Xhafer Gashi flet për dorëheqjen nga AAK, tregon a do t'i bashkohet ndonjë partie dhe a do të jetë kandidat për kryetar të Obiliqit

Intervista

Xhafer Gashi flet për dorëheqjen nga AAK, tregon a do t'i bashkohet ndonjë partie dhe a do të jetë kandidat për kryetar të Obiliqit

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 27 mars 2021 Në ora: 08:18
Xhafer Gashi

Kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, së fundmi ka dhënë dorëheqje nga AAK, ku tash e sa vite ishte pjesë e saj.

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ai ka treguar arsyen që e ka shtyrë deri tek largimi nga AAK, e cila thootë se ka ardhur nga pakënaqësitë e shumta, duke filluar nga zbatimi i ligjit për Obiliqin, si dhe mos punësimi në KEK.

Lidhur me atë se a do të kandidojë përsëri në zgjedhjet lokale, Gashi ka thënë se këtë do e vendosin qytetarët e komunës.

Sa i përket bashkimit në ndonjë parti, ai ka thënë se aktualisht do të vazhdojë si i pavarur, derisa mendon formimin e një iniciative qytetare me fokus nivelin lokal, e cila do të jetë e hapur për kuadro të reja e profesioniste.

I pyetur lidhur me zgjidhjen e presidentit dhe mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja, ai ka thënë se ato duhet të shmangen dhe partitë duhet të gjejnë konsensus, pasi zgjedhjet e fundit tregojnë qartë se qytetarët e Kosovës janë lodhur nga zgjedhjet.

Gashi gjithashtu tregon edhe ndryshimet që i ka bërë në komunën e Obiliqit, ai ka përmendur disa si ndërtimin e parqeve, shesheve publike, shkollave, madje edhe Shtëpinë e Kulturës “Xhavit Haziri”, ashtu edhe shpërndarje mbi 1000 bursa për studentët dhe nxënësit e komunës, po ashtu dhe investime në bujqësi.

Ai gjithashtu ka folur edhe rreth menaxhimit të pandemisë në këtë komunë, derisa ka thënë se ka koordinuar të gjitha veprimet tona për një situatë në kontroll, shndërrimin e objektit ndihmës të QKMF-së në ambulanten antiCovid-19, po ashtu edhe subvencione për qytetarët e prekur nga COVID-19.

Intervista e plotë:

“Bota Sot”: Z.Gashi, pse dhatë dorëheqje nga AAK-ja? 

Xhafer Gashi: Kjo dorëheqje vije si rezultat i pakënaqësive të shumta të strukturës por edhe të elektoratit dhe qytetarëve të Obiliqit, lidhur me mos zbatimin e tërësishëm të ligjit për Obiliqin e specifikisht çështjes së punësimit me prioritet të qytetarëve të komunës së Obiliqit, një premtim i tillë nga niveli qendror është dhënë edhe për banorët e zhvendosur të fshatit Hade dhe Shipitullë, për punësim në KEK dhe nuk është zbatuar pavarësisht nevojës së domosdoshme të kësaj korporate për numër të ri të punëtorëve.

“Bota Sot”: A do t’i bashkoheni ndonjë partie apo si do të veproni? 

Xhafer Gashi: Përkushtimin tim do ta vazhdoj si kryetar i komunës së Obiliqit, pra momentalisht jam kryetar i pavarur, në konsultim të vazhdueshëm si strukturë e  dalë nga AAK-ja dhe duke parë një interesim të madh të qytetarëve po planifikojmë që të krijojmë një iniciativë qytetare me fokus nivelin lokal e cila do të jetë e hapur për kuadro të reja e profesioniste me qëllim të vetëm për zhvillimin e qytetit të Obiliqit, si dhe për familjarët e viktimave nga COVID-19.

“Bota Sot”: Si është pritur nga qytetarët e kësaj komune dorëheqja juaj nga AAK-ja? 

Xhafer Gashi: Në fakt, dorëheqja ime nga gjitha funksionet në AAK është edhe rezultat i vazhdueshëm i qytetarëve që angazhimin politik ta vazhdoj si i pavarur dhe qytetarët e Obiliqit e kanë mirëpritur këtë dorëheqje.

“Bota Sot”: Zgjedhjet lokale do të mbahen në vjeshtë. A do të jeni kandidat për kryetar të Obiliqit?

 Xhafer Gashi: Edhe këtë çështje do të lë në dorën e qytetarëve të Obiliqit. Nëse vlerësimi i tyre dhe i gjithë bashkëpunëtorëve të mi është që të jem kandidat për kryetar të Obiliqit, për mua do të jetë një përgjegjësi shumë e madhe por edhe nder që të vazhdoj punën time në realizimin e kërkesave të qytetarëve.

 “Bota Sot”: Pse mendoni që ka pasur kaq shumë rënie AAK-ja në zgjedhjet e 14 shkurtit? 

Xhafer Gashi: Duke parë proceset dhe zhvillimet politike që kanë ndodhur për këto 20 vitet e fundit, mendoj se ka ndikuar në krijimin e një fryme politike tek qytetarët, që të përkrahet VV-ja.

“Bota Sot”: A duhet që Vjosa Osmani të jetë presidentja e Kosovës? Nëse jo, kush mendoni se është i duhuri për president? 

 Xhafer Gashi: Siç dihet, Presidentin e vendit e vendos shumica e deputetëve të zgjedhur me votën e qytetarit në Parlamentin e Kosovës, andaj kjo çështje duhet të konsultohet nga udhëheqësit e partive politike.

“Bota Sot”: Nëse nuk zgjidhet presidenti, a mendoni se duhet shkuar sërish në zgjedhje, derisa sapo kanë përfunduar ato? 

 Xhafer Gashi: Çështja e shkuarjes në zgjedhje siç dihet përcaktohet sipas ligjeve kushtetuese, mirëpo rezultatet e fundit të zgjedhjeve tregojnë qartë se qytetarët e Kosovës janë stërlodhur nga dalja e shpeshtë në zgjedhje dhe mos krijimi i një stabiliteti ekonomik e social. Për këtë arsye, konsideroj se të gjithë udhëheqësit politike duhet të tregojnë unitet në zgjedhjen e një Presidenti të vendit dhe mos-shkuarjes në zgjedhje të reja.

“Bota Sot”: Gjatë mandatit të juaj si kryetar i kësaj komune, cilat janë ndryshimet që keni bërë në Obiliq?

Xhafer Gashi: Ndryshimet që kanë ndodhur në qytetin e Obiliqit janë evidente, ne kemi punuar dhe realizuar projekte madhore për qytetarët e Obiliqit. Jemi fokusuar në secilin sektor veç e veç. Kemi ndërtuar ura, parqe e sheshe publike, shkolla dhe anekse te reja shkollore, salla sportive për nxënësit, jemi në ndërtim të Bibliotekës së Qytetit. Kemi funksionalizuar Palestrën Sportive “Adem Jashari” dhe kemi ndërtuar shumë fusha të hapura sportive. Kemi ndërtuar Shtëpinë e Kulturës “Xhavit Haziri” dhe shumë projekte të tjera në  fushën e artit e kulturës. Jemi komunë kampione sa i përket subvencionimit në të gjitha fushat. Kur kam marrë mandatin tim të parë, në komunën e Obiliqit kanë qenë vetëm 13 bursa, ndërsa tani aktualisht shpërndajmë mbi 1000 bursa e kartela për kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit për studentë dhe nxënësit e komunës së Obiliqit, jemi komuna e parë që bëjmë subvencionimin e studimeve post-diplomike. Në bujqësi vetëm gjatë vitit të fundit kemi ndarë 512 mijë euro subvencione për bujqit, në shëndetësi kemi filluar subvencionimin e grave lehona me nga 150€.

“Bota Sot”: Duke e ditur se Obiliqi është njëri ndër vendet më të ndotura në Kosovë, cilat janë përpjekjet nga kjo komunë për parandalimin e ajrit të ndotur? 

Xhafer Gashi: Në fushën e mjedisit jemi fokusuar në rritjen e hapësirave gjelbëruese, duke ndërtuar parqe të reja si në qytet ashtu edhe në fshatrat e Obiliqit. Aktualisht në Obiliq janë 13 parqe të reja, si dhe jemi në realizim të dy shesheve; “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshi “Adem Preniqi” në hapësirën e të cilit kanë qenë objekte të vjetruara dhe demoluara por ne kemi bërë rrënimin e tyre dhe me ndërtimin e këtij sheshi i cili përfshin 60% gjelbërim, Obiliqi do të marrë një pamje të re dhe moderne. Edhe në hapësirën e ish-restorantit të KEK-ut kemi realizuar një park të gjelbër.

“Bota Sot”: Në fshatin Mazgit, vite më parë është ndërtuar një ambulantë familjare, por që funksionale nuk ka qenë asnjëherë, për momentin është krejtësisht e shkatërruar. Pse ka ardhur në këtë gjendje kjo ambulantë? Si komunë, a mendoni ta bëni funksionale këtë ambulantë? 

 Xhafer Gashi: Objekti është ndërtuar në vitin 2009, arsyet pse nuk është funksionalizuar në fillim ka qenë: mungesa e stafit dhe kosto efektiviteti që do të thotë se është e kushtueshme (pritet te fillohet zonimi i pacienteve). Rrjedhimisht, banorët e fshatit Mazgit kanë afër QKMF në Obiliq dhe QMF-Milloshevë, ku mund të marrin shërbimet shëndetësore. QKMF-ja në Obiliq ka ngritur cilësinë e shërbimeve (krijimi i shërbimit emergjent 24 orësh nga viti 2017). Hapja apo funksionalizimi objekteve te reja shëndetësore do të behet vetëm pas studimit, arsyeshmërisë,kostos së efektivitetit dhe politikave shëndetësore që vijnë nga Ministria e Shëndetësisë dhe nivelit komunal.

“Bota Sot”: Sa keni pasur vështirësi në menaxhimin e pandemisë së Covid në këtë komunë? 

Xhafer Gashi: Covid-19 një pandemi globale, me të cilën ka hasur vështirësi e gjithë bota, ne si institucion komunal përmes mekanizmave antiCovid-19 (shtabit emergjent lokal) kemi koordinuar të gjitha veprimet tona për një situatë në kontroll. Aktualisht kemi rritje të numrit të rasteve të infektuara me Covid-19 por situate është e menaxhueshme, ne kemi shndërruar objektin ndihmës të QKMF-së në ambulanten antiCovid-19 në të cilën qytetarët e prekur me Covid-19 marrin trajtimin për luftimin e këtij virusi, po ashtu, qytetarëve të prekur ju ofrojmë ndihmë me pako ushqimore dhe higjienike. Me një vendim kemi filluar subvencionimin e qytetarëve të prekur me Covid-19 me nga 100€, ndërsa për qytetarët që humbin jetën me ketë virus,familjarët e tyre subvencionohen me nga 300€, ku me këtë rast shpreh ngushëllimet më të sinqerta për të gjithë familjarët që kanë humbur më të dashurit e tyre nga ky virus.

 “Bota Sot”:Kohët e fundit është rritur numri i rasteve, a mendoni se duhet të ketë sërish mbyllje?

Xhafer Gashi: Vlerësoj se qytetarët duhet të jenë më të kujdesshëm në respektimin e masave antiCovid-19, mbajtja e maskës dhe higjiena personale duhet te jenë të obligueshme si nevojë e domosdoshme për mbrojtjen e shëndetit të vetvetes por edhe të familjes. Aleat kryesor në luftimin e kësaj pandemie e kemi qytetarin. Saj përket mbylljes apo masave të reja është përgjegjësi e mekanizmave shtetërorë antiCovid-19 (MSH-ja dhe IKSHPK-ja), me të cilët do të bashkëpunojmë ngushtë në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe parandalimit të përhapjes së këtij infeksioni me virusin Covid-19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat