Kandidati i AAK-së për kryetar të Vushtrrisë zbulon planet, flet edhe për lidhjen me Presidentin Rugova

Intervista

Kandidati i AAK-së për kryetar të Vushtrrisë zbulon planet, flet edhe për lidhjen me Presidentin Rugova

Arife Morina Nga Arife Morina Më 19 korrik 2021 Në ora: 08:04
Mensut Ademi dhe Ramush Haradinaj

Zgjedhjet lokale në Kosovë, pritet të mbahen në muajin tetor të këtij viti.

Me këtë rast, subjektet politike kanë filluar edhe zyrtarizimin e kandidatëve për kryetarët e komunave.

Kurse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), për kryetar të komunës së Vushtrrisë e kandidoi Mensut Ademin.

Lidhur me projektet, planet dhe qëllimet për të ardhmen, Ademi ka folur ekskluzivisht në një intervistë për gazetën “Bota sot”.

Gjatë intervistës, ai tregoi se me ftesën e kryetarit Ramush Haradinaj në selinë e AAK me qendër në Prishtinë, në prezencën e kryesisë së degës në Vushtrri u nominua për kryetar.

Ademi tregoi edhe përvojën e tij politike, ku zbuloi edhe bashkëpunimin me politikanë dhe udhëheqës të rëndësishëm të vendit, si të ndjerët; Ibrahim Rugova, Xhavit Ahmeti, Fehmi Again, Zen Lushtaku.

Kurse, ai foli edhe për koalicionet e mundshme para ose pas zgjedhore, me partitë kundërshtare.

“Ne do t’u ofrojmë bashkëpunim të gjithë atyre të cilët dinë, duan dhe kanë mundësi të sjellin projekte në të mirën e banorëve, dhe vetë komunës pa dallim moshe, gjinie, nacionaliteti apo mbështetës politikë”, u shpreh Ademi.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Z.Ademi, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) iu ka zgjedhur juve, kandidat për kryetar të Vushtrrisë, si e mirëpritët këtë vendim?

Mensut Ademi: Kandidimi im për kryetar të Komunës së Vushtrrisë fillon me negocimin e gjithë degës së AAK në Vushtrri të cilët unanimisht të bashkuar më kanë kërkuar të jam unë ai i cili duhet të udhëheq degën e AAK në Vushtrri, por njëkohësisht të jem dhe kandidat për kryetar të komunës. Pastaj me ftesën e kryetarit z.Ramush Haradinaj në selinë e AAK me qendër në Prishtinë, ku në prezencën e kryesisë së degës në Vushtrri u nominova të kandidoj për kryetar komune në zgjedhjet e tetorit 2021. Unë personalisht këtë kandidim e marr me seriozitet të theksuar, sepse ne si shtet jemi futur në pjesën e dytë të shtet formimit dhe këtë herë rol në shtetndërtim e kanë komunat veç e veç. Në këtë rast kryetari i komunës duhet të jetë ai i cili për njëzet vitet e ardhshme ta drejtoj komunën dhe banorët e saj në fushat që janë me prioritet. Duke u nisë nga kjo, unë e kam pranuar këtë kandidim si sfidë ku me kapacitetin tim, të miqve të mi në R.Kosovës, atyre në regjion, dhe miqve të mi ndërkombëtar, do të kemi suksese në ofrimin e mundësive të të gjithë banorëve të komunës së Vushtrrisë për një jetë më të mirë dhe të dinjitetshëm.

“Bota sot”: Cila është përvoja juaj politike?

Mensut Ademi: Përvojat e mia politike janë ato të viteve 1994 deri ne 2000, ku me këtë rast duhet të theksohet se në atë kohë ka qenë e rëndësishme të organizohet çdo pushtet paralel me atë të R.Serbisë. Gjatë këtyre viteve kam pas nderin të takoj dhe punoj me shumë veprimtar të dalluar për shtetin e R.Kosovës, si të ndjerët; Ibrahim Rugova, Xhavit Ahmeti, Fehmi Again, Zen Lushtaku, e shumë të tjerë të cilët na kanë edukuar si të punohet për shtetformim. Në vitet 1997deri në 1999, aktivitetet e mija kanë qenë të kombinuara me aktivitete ushtarake, dhe një nga sukseset që unë ndihna shumë krenar është edhe beteja e Koshares! Pas vitit 1999 deri në vitin 2006, kam qenë pjesë e grupeve punuese në mbështetje të presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Pas vdekjes së presidentit unë kam vendos ti kthehem shkollimit tim, të cilin e kisha ndërprerë në vitin 1997, dhe kjo ka qenë ëndrra e prindërve të cilën kam arritur t’ua realizoj.

“Bota sot”: Si e vlerësoni punën e deri më tanishme në këtë komunë, nga qeverisjet e kaluara dhe qeverisja aktuale?

Mensut Ademi: E nderuar, R.Kosovës në vitin 1999 ka qen e shkatërruar si në aspektin material dhe atë njerëzor. Që do të thotë se në R.Kosovës dhe ndaj banorëve të saj, e me theks të veçantë ndaj atyre të nacionalitetit Shqiptar, kanë implementuar lufta të ndryshme speciale nga viti 1945. Pastaj ato lufta kanë vazhduar në 1968, dhe rritet intensiteti I këtyre luftërave 1989 deri me përfundimin e luftës 1999. Duke u nisur nga kjo në vendin ton edhe në Vushtrri nevojat kanë qenë emergjente për banorët si : Vendbanimi, të ushqyerit, shkollimi, gjendja shëndetësore, si ajo fizike psikologjike dhe shpirtërore, numri i madh i viktimave, siguria dhe ato të mbijetesa. Me një vend të shkatërruar pas njëzet viteve, me ndihmën e miqve tan ndërkombëtar, kemi arritur të kemi kushtet mesatare për jetesë. Pyetja vjen, “a kemi mundur ne në Vushtrri të bëjmë më shumë?” PO. Atëherë pse nuk kemi vepruar? Sepse udhëheqësit të cilët kanë menaxhuar komunën e Vushtrrisë nuk kanë pasur kapacitet intelektual, profesional të menaxhimit me komunë. Theksoj punën e mirë të z.Muharrem Shabani dhe z.Bajram Mulaku, të cilët me iniciativat dhe këmbëngulësi kanë arritur të sjellin disa punë të mira në Vushtrri. Të gjithë të tjerët të cilët kanë udhëhequr komunën e Vushtrrisë, ne njërën apo tjetrën mënyrë, në kohën ideale për investime kanë dështuar. Në 4 vitet e fundit janë riformatizuar (janë përgjysmuar) projektet e z.M.Shabani dhe z.Mulaku, dhe me këtë rast kemi një dështim thuajse të 80 % të projekteve në këtë komunë.

“Bota sot”: Në cilin sektor mendoni se qyteti i Vushtrrisë ka nevojë për ndryshime dhe investime më të mëdha?

Mensut Ademi: Vushtrria si qytet i vjetër me tradita, dhe suksese në të kaluarën si në rekreacion, tregti, bujqësi, blegtori, zejtari, sport dhe kulturë, pas luftës deri më tani është zbehur. Kjo sepse nuk u është mundësuar personave apo grupeve adekuate të menaxhojnë me profilet dhe profesionet e tyre që Vushtrrisë t’ia kthejnë dinjitetin e qytetërimit të vjetër. Vushtrria si territor shtrihet në mes të regjioneve të Drenicës, Mitrovicës, Podujevës, Obiliqit dhe me këtë rast ka shumë mundësi në investime të cilat kishin arritur deri tek bashkëpunimi ideal me këto komuna, dhe me shtetet në regjion ashtu edhe në EU përmes investimeve adekuate në disa regjione të Vushtrrisë.

Bota sot”: Cilat janë planet dhe projektet tuaja për Vushtrrinë?

Mensut Ademi: Jemi duke analizuar gjendjen aktuale me disa grupe punuese në fushën ekonomike, sociale, të sigurisë, shëndetësore, edukativo arsimore dhe kulturore. E thash edhe më herët se ne si shtet jemi ne fazën e dytë të shtet formimit, ku ne duhet të jemi të vëmendshëm duke investuar në njeriun e duhur, në kohën e duhur, për investime të duhura. Të gjitha këto plane zhvillimore për Vushtrrinë do të harmonizohen në aspektin lokal, qendror dhe ndërkombëtarë. Duke u nis nga ajo çka kemi identifikuar deri me tani, në Vushtrri ka nevojë për investime adekuate për t’u ofruar talenteve të të gjitha grup moshave, ndihmë financiare për të arritur sukseset e tyre. Këtë detyrë mund të arrijmë duke harmonizuar idetë dhe mundësitë që ne kemi si komunë me mundësitë që unë personalisht kam me disa organizata, fondacione në arenat ndërkombëtare, bashkatdhetarët e suksesshëm në USA , EU dhe Turqi. Me realizimin e projekteve adekuate të tyre në vendin tonë Vushtrri, ne do t’u ofronim mundësi jo vetëm banorëve të Vushtrrisë, por edhe banorëve të komunave si Skënderaj, Mitrovicë, Obiliq, Podujevë, dhe gjithë banorëve të R.Kosovës të kenë qasje në këto projekte.

“Bota sot”: A keni filluar përgatitjet me anëtarët dhe zyrtarët e AAK-së, për zgjedhjet lokale?

Mensut Ademi: Unë kam gjetur në degën e AAK në Vushtrri një grup punues shumë të suksesshëm, i cili do, di dhe mundet të organizoj çdo aktivitet që kërkohet në të mirën e banorëve të Vushtrrisë. Po, ne kemi filluar aktivitetin me degën e AAK-së në Vushtrri, kemi arritur të ofrojmë persona adekuat të cilët do të kandidojnë për asamble komunale, kemi përcaktuar koordinatorin për secilin grup punues sipas profesionit dhe departamenteve përkatëse, kemi angazhuar një numër të të rinjve sipas profileve të studimit të tyre në problematika adekuate dhe specifike. Jemi duke punuar me grupet punuese të cilat prioritet i kanë të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, gjininë femërore sidomos ato me problem gjatë shkollimit dhe ato pa punë, shoqatat e dala nga lufta, familjet me problem sociale, gjendja e sigurisë të bashkatdhetarëve tanë gjatë rrugës dhe qëndrimit në vendlindje, etj. E gjithë kjo që me kandidatët për asamble, dhe unë si kryetar në të ardhmen e afërt, të ju dalim në ndihmë këtyre kategorive në të gjitha format dhe mundësit të cilat i kemi.

“Bota sot”: Deri më tani vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës e ka zyrtarizuar kandidatin e tyre për këtë komunë, sa jeni të gatshëm për koalicion parazgjedhor me ndonjë parti apo edhe koalicion tjetër në rast të balotazhit?

Mensut Ademi: Të gjitha partitë të cilat me kandidatët e tyre garojnë për asamble dhe kryetar komune në Vushtrri, kanë qëllimin e mirë, për të mirën e këtyre banorëve, dhe për të mirën e Vushtrrisë. Por dallimi është se sa këto parti kanë investuar drejt dhe saktë në resurse humane, dhe sa këto parti kanë kapacitet dhe mundësi që të gjitha idetë të cilat i ofrojnë. Sipas asaj që është analizuar në tetë vitet e fundit, kanë çaluar, apo them nuk ju kanë ofruar mundësi personave adekuat në fushën e caktuar, që përmes tyre ne si banorë dhe përgjegjësit e komunës të krenohen me punën e tyre. Kjo neve na shtyn të garojmë për kryetarë të Vushtrrisë. Ne do t’u ofrojmë bashkëpunim të gjithë atyre të cilët dinë, duan dhe kanë mundësi të sjellin projekte në të mirën e banorëve, dhe vetë komunës pa dallim moshe, gjinie, nacionaliteti apo mbështetës politikë.

“Bota sot”: Pse qytetarët e Vushtrrisë duhet të ju votojnë për kryetar të kësaj komune?

Mensut Ademi: Qytetarët e Vushtrrisë janë banorë të zellshëm, të edukuar, punëtorë të disiplinuar, inteligjentë, të talentuar në fusha të caktuara si ingjinierike, biznes, kulturë, art, sport, bujqësi, blektori, zejtari etj. Por komunës i duhet një kryetar i cili do të arrinte të identifikoj këto grupe apo individë përmes metodave bashkëkohore, dhe t’u ofron mundësi institucionale, ekonomike, sociale, edukative për të arritur deri tek qëllimet e tyre. Komunës së Vushtrrisë i duhet një kryetar i cili në kohën kur është dashtë të mbrohet vendi i ka dal zot, në kohën kur në arenat ndërkombëtare në EU, USA, AZI është dashtë të promovohet vendi përmes institucioneve universitare është dëshmuar si profesionalist, dhe tash i duhet një kryetar i cili di, do dhe mundet të ofron mundësi për përmirësimin e jetesës së të gjithë banorëve të Vushtrrisë.

“Bota sot”: Cili është mesazhi juaj për qytetarët e Vushtrrisë?

Mensut Ademi: Qytetarët e mi të dashur, unë e di se ju jeni të lodhur dhe jeni të zhgënjyer me të arriturat nga viti 1999 deri me tani. Ju lutem shihni edhe jashtë Kosovës, në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Bosnjë dhe Hercegovinë, etj, dhe do të bindeni se ne kemi qenë të shkatërruar dhe kemi arrit aty ku jemi tani. Ne jemi të vetëdijshëm se kemi mundësi, kemi kapacitete që të jemi më të mirët në regjion. Kemi rininë tonë të shkëlqyer dhe të edukuar, kemi prindërit dhe gjyshërit tanë si mundësi e konsulencës të cilët në kohërat më të vështira na rriten, edukuan, shkolluan, të cilët në kohëra të vështira në forma të ndryshe u dolën zot vendit. Pastaj me ndihmën e familjes u shkolluam dhe edukuam. Ejani më ndihmoni të punojmë së bashku që edhe ju të keni suksese në familjet dhe jetën tuaj. Më ndihmoni mua që t’u ndihmoni vetes. Zoti e bekoftë Kosovën, Zoti i bekoftë të gjithë qytetarët e R. Kosovës, sepse jeni populli më i mirë që kam takuar dhe takoj çdo ditë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat