Sylë Hoxha: Avdullah Hoti u përball me presidentin e Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, sërish do të jetë kryeministër i Kosovës

Intervista

Sylë Hoxha: Avdullah Hoti u përball me presidentin e Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, sërish do të jetë kryeministër i Kosovës

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 29 janar 2021 Në ora: 08:38
Sylë Hoxha

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputet dhe ish-prokurori Sylë Hoxha është shprehur i bindur për suksesin e kësaj partie në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Hoxha në një intervistë ekskluzive dhënë gazetës “Bota sot”, ka bërë me dije se Lidhja Demokratike e Kosovës është parti me rrënjë të forta, është unike për programin dhe vizionin e saj për Kosovën, dhe se nuk mund ta konkurrojë asnjë parti tjetër.

Në këtë intervistë, Hoxha ka folur edhe për sondazhet e fundit. Ai ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës asnjëherë nuk i ka përdorur sondazhet dhe propagandën në funksion të arritjes së objektivave dhe rezultateve të pamerituara.

Kurse, ka thënë se është krenar që ka qëndruar i bindur në rrugën rugoviane, ndërsa ka theksuar se edhe me tej mbetet ushtar e shërbëtor i Kosovës.

Ish-prokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, tash kandidati i LDK-së për deputet, në këtë intervistë ekskluzive ka treguar pse iu kthye politikës, për aktivitet e këtij subjekti politik në teren, për marrëveshjen mes LDK-së dhe AKR-së, si dhe për qeverisjen e Avdullah Hotit.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z. Hoxha kush ju propozoi dhe si erdhi deri te kandidimi për deputet në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e 14 shkurtit?

Sylë Hoxha: Zgjedhjet e 14 shkurtit janë zgjedhje të rëndësishme. Përveç përvojës, konkurrencës së programeve dhe alternativave në këto zgjedhje ka shumë rëndësi përfaqësimi i partive politike. Seksionet dhe nëndegët e Lidhjes Demokratike në Has, por dhe disa tjera në Prizren, më propozuan që t’i përfaqësoj ata në këto zgjedhje. Ishte vlerësim për mua dhe këtë besim e shoh si obligim për të qenë gjithmonë në shërbimin e qytetarëve. Tani jam në profesionin e lirë të avokatit dhe gëzoj të drejtën të bëhem pjesë e familjes politike, në të cilën kam qenë me dekada. Besoj se anëtarët e LDK-së derisa më propozuan do të më japin më 14 shkurt mbështetjen e tyre për t’i përfaqësuar denjësisht dhe me përkushtim. Unë kam detyrimin që të mos i zhgënjej e të jem pranë tyre në çdo moment.

“Bota sot”: Çfarë ju lidh ju me projektin e Lidhjes Demokratike dhe pse pikërisht dëshironi t’i përfaqësoni qytetarët përmes kësaj partie?

Sylë Hoxha: Unë nuk kam patur ndonjë parti tjetër ndonjëherë, pos Lidhjes Demokratike. Që kur është krijuar Lidhja Demokratike e Kosovës e deri më sot kam qenë aktiv në veprimtarinë politike të saj, përjashtuar periudhën kur kam punuar në sistemin e drejtësisë. Gjatë gjithë periudhave të tjera kam dhënë maksimumin për këtë parti. Kjo që nga fillimi i viteve ‘90-ta, kur LDK-në e kishte themeluar dhe e drejtonte Presidenti Historik i Kosovës, Ibrahim Rugova. Jam krenar që kam qenë bashkëpunëtor i tij. Jam krenar se kam qenë deputet i parlamentit të Rugovës të zgjedhur në marsin e vitit 1998. Jam krenar që edhe më vonë kam qëndruar i bindur në rrugën rugoviane. Si i tillë mbetem ushtar e shërbëtor i Kosovës.

Por, edhe pas Rugovës kam qenë i kyçur në veprimtarinë politike të Lidhjes Demokratike si kandidat për deputet dhe si zv. ministër i Drejtësisë. E gjithë kjo veprimtari politike me Lidhjen Demokratike është një eksperiencë e jashtëzakonshme. Përmes kësaj veprimtarie krijova lidhje të ngushta me njerëzit. Pata menduar se periudha e shkëputjes nga kjo veprimtari, për shkak të angazhimit në sistemin e drejtësisë, do t’i kishte zbehur këto lidhje. Por, jam i gëzuar që njerëzit ruajnë konsiderata të larta për angazhimin tim në LDK, para dhe pas liderit historik, Ibrahim Rugova.

“Bota sot”: Ju keni punuar në disa pozicione në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Kryeprokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, U.D. i Kryeprokurorit të Shtetit të Kosovës, pastaj në Prokurorinë Speciale. Sa ju ndihmon kjo përvojë në misionin e ri që merrni përsipër?

Sylë Hoxha: Drejtësia është themeli dhe pasqyra e realizimit të rendit demokratik. Në një farë mënyrë si të jetë drejtësia, ashtu është edhe vetë sistemi demokratik. Nuk them se kemi një drejtësi të arrirë në Kosovë. Por sa kohë kam qenë U.D. i Kryeprokurorit të Shtetit të Kosovës kam pasur vlerësimet më të mira për punën e bërë në këtë institucion, vlerësime që kanë ardhur nga institucionet e Kosovës dhe nga faktori ndërkombëtar i përfaqësuar në Prishtinë. Edhe në detyrën e kryeprokurorit në Prizren kisha rezultate shumë të mira. Vetëm një rast është keqpërdorur nga politika. Është fjala për rastin e Astrit Deharit. Nuk dua të flas për këtë, sepse politika i përdor raste të tilla për të tërheq në mekanizmin e saj të debatit. Por, ende sot nuk është provuar diçka e saktë, ndryshe nga versioni që kam dhënë unë aso kohe. Të gjithë ata që kanë folur janë bazuar në opinione dhe nuk ka ndonjë ekspertizë që të ketë vërtetuar të kundërtën. Pra, është një rast i manipuluar për qëllime politike dhe ju siguroj se kjo nuk ka ndodhur për shkakun tim. Ku hyn politika për përfitimet e saj, krijohet gjithnjë mjegull.

Ndërsa, në Prokurorinë Speciale kam pasur në hetim dhe kam çuar në gjykim çështje shumë të ndjeshme, që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare dhe terrorizmin. Nuk ka qenë e lehtë, sepse duhej guxim i madh për këto sipërmarrje. Megjithatë ia kam dalë që të jem korrekt dhe të bëj më të mirën për interesin e Kosovës. Edhe për pjesën profesionale të punës time në sistemin e drejtësisë jam krenar dhe i lumtur që kapërceva me sukses vështirësi të panumërta. Kjo më ka shtuar vetëbesimin dhe më lejon që në funksion të legjislativit të jap kontribut për reformën e drejtësisë në vendin tonë.

“Bota sot”: Prej shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, Lidhja Demokratike e Kosovës ka filluar aktivitetet në terren. Nga këto takime me qytetarët, cili është disponimi i përgjithshëm për zgjedhje?

Sylë Hoxha: Lidhja Demokratike e Kosovës është parti me rrënjë të forta në vendin tonë. Është unike për programin dhe vizionin e saj për Kosovën. Nuk mund ta konkurrojë asnjë parti tjetër. Është e vërtetë se ajo ka qeverisë shumë vite dhe mbart mbi vete suksese e dështime, Por, kjo qeverisje është autorizuar nga zgjedhësit me koalicion me partitë e tjera të vendit. Nëse ka defekte dhe dështime, këto nuk kanë ardhur për shkak të paaftësisë së Lidhjes Demokratike, por për shkak të pamundësisë së saj që partitë në koalicion t’i bëjë si vetja.

Qytetarët e Kosovës e dinë se LDK është parti e shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës, është parti me pikëpamje shumë të qarta për të sotmen dhe të ardhmen e vendit. Ka potenciale të jashtëzakonshme LDK. Prandaj, them se Lidhja Demokratike nuk e ka të vështirë të orientohet dhe të bindë votuesit për t’i dhënë asaj besimin e qeverisjes.

Për pasojë LDK mund të thuhet se ishte e përgatitur për zgjedhje të parakohshme. Dhe nga takimet me qytetarët duket se atmosfera është shumë e mirë. Ne do të fitojmë në këto zgjedhje. Sigurisht që askush tashmë nuk fiton i vetëm zgjedhjet në Kosovë, por ne do të ndërtojmë strategjinë e një koalicioni që e çon përpara vendin dhe i jep fund tranzicionit.

“Bota sot”: Tanimë kanë dalë disa sondazhe të cilat nuk e nxjerrin mirë partinë tuaj, mirëpo, krerët e Lidhjes Demokratike të Kosovës shprehen të bindur se subjekti juaj do të dal mirë nga këto zgjedhje. Sa ju besoni këtyre sondazheve?

Sylë Hoxha: Është normale që në fushatë zgjedhore të ketë sondazhe. Por, është e ditur se shpesh herë sondazhet sponsorizohen dhe diktohen nga parti të caktuara politike. Edhe kjo është pjesë e lojës politike. Lidhja Demokratike e Kosovës asnjëherë nuk i ka përdorur sondazhet dhe propagandën në funksion të arritjes së objektivave dhe rezultateve të pamerituara. Askush në Kosovë nuk mund të thotë se LDK është bërë ndonjëherë pjesë e manipulimit. Përkundrazi, në kohën e Rugovës, por edhe më vonë këtë parti e kanë diskriminuar dhe dhunuar përmes manipulimeve.

Për ne sondazhet janë një e drejtë e grupeve të interesit. Por, ne nuk e dimë se nga kush ndikohen këto grupe interesi. Prandaj dhe nuk bazohemi shumë në to. Në kushte të tilla mund të them se fitorja e Lidhjes Demokratike mund të duket si një surprizë me datën 14 shkurt. Qytetarët e Kosovës nuk kanë alternativë më të mirë sesa eksperiencën e LDK-së, potencialin e LDK-së dhe programin e LDK-së.

“Bota sot”: Cili është vlerësimi juaj për listën prej 110 kandidatëve?

Sylë Hoxha: Pa asnjë diskutim që Lidhja Demokratike ka listën më të mirë nga të gjitha partitë e tjera në Kosovë. Nuk ka konkurrencë në këtë pikëpamje me LDK-në. Të gjithë janë emra të njohur në shkencë, në studimet akademike, në përvojën politike, në arsimim. Të gjithë janë të spikatur për diçka specifike, përfaqësojnë jo vetëm programin dhe alternativën më të mirë tonën, por edhe individualitetin, integritetin dhe dinjitetin profesional, njerëzor e politik. Do të duhen dekada që ndonjë parti politike të konkurrojë për nga elementi dhe përfaqësimi i emrave Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Bota sot”: Si e keni parë bashkimin politik në një listë zgjedhore të Avdullah Hotit dhe Behgjet Pacollit? Sa mund të ketë sukses kjo marrëveshje?

Sylë Hoxha: LDK është me zemër të madhe. Nuk kompleksohet as nga koalicionet, as nga ata që vijnë e përfaqësohen me ne. Ishte dëshira e zotit Pacolli të bashkohej me ne, dhe ne ishim dhe jemi gjithnjë të hapur në këtë drejtim. Në listën e LDK-së ka edhe individualitete jashtë saj, të cilat janë përfshirë në listën tonë të kandidatëve për deputetë.

Ka ndodhur që Behgjet Pacolli merr vota dhe hyn në parlament përmes LDK-së dhe pas zgjedhjeve, nëse LDK mbetet në opozitë, ai shkon me mazhorancën. Megjithatë, ne nuk e kemi penalizuar bashkëpunimin me të. Kjo tregon se Lidhja Demokratike është një magazinë e madhe, ka vend edhe për të tjerët, nuk mban inate dhe nuk bëhet sektare dhe e mbyllur.

“Bota sot”: Si e vlerësoni punën e qeverisë se Avdullah Hotit? Mendoni se duhet t’i jepet edhe një mundësi z. Hoti dhe LDK-së për të qeverisur me vendin?

Sylë Hoxha: Qeveria e zotit Hoti është një qeveri nga më të suksesshmet. Ajo përballoi me dinjitet sfidën e pandemisë së Covid-19. Menaxhoi me efiçencë fondet publike dhe u erdhi në ndihmë atyre që u dëmtuan ekonomikisht nga kjo pandemi. Ndihmoi më shumë se thuajse të gjitha vendet e rajonit ekonominë dhe biznesin. Pra, kjo qeveri ka bilanc, me të cilin ne duhet të jemi krenarë. A ka të meta? Sigurisht që po. Kush punon edhe gabon. Por, në përmbajtjen e punës së saj qëndron suksesi dhe e mira. Zoti Hoti u përball edhe me presidentin e Serbisë në Shtëpinë e Bardhë dhe marrëveshjet që nënshkroi atje janë krejt ndryshe nga projektet që dolën në bisedimet e mëparshme. Ai u përfaqësua me dinjitet para presidentit amerikan, aq sa e la në hije presidentin e Serbisë.

Për këto arsye zoti Hoti është gjithashtu kandidat për kryeministër në qeverinë e ardhshme të pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Ne besojmë fuqishëm se kjo do të ndodhë, pra ai do të jetë sërish kryeministër i vendit. Në këtë pozicion zoti Hoti do të punojë edhe më me përkushtim për stabilitetin dhe progresin e Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat