Deputetja e LDK-së flet për arsyet e rënies në zgjedhjet e 14 shkurtit, tregon a do ta votojnë Osmanin për presidente

Intervista

Deputetja e LDK-së flet për arsyet e rënies në zgjedhjet e 14 shkurtit, tregon a do ta votojnë Osmanin për presidente

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 18 mars 2021 Në ora: 08:32
Valentina Bunjaku-Rexhepi

Lidhja Demokratike e Kosovës shënoi rënien më të madhe ndonjëherë, në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Në këtë legjislaturë, ajo do të ketë vetëm 15 deputetë.

Në mesin e tyre, i ka marrë votat e mjaftueshme për të siguruar ulëse në Kuvend edhe kandidatja, Valentina Bunjaku-Rexhepi, e cila ishte deputete edhe në legjislaturën e kaluar.

Në një intervistë dhënë për “Bota sot”, ajo ka folur për zgjedhjet e 14 shkurtit, derisa i cilësoi si të rënda dhe të tmerrshme për partinë e saj.

Sipas saj, LDK nuk e kishte për qëllim pushtetin kur rrëzoi qeverinë Kurti, por donte të mbronte interesat shtetërore. Sa i përket zgjedhjeve brenda LDK-së, deputetja Bunjaku-Rexhepi thotë se është dëshmia më e mirë dhe se LDK-ja dhe shembullin e një fryme pozitive.

Ajo poashtu ka folur për mundësinë e rikthimit të Vjosa Osmanit në LDK, mbështetjen që kishte për Lutfi Hazirin si kandidat për kryetar të LDK-së, si dhe ҫfarë pret nga qeveria e re e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Bota sot”: Si e vlerësoni rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit?

Valentina Bunjaku-Rexhepi: Rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit për LDK ishte i rëndë dhe i keq për nga rezultati, por edhe i pranuar nga ne si i tillë.

“Bota sot”: Znj, Bunjaku, sipas jush, cilat janë arsyet që LDK mori një rezultat të tillë në këto zgjedhje?

Valentina Bunjaku-Rexhepi: LDK, e bindur e them se nuk veproi për pushtet por në mbrojtje të interesave shtetërore. Rrëzimi i qeverisë Kurti në kohë pandemie dhe injorimi i tij nga ana e partnerit të koalicionit LDK-VV, zbehu në masë pritjet e qytetarëve për një koalicion të shpresës. Kurti e shfrytëzoi këtë veprim në elektorat ndërsa LDK e pësoi në zgjedhje. Pastaj largimi i znj.Osmani nga detyrat në LDK dhe marrja e përgjegjësisë institucionale ishin mjaftueshëm veprime për ndëshkim.

“Bota sot”: A mendoni se zgjedhjet brenda LDK-së duhej të bëheshin para zgjedhjeve parlamentare?

Valentina Bunjaku-Rexhepi: Tashmë janë kohë të kaluara. LDK do të shikojë përpara nga ky pësim. Kuvendi i jashtëzakonshëm zgjedhor ishte tejet demokratik dhe LDK dha shembullin e një fryme pozitive. Kuvendi i karrigeve të vitit 2006 ishte vetëm fatkeqësi e rastit dhe Kuvendi i 14 marsit e demantoi se LDK nuk do ta kalojë mirë. LDK nga tash duhet të merret me vetveten dhe kryetari i ri z.Abdixhiku duhet ta rikthejë besimin qytetarë me punë e ndryshime pozitive.

“Bota sot”: Me kryesinë e re në LDK, ҫfarë prisni nga zgjedhjet lokale që do të mbahen brenda pak muajsh?

Valentina Bunjaku-Rexhepi: Zgjedhjet lokale janë sprovë e vështirë pas 14 shkurtit dhe test i parë me LDK-në e reformuar. Megjithatë ato dallojnë nga zgjedhjet parlamentare por gjithsesi janë vullnet qytetar. LDK duhet të dalë në terren dhe takohet me qytetarin, e për këtë tani ka edhe kohë edhe arsye e patjetër edhe nevojë.

“Bota sot”: Keni qenë përkrahëse e Lutfi Hazirit për kryetar të LDK-së. Si e komentoni zgjedhjen e Lumir Abdixhikut në krye të partisë dhe pse mendoni se nuk fitoi Haziri?

Valentina Bunjaku-Rexhepi: Kam përkrahur z.Haziri në kandidaturën e tij jo pse vijmë nga i njëjti rajon por se kam besuar se ai është lidhja ndërmjet LDK-së së traditës dhe asaj të ardhmes. Në garën shumë demokratike dhe fer fitoi z.Abdigjiku dhe aty z.Haziri dhe z.Mustafa si kundër kandidatë e uruan dhe i ofruan bashkërrugëtim në shtëpinë e përbashkët të LDK-së. Kjo ishte edhe madhështia e Kuvendit të LDK-së, ashtu siç është vet ajo dje, sot e nesër vazhdimisht.

“Bota sot”: Ju keni fituar edhe një mandat si deputete, cili do të jetë kontributi juaj?

Valentina Bunjaku-Rexhepi: Në këtë rezultat të tmerrshëm të LDK-së, unë rishtazi fitova besimin qytetar. Besimin do ta mbaj fort me votuesit e LDK dhe posaçërisht me ata që ma besuan mua personalisht votën. Asnjëherë nuk do t’i dëshpëroj dhe ju falënderohem nga zemra secilit.

“Bota sot”: A do të mirëpriste LDK-ja kthimin e Vjosa Osmanit, ashtu siҫ po përmendet kohët e fundit?

Valentina Bunjaku-Rexhepi: LDK nuk duhet të humbë produktet dhe kapacitetet e veta. Nga LDK kanë dalë shumë persona edhe në parti tjera. Por figurat e forta si ajo e znj.Osmani e dëmtojnë shumë LDK-në dhe forcojnë të tjerët. Reformat në LDK janë forma e organizimit të ri me një metodë të derës së hapur për të gjithë ata që e duan Kosovën e zhvilluar me LDK- në si prijëse në shtetformim dhe integrim.

“Bota sot”: Cila do të jetë vota juaj kur të votohet Presidenti/ja?

Valentina Bunjaku-Rexhepi: E kam theksuar se LDK nuk ka nevojë më për hakmarrje politike. Ajo është parti e shtetit dhe ndërtimit institucional të saj. Reflektimi pozitiv është shembulli më i mirë në të ardhmen dhe jo metodat primitive dhe arrogante si të oponentëve politik.

“Bota sot”: A mendoni se një qeveri e krijuar nga Vetëvendosja do të përfundojë mandatin e plotë?

Valentina Bunjaku-Rexhepi: VV e kërkoi dhe e mori pushtetin e plotë pothuajse duke shfrytëzuar një metodë të etiketimit, demagogjisë dhe arrogancës. Jo me program të qartë qeverisës por me gabime të partive tjera në pushtet. Qytetarët u dhanë mundësinë të shohin se si ata do të qeverisin por ua marrin pa hezitim nëse dështojnë dhe opozita duhet patjetër të jetë gardiane e ndryshimeve pozitive, e jo assesi e një politike të etur për pushtet. LDK duhet nga pozita e saj me mundësitë që ka të luajë rol konstruktiv si partia më e vjetër dhe më me përvojë nëpër kohë e etapa të rënda për vendin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat