Hysamedin Feraj: Albini është qendra, të tjerët sillen rreth tij, arroganca e Mustafës dhe Hoxhajt do të ndëshkohet me 14 shkurt

Intervista

Hysamedin Feraj: Albini është qendra, të tjerët sillen rreth tij, arroganca e Mustafës dhe Hoxhajt do të ndëshkohet me 14 shkurt

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 4 shkurt 2021 Në ora: 20:04
Albin Kurti

Profesori Hysamedin Feraj në zgjedhjet e 14 shkurtit është kandidat për deputet. Me numrin 27 në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, ai synon të bëhet përfaqësues i popullit në Kuvendin e Kosovës.

Sipas tij, zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje e problemeve themelore. Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Hysamedin Feraj ka thënë se synon që të jetë përfaqësimi i faqes së ndritur të qytetarëve dhe mbajtja gjallë e përparimi i mëtejshëm i aktivizimit qytetar.

Sa i përket deklaratave kundër Albin Kurtit, ai thotë se Albini është qendra dhe rreth tij bashkohet politikja, derisa shton se Mustafa, Hoxhaj e të tjerët deklarojnë se e fusin në xhep Kurtin, pasi metafora e parapëlqyer e tyre është xhepi dhe për kaq vite mendojnë se i kanë futur në xhep qytetarët, andaj arroganca e tyre do të ndëshkohet me 14 shkurt.

Image
Hysamedin Feraj

Ndërsa, lidhur me vendimin për moslejimin e Kurtit për kandidim në zgjedhje, Feraj, ai thotë se vendimi ishte i diktuar nga Isa Mustafa, ndërsa Avdullah Hoti thotë se Vetëvendosje duhet të zhduket.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në Kosovë?

Hysamedin Feraj: Shumë të mirë, sepse është shumë e politizuar. Sepse qytetarët janë siç duhet me qenë: thellësisht politikë, themeluesit e qytetit (polisit), domethënë të shtetit. Është ngjarje e mirë kalimi nga popullatë që spektaton, që soditë historinë e vetë si fatalitet të determinuar prej të tjerëve, në popull që themelon shtetin dhe e bën historinë e vet. Më nuk legjitimohet “kështu ne erdhi historia” por vendoset “kështu do ta bëjmë historinë”.

“Bota sot”: A ishte i duhur vendimi për të shkuar në zgjedhje dhe a janë zgjidhje zgjedhjet që do të mbahen?

Hysamedin Feraj: Ishte i duhuri, sepse vetëm zgjedhjet janë zgjidhja e problemeve themelore. Kur problemet e qeverisjes bëhen të shumtë në numër e themelorë në cilësi, mund të zgjidhen vetëm duke ia lënë vendimin zgjedhësve të shumtë në numër e cilësisht themelues të qeverisjes.

“Bota sot”: Si i vlerësoni akuzat dhe deklaratat kundër Kurtit që po bëhen vazhdimisht nga partitë e tjera, cili është komenti juaj?

Hysamedin Feraj: Janë shumë, dhe të rreme. Prandaj po veçoj një sa për ilustrim: “Albini po e polarizon politikën në Kosovë”.

Është pohim i rremë. Albini nuk është pol. Albini është qendër rreth së cilës bashkohet politikja. Polet janë skajet e së njëjtës fushe, ndërsa Albini dhe të tjerët, ata që e akuzojnë dhe që gabimisht i quajmë politikanë, u takojnë fushave të ndryshme: Albini politikes, ata tregtares, Albini publikes, ata privates, Albini shoqërores, ata fisnores, Albini tërësisë ata krahinës, Albini idesë universale ata llogarisë personale. Pra s’i takojnë së njëjtës fushe.

Prandaj metafora e parapëlqyer e tyre është xhepi: xhepi i Isa Mustafës, xhepi i Enver Hoxhajt, xhepat e të gjithëve, aq të thellë sa kanë zënë brenda tyre fabrikat dhe gjithë burimet e zhvillimit të vendit, dhe madje vetë mundësitë e së ardhmes sonë. Aq janë të dhënë pas xhepit sa besojnë se vetë popullin dhe qytetarët i kanë futur tashmë në xhep. Sigurisht arroganca e tillë e tyre është e pritshme të mos durohet e të ndëshkohet nga populli dhe qytetarët me 14 shkurt.

Pa qenë pole, Albini dhe ata përbëjnë kundërti. Veçoria e kundërtive është prirja e mohimit reciprok. Ata duan të mohojnë LVV-në, dhe kjo po ashtu është mohim i privilegjeve të tyre, i pushtetit dhe të keqes që kanë shkaktuar me zotërimin e tij si mjet sundimi e pasurimi.

“Bota sot”: Si e vlerësoni vendimin për moslejimin e kandidimit të Albin Kurtit në zgjedhje?

Hysamedin Feraj: E vlerësoj vetëm si simptomë e një sëmundjeje të tepër të rëndë, që quhet kapje e institucioneve nga të pushtetshmit dhe rrjeti mafioz ballkanik, për të cilin flitet shumë nga bota që na vëzhgon me kujdes e që, për këtë arsye, ngurron të na pranojë në gjirin e vet. Treguesit e kapjes së institucioneve janë të dukshëm për këdo, dhe madje vetë pushtetarët kujdesen t’i bëjnë sa më të dukshëm, me shpresën se e frikësojnë popullin. Kështu, Gjykata Kushtetuese haptas e mori vendimin e diktuar nga Isa Mustafa: nuk vendosin qytetarët me votën e tyre kush e krijon dhe kush e kryeson qeverinë. Avdullah Hoti deklaroi botërisht se do të kujdesej që VV të mos vijë kurrë në pushtet. Ndonëse i paligjshëm, megjithatë është shef i ekzekutivit që duhet të kujdeset për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe komandon shumë mjete e institucione që detyrohen “të kujdesen” për realizmin e zotimit të tij. E vendimi i mësipërm është tashmë shfaqja e këtij “kujdesi” nga institucionet e kapura. Mbas këtij angazhimi, “zhdukja” e LVV-së për të cilën flet Hoti nuk është më parashikim i një procesi që do të ndodhë vetiu, por parashikim i rezultatit që pret nga “kujdesja” e tij kundër LVV-së. Në fund, vendimi i mësipërm është përpjekja e institucioneve të kapura për ruajtjen e mundësisë së pushtetit të atyre që, si Enver Hoxhaj, në ndërgjegjen e vet tashmë e besojnë që Ura e Ibrit është pika e kalimit kufitar për në Serbi, siç dhe i kanë premtuar Vuçiqit dhe siç kanë lobuar për shumë vite. Për këtë sëmundje të institucioneve, i vetmi shërim është vota e qytetarëve kundër tyre, të marrë së bashku, siç janë bashkuar ata brenda vendit me njëri-tjetrin dhe jashtë me mafinë rajonale.

“Bota sot”: Cili do të jetë fokusi i juaj si përfaqësues i popullit, në Kuvendin e Kosovës?

Hysamedin Feraj: Nëse ndodh, në Kuvendin e Kosovës shkoj për një ndërmarrje të përbashkët, për fokusin tonë të përbashkët si përfaqësues e të përfaqësuar. Është merak i yni do të jemi për-faqja, për-faqe-simi, i faqes së ndritur të qytetarëve, si dhe mbajtja gjallë e përparimi i mëtejshëm i aktivizimit qytetar, i thellimit të mendimit politik që themelohet mbi moralitetin publik. Vetëm bashkërisht, duke pasur për fokus vlerat dhe dinjitetin e veçantë të njeriut, vlerat qytetare e demokratike, është e mundshme t’i jepet fund agonisë njëzet vjeçare dhe të mposhtet çdo rrjet pushtetesh të korrupsionit e të mafiozitetit. Në termat moral, 14 shkurti do të jetë fitorja e së mirës kundër vëllazërisë së të keqes, e publikes dhe e politikes kundër tregtares dhe vetjakes.

Faleminderit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat