grave, që çirrnin fytyrën, shkulnin flokët, rrihnin krahërorin, ishin nga ato pamje që të këpusin shpirtin. Nuk mbet zemër që s’u helmua, nuk mbet sy pa derdhur lot. Lajmi i zi shkaktoi dhëmbje e pikëllim në tërë Evropën, që humbiste mbrojtësin e saj më të fortë. Tregojnë se Sulltan Mehmeti, kur dëgjoi vdekjen e tij, tha: “Një luan të këtillë nuk do t’a pjelli më dheu kurrë!”.

Trimëritë e Skënderbeut u kënduan, pas mënyrës shqiptare, si ato të heronjve të vjetërsisë klasike. Figura e tij u mbajt si hije e shënjtëruar në malet e Shqipërisë edhe e frymëzoi popullin t’a vazhdonte qëndresën e pathyershme për disa dhjetra vjet akoma. Kronikani venetikas, Antonio Scabello, shkruante më 1487, afro njëzet vjet pas vdekjes së fatosit, se populli shqiptar i këndonte me vjersha epike trimëritë e tija të çuditshme, se grumbuj vajzash mblidhëshin çdo tetë ditë nëpër vendet ku ai kishte sunduar dhe, midis zjarrit të betejavet, kur dridhej bota përpara armëve të barbarit, ato i këndonin hymne lavdie prijësit të vdekur, siç e kishin zakon të vjetrit nëpër gostitë përkujtimore të heronjve të mëdhenj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat